E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandal me Uejn Runin, dyshohet për komplot



Ylli i Kombëtares angleze, Uejn Runi, ka filluar ditën e djeshme pushimet me familjen dhe të afërmit e tij. Ajo çfarë ka befasuar të gjithë është fakti që pushimet luksoze të lojtarit janë porositur nga ky i fundit dy ditë para zhvillimit të ndeshjes kundër Gjermanisë dhe data e nisjes është rezervuar dita e djeshme. Mediat britanike kanë nisur menjëherë aludimet se lojtari ndryshe nga çfarë kishte deklaruar, besonte se ekipi i tij do të mundej nga Gjermania dhe fakti i rezervimit të tyre e konfirmon një gjë të tillë. Po kështu janë shfaqur zëra më të ashpër, të cilët dyshojnë për një “komplot” nga ana e lojtarit, gjë që është pasqyruar edhe në formën e dobët të treguar në të katër ndeshjet. Pushimet të cilat parashikojnë qëndrimin në plazhet e ishullit “Barbados” në Karaibe dhe së paku 10 ditë në Las Vegas arrijnë një shifër të konsiderueshme, vlerë kjo e paguar që ditën e rezervimit të udhëtimit. Prandaj, është shumë e vështirë të pranohet një hipotezë që lojtari kishte vendosur të rrezikojë për t’i humbur këto të holla, në rast se ekipi i tij do të mundte gjermanët. Sulmuesi, i cili shënoi 34 gola këtë sezon për ngjyrat e Mançester Junajtid, është nisur së bashku me familjen dhe të afërmit e tij dhe duket se do t’u përgjigjet këtyre akuzave vetëm pas 15 ditësh, kohë kjo kur pritet të rikthehet në Angli. Deri atëherë, shtypit britanik nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të investigojë për këtë çështje, me shpresën për të zbuluar të vërtetën e kësaj ngjarjeje të pazakontë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›