Berisha: Më 22 mars do organizoj koncertin më të bukur që ka njohur historia. Qershorin tjetër do fitoj si në vitin 1992
Berisha mbledh drejtuesit e lartë për të festuar fitoren në zgjedhje 20 vjet më parë. Berisha tha se asnjë komb në 20 vite nuk ka ndryshuar sa Shqipëria. Ai shtoi se në vend është krijuar një klasë e mesme që është gardiane e demokracisë. I nxitur nga vala e anëtarësimeve në PS, Berisha tha se një gjë të tillë do e bëjë dhe PD. Berisha: U faktua këto 20 vite se Shqipëria mund të bëhej dhe me shpejtësi madje
Kryeministri dhe kryetari i PD, Sali Berisha, mblodhi drejtuesit kryesorë të kësaj partie në selinë blu për tu kërkuar që të organizojnë një koncert masiv më 22 mars, për të festuar fitoren e tyre në zgjedhje 20 vjet më parë.
Edhe pse ka vite që nuk i mbledh ata për të zgjedhur strukturat drejtuese, edhe pse ka vite që Shqipëria nuk njeh zgjedhje plotësisht të lira e të ndershme, Berisha tha se nuk ka asgjë më të rëndësishme se këto festime. Berisha tha se atë ditë do organizohet koncerti më i bukur në historinë e vendit. 20 vjetorin e përmbysjes me votën e lirë të regjimit më të egër, me çnjerëzor që kombi shqiptar njohu në historinë e tij. Ky 20-vjetor është i një rëndësie të veçantë sepse e festojmë në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Asgjë nga koha e pavarësisë deri më sot nuk ka ndikuar më shumë sesa përmbysja e diktaturës komuniste dhe fakti se e festojmë sot të lirë. 22 marsi është ditë pushimi, por ne do e kthejmë atë në ditën e festës më të bukur. Ju kemi sjellë këtu për tu angazhuar me të gjithë potencialet e seksioneve, që Tirana të përjetojë atë ditë festën më të bukur në historinë e saj që nga 22 marsi 1992, tha Berisha.
Asnjë komb në 20 vite nuk ka realizuar aq sa kanë realizuar shqiptarët, vijoi më tej kryeministri, i cili e vuri theksin tek krijimi i një klase të mesme në Shqipëri. Këto vite u krijua në Shqipëri një klasë e mesme, që është një garanci themelore për stabilitetin e demokracisë. Kjo klasë e mesme është gardiane e vlerave të krijuara. Në të gjitha kohërat ajo ka qenë promotore e ndërtimit të sistemit të bazuar në vlera. Kjo klasë e mesme nuk pranon nga askush aventura. Kjo klasë është e një spektri të gjerë politik.
Do ftoja të gjithë qytetarët shqiptarë që të ftojmë bashkë 20 vjetorin. Por, do doja që kjo festë të ishte para së gjithash festë e brezit më të ri e më të lumtur në historinë e këtij vendi, tha Berisha.
Koncerti do organizohet në orën 12:00 të 22 marsit.
I nxitur nga vala e anëtarësimeve në PS, ndërmarrë nga kryetari i PS, Edi Rama, Berisha tha se dhe ata do të nisin një seri anëtarësimesh.
Do nisim një seri anëtarësimesh në partinë tonë. Do ftojmë të bashkohen me ne energjitë më të mira të komunitetit dhe shoqërisë. Kjo është jetike në sensin që 20 vitet që vijnë kanë nevojë për energji të re të gjithanshme, për kontribute të reja në çdo seksion, degë e nëndegë, tha Berisha.
E meqë ishte fjala për të rinjtë, Berisha tha se Shqipëria ka tejkaluar mesataren evropiane për numër studentësh.
Kryeministri Berisha tha se ndryshe nga sa mendonin skeptikët se Shqipëria nuk do bëhej, u faktua se ajo mund të bëhet me shpejtësi madje. Këto 20 vite faktuan se Shqipëria mund të bëhet edhe me një shpejtësi shumë të madhe. Mund të bëhet duke konsoliduar gjithmonë e më shumë liritë e qytetarëve shqiptarë, tha Berisha.
Qershori që vjen do përsërisë 22 marsin e vitit 1992, tha Berisha në mbyllje të fjalës së tij.