E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Me 28 qershor, triumf elektoral mbi Edvinin, po aq madhështor sa Skënderbeu mbi otomanët

Kryeministri Sali Berisha i ka përsëritur apelin kreut të PS-së që të dalë nga bunkeri i bashkisë, të japë dorëheqjen dhe të futet me dinjitet në garën e zgjedhjeve, pasi disfata e tij është po aq e sigurtë, sa ajo e turqve në kështjellat e Skënderbeut

TIRANE - Kryeministri Sali Berisha riapeloi nga Shën Vlashi i Durrësit thirrjen drejtuar kryetarit të PS, Edi Rama, për të dhënë dorëheqje nga posti i kreut të bashkisë së Tiranës dhe daljen në fushatë, ballë për ballë me kundërshtarin, ndërsa theksoi se zgjedhjet e lira dhe të ndershme, do të jenë të zeza për fatin e tij politik, duke përdorur si paralelizëm figurativ, dështimet që u shkaktoi heroi ynë kombëtar Skënderbeu, otomanëve.
Në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, Berisha inauguroi Shkollën e Mesme të Bashkuar “Besnik Hidri”, në komunën Shën Vlash, duke u shprehur para banorëve se premtimet e mbajtura nga kjo qeveri gjatë mandatit të parë, janë garancia dhe shpresa për mbajtjen e premtimeve edhe gjatë mandatit të dytë.
Duke bërë një rezyme të të gjitha arritjeve të qeverisë në vetëm katër vite, Berisha tha se investimet e fuqishme në infrastrukturë, dyfishimi i pagave dhe pensioneve, reformat e pandalshme në plotësimin e standardeve për anëtarësimin, tashmë të realizuar në NATO, dorëzimin e kërkesës për statusin e vendit kandidat në BE, plotësimin e kushteve për liberalizmin e shpejtë të vizave, janë fryte të programit të kësaj qeverie, i cili do të vijojë të jetë në ritme të tilla edhe 4 vitet e ardhshme të qeverisjes së vendit.
“I gjithë programi i kësaj qeverie dhe i çdo qeverie që unë do të kryesor, do të jetë i thjeshtë, sepse do ketë për filozofi përmbushjen e interesave tuaja”.
Por, theksoi kryeministri, përballë alternativës së zhvillimit dhe integrimit të vendit, qëndron ajo e shpifjeve dhe trillimit, që synon të përbaltë arritjet e qeverisë.
Sipas kryeministri drejtuesit e opozitës nuk kanë interesa të tjera, por vetëm një; interesin e karriges së tyre, me të cilën janë të ngjitur me ngjitësin më të fortë, me tutkallin më të tmerrshëm, lejet e ndërtimit.
“Ata nuk shkëputen dot prej tyre”, tha Berisha.
Duke vijuar më tej Berisha tha se kreu i opozitës njëherazi kryetari i bashkisë së Tiranës, duhet të japë dorëheqjen dhe të dalë në shesh, ballë për ballë në garën elektorale.
“Aty në Krujë, para shtatores së Skënderbeut, i bëra thirrje kryetarit të opozitës, por edhe këtu i bëj thirrje: zoti Rama, kam një kërkesë për ty, kërkesë që nuk e kam aspak në interesin tim, në interesin e mbështetësve dhe simpatizantëve të mi, por e kam në interesin më të mirë të anëtarëve të PS-së dhe mbështetësve të tu; Dil në shesh, bëju burrë, shkëputu nga karrigia e kryetarit të bashkisë, jep dorëheqjen dhe hajde të bëjmë garën ballë për ballë. Kush do ta fitojë. Mos u fshih pas karriges së kryetarit të bashkisë, por dil, sepse anëtarët e asaj partie, mbështetësit e saj, kërkojnë të të shohin ty që u prin, jo për kryetar bashkie sepse aty të kanë dhe ua ke nxirë fare, duke marrë së bashku me ndihmesat e t’u 59 leje ndërtimi. Çlirohu nga lejet e ndërtimit”, u shpreh kryeministri, duke shtuar se në Krujë më erdhi ndërmend t’i thosha diçka, por mendova se po tmerrohej.
“Në Krujë i thashë; eja këtu, ngriji sytë lartë dhe shiko shtatoren e Skënderbeut, lutu të të japë pak kurajë. Kurse këtu tek ju, po them këtë tjetrën: Për mua dhe për ju Skënderbeu është hyjni, është idhulli ynë, por unë atij do t’ia bëj më zi sesa ua ka bërë Skënderbeu otomanëve, jo me shpata, jo me topa, por me vota, me vota të lira dhe të ndershme”, deklaroi Berisha.
Kryeministri deklaroi se gjatë vizitës së tij në Krujë, qytetarët krutanë, shprehën shqetësimin e tyre, lidhur me fushatën e shpifjeve të medieve të Edvinit, ndaj figurës së heroit tonë kombëtar Skënderbe.
“Unë isha në Krujë dhe krutanët i gjeta të lënduar nga fushata e shpifjeve të tyre kundër Skënderbeut, shpifje të cilat kanë vetëm një qëllim, të prekin thelbin e identitetit tonë kombëtar, thelbin e qëndresës sonë. Historia jonë nuk ka qenë histori e lehtë, kemi pasur kulme si në kohën e Skënderbeut, por kemi pasur edhe shekuj pushtimesh të gjata. Natyrisht kulmi dhe lavdia është ajo që trashëgohet nga qytetarët shqiptarë”, tha kryeministri.

Garanton kryeministri Berisha

“Durrës-Kukës, përfundon brenda muajit qershor”

TIRANE – Kreu i ekzekutivit Sali Berisha, garantoi dje përkundur deklarimeve dashakeqe të klikës opozitare, brenda muajit të ardhshëm, përfundojnë punimet në rrugën Durrës-Kukës.
Gjatë inaugurimit të shkollës së Mesme të Bashkuar “Besnik Hidri”, në Shëna Vlash, Berisha tha se rruga Durrës-Kukës, është një vepër madhështore, dëshmia më e fuqishme e një Shqipërie që zhvillohet me shpejtësi, e një Shqipërie që mund të ndërtojë vepra të mëdha, që mund të ndërmarrë projekte ambicioze.
“Rruga është një aortë jetike për të lidhur dy pjesë të kombit Shqipërinë dhe Kosovën dhe për të shumëfishuar shkëmbimet njerëzore dhe tregtare mes dy vendeve”, tha kryeministri i cili siguroi se kjo rrugë përfundon në qershor.
Duke u fokusuar në projektet infrastrukturore në vend, Berisha tha se në objektivin e qeverisë janë ndërtimi i rrugëve që shkurtojnë distancat. Kryeministri nënvizoi se rruga Durrës-Kukës-Morinë shkurton mbi 100 kilometra distancë, krahas faktit që parametrat e kësaj rruge janë për shpejtësi më të larta.
Gjithashtu, kreu i qeverisë premtoi se e njëjta gjë do të bëhet me aksin Tiranë- Tepelenë, me rrugën e Arbrit që afron Shkupin me Tiranën me 100 kilometra, me aksin Qafë Plloç- Qukës, që afron Korçën shumë ndjeshëm me Tiranën, me aksin Fierzë- Koman që shkurton distancën me 100 kilometra.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›