E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Me Kosoven politike e hapur per universitetet

Kryeministri Berisha priti sot në një takim ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Ramë Buja dhe delegacionin që e shoqëronte.

Pasi i uroi mirëseardhjen, Berisha u shpreh se bashkëpunimi në fushën e arsimit midis Shqipërisë e Kosovës është themelor dhe sa më shpejt duhet të kapërcehen dasitë e padrejta.

“Arsimi dhe kultura, - tha Kryeministri, - janë dy shtyllat themelore të qenies së një kombi”.

Duke theksuar rëndësinë shumë të madhe që ka zbatimi i Marrëveshjes së përbashkët ndërmjet ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, Kryeministri tha se duhet të ecet me standarde të njëjta në fushën e arsimit në mbarë kombin.

“Është e nevojshme të ecim drejt njësimit të plotë të programeve dhe teksteve, nisur nga tekstet bazë e deri tek ato që duhen përkthyer”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha e njohu ministrin Buja me reformat e qeverisë në fushën e arsimit, ndërsa u shpreh se tashmë krahas rritjes së numrit të pranimit të studentëve në universitete, e gjithë vëmendja është përqendruar tek cilësia në arsim dhe kërkim shkencor.
Gjithashtu, Berisha u shpreh se edhe për Kosovën është e domosdoshme politika e dyerve të hapura ndaj universitetit.

“Do shohim stafet më të mira dhe do të rendim drejt standardeve më të mira të vendeve të zhvilluara”, tha Kryeministri.

Ministri i Arsimit të Kosovës, Ramë Buja, e falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe shprehu angazhimin për zbatimin e Marrëveshjes së përbashkët të ministrive të të dy vendeve.

Ai u shpreh se krahas domosdoshmërisë për njësimin e programeve dhe teksteve, duhet dhe shkëmbimi i ndihmës reciproke për zhvillimin e kapaciteteve profesionale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›