Berisha: “Më kishte marrë malli për Kombëtaren”
Besart Berisha rithirret në Kombëtare pas më shumë se një viti, pas atij dëmtimi të rëndë në gju në miqësoren kundër Maltës (3-0), të zhvilluar më 20 gusht 2007, ku edhe shënoi një nga tre golat e tij në nëntë ndeshje me fanellën kuqezi . Një dëmtim, që tashme është kaluar plotësisht falë karakterit të tij dhe punës së jashtëzakonshme. Sulmuesi i Bërnlit, i huazuar te Rozenborgu në Norvegji, të martën kreu edhe seancën e parë stërvitore me kuqezinjtë, duke plotësuar kështu “pesëshen” kosovare në përfaqësuesen shqiptare, së bashku edhe me portierin Arjan Beqaj (mungoi në stërvitjen e paradites), Lorik Canën, Armend Dallkun e Debatik Currin. “Jam i lumtur i shumë, që kthehem në Kombëtare. Është gati një vit, që kam munguar. Më ka marrë edhe pak malli”, - thotë ish-sulmuesi i Hamburgut, me një nuancë zëri të “lotshëm”, ku dallohet lehtë edhe mallëngjimi.
“Tashmë jam gati dhe për Kombëtaren”- shton mesfushori 23-vjeçar i dalluar për shpejtësinë e tij në veprimet e gjysmëfushës sulmuese e sidomos për vertikalizimet nga e majta në zemër të zonës së sulmit. “A do të luaj? Unë jam si lojtar i ri në Kombëtare, për më tepër që dhe trajneri është i ri e nuk i njoh ende vlerësimet e Ari Hanit. Unë jam gati për të qenë në fushë”. Nuk arriti të luante në “Turf Moor” të Bërnlit, atje edhe ku realizoi me një kryevepër golin e vetëm të Shqipërisë kundër Anglisë B, por është duke përjetuar një eksperiencë të bukur te Rozenborgu në Norvegji. Besartit nuk i vjen keq që është larguar përkohësisht nga Bërnli. “Unë dua të jem në fushë. Trajneri i Bërnlit mendoi se mua më duhej kohë. Ai ishte gati të më aktivizonte jo më shumë se njëzet minuta, ndërsa unë mendoja se duhet të luaja gjithë ndeshjen. Rozenborgu më afroi shansin të luaja nga fillimi. Jam i lumtur atje. E fillova shumë mirë atje. Ishte një sukses i madh për mua. Trajneri më dha shumë besim dhe ia ktheva besimin me dy gola”. Kur ishte pjesë e Hamburgut, Besart Berisha u aktivizua në disa ndeshje të fazës së grupeve në Ligën e Kampioneve, ndërsa tani me Rozenborgun, ai vazhdon së bashku edhe me Klodian Duron (Omonia Nikosia në Qipro) e Altin Haxhin (Apoel, po në Qipro), të luajë në raundin e parë të Kupës UEFA. Kundërshtari i Rozenborgut është Brondi i Danimarkës. Berisha e njeh futbollin danez, pasi ka qenë luajtur si i huazuar te dy klube në Danimarkë: me Aalborgun dhe AC Horsens. “Jam shumë i lumtur që të luaj në Danimarkë kundër Brondbit, kësaj radhe në Kupën UEFA. Kam bërë një gol në Ligën e Kampioneve, tani dua të bëj edhe një në Kupën UEFA”, - përfundoi mesfushori, i cili ka debutuar me kombëtaren në humbjen 2-1 të Shqipërisë me Holandën në Amsterdam.
3 Shtator 2008