Cana: “Jo e pamundur të fitojmë me Suedinë”
Dash Frashëri
Lorik Cana e kujton ende atë fitore të bukur në miqësoren me Suedinë 2-1 të shkurtit të vitit 2008 madje zëvendëskapiteni aktual i Shqipërisë, i referohet lojës së mirë të zhvilluar nga kuqezinjtë, që rezultoi edhe me përmbysjen e dizavantazhit nga 0-1 në 2-1, falë golave të Ervin Skelës e Adrian Aliajt.
Kapiteni i Marsejës prej disa vitesh luan në nivel të lartë në një prej pesë kampionateve më të forta në Europë, duke qenë edhe një nga emrat më të frikshëm për Suedinë e Ibrahimoviçit, aq më tepër që mesfushori i Olimpikut të Lionit, Tim Kallstrom e njeh shumë mirë fuqinë e Lorikut në sektorin e mesfushës shkatërruese.
Cana është dukur shumë entuziast gjatë seancave stërvitore, frymë të cilën e ka përcjellë në ambientin kuqezi, madje edhe duke bërë ndonjë shaka me Besart Berishën, lojtarin e rikthyer pas një viti në Kombëtare. “Hë, a kishte harruar me fol shqip Berisha?”, - pyet duke qeshur Cana gazetarët, duke qenë se intervista e tij ishte menjëherë pas sulmuesit të Rozenborgut. Cana, së bashku edhe me portierin Arjan Beqaj te qipriotët e Anothosis Famagusta, janë dy lojtarët e vetëm të Kombëtares shqiptare që luajnë në Ligën e Kampioneve, por shorti nuk i vuri përballë njeri-tjetrit në fazën e grupeve.
Lorik, të shtunën ndeshja kundër Suedisë. Sa të përgatitur jeni për ta mbyllur me rezultat pozitiv?
Nuk diskutohet që kundër Suedisë është një ndeshje shumë e rëndësishme, pasi është e para për këtë edicion (eliminatoresh). E quaj si shans, apo fat, që dy ndeshjet e para i kemi në shtëpi (përfshirë dhe Maltën). Suedia është një kundërshtar me emër. Luan rregullisht në Europian e në Botëror. Ne po mundohemi që të përgatitemi sa më mirë.
Gjithmonë është krijuar përshtypja se motivoheni më mirë kundër emrave të mëdhenj.
Sigurisht, që po. Për në e rëndësishme është që ta mbajmë nivelin tonë edhe ndaj Maltës, por nuk është e pamundshme që të mundim edhe Suedinë.
Cana, jeni edhe kapiteni i Marsejës, skuadrës që kryeson kampionatin francez. Një start shumë i mirë në katër javët e para, kur në sezonet e kaluara keni dështuar pikërisht në fillim të kampionatit.
Me rezultatet e deritanishme (3 fitore, 1 barazim) jemi shumë mirë, por nga pikëpamja e lojës kemi ende disa pika të dobëta. Duhet të përmirësohemi më shumë, pasi kemi shumë lojtarë ofensivë dhe jemi vënë disa herë nga kundërshtarët në vështirësi. Megjithatë, kemi shumë kualitete në ekip. Besoj e shpresoj se do të luftojmë për titull deri në fund.
A do ta thyeni pas shtatë vitesh hegjemoninë e Lionit në kampionatin francez, kur për momentin jeni me pikë të barabarta (nga 10)?
Të gjithë po shpresojmë. Madje në Francë të gjithë shpresojnë te Marseja që ta thyejë Lionin.
Në Ligën e Kampioneve, sërish kundër Liverpulit në fazën e grupeve. Fituat në Angli dhe humbët në Francë. Besoj se ruani emocione të veçanta, kur në Liverpul u vlerësuat edhe me shumë se Xherard?
Është normale. Kundër Liverpulit do të luajmë ndeshjen e parë, kësaj radhe në Marsejë dhe të gjithë duam fitoren, duke parë dhe faktin se jemi në një grup të vështirë (Liverpul, Marsejë, PSV Eindhoven e Atletiko Madrid). Një fillim i mbarë është shumë i mirë.
Shpresoni të përfundoni në dy vendet e para?
Po. Vitin e kaluar ne ishim shumë afër. Sivjet jemi pretendentë dhe kemi shumë dëshirë të kualifikohemi.
Edhe pse jeni kapiten te Marseja, keni deklaruar se nuk do të jeni përjetësisht i lidhur me klubin francez?
Ka shumë shanse që të jetë viti im i fundit atje.
E ardhmja në Spanjë, Gjermani apo...
... Besoj se do të jetë në Angli.
3 Shtator 2008