E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Me puçin, Ina Rama dhe Topi ëndërruan mandatin e dytë

TIRANË- Nuk ka mandat të dytë për Bamir Topin, president, dhe Ina Ramën, Prokurore e Përgjithshme. Partia Demokratike nuk do të votojë asnjërin prej tyre, mandati i të cilëve përfundon në vitin 2012. Këtë e ka paralajmëruar dje qartazi Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, teksa u shpreh se “shokë dhe shoqe të bulevardit” kishin vendosur ëndrrën e mandatit të tyre të dytë. “Kam kënaqësinë që t’ju informoj se janari, natyrisht që kishte aktin më të shëmtuar të historisë sonë, puçin e udhëhequr nga Edvin Kristaq Rama dhe organizuar nga shokë dhe shoqe të bulevardit, që mbi këtë puç dhe në kurriz të shqiptarëve kishin vendosur ëndrrën e mandatit të tyre të dytë. Por, përsëri, aq sa e fortë u dëshmua demokracia shqiptare, ligji, shteti ligjor dhe rendi kushtetues, po aq e fortë dhe vibrante u dëshmua ekonomia e Shqipërisë”, - tha dje që në fillim të fjalës kryeministri Sali Berisha. Duke folur më pas për përgatitjet për zgjedhjet lokale, Berisha iu rikthye sërish 21 janarit, duke shtuar se “puçistët kishin vetëm një qëllim: të përmbysnin pushtetin e kësaj mazhorance dhe të mos bënin zgjedhje, por të ndanin mandatet me dhunë dhe pa zgjedhje”. Kreu i ekzekutivit u shpreh gjithashtu se mazhoranca është e hapur për bashkëpunim të plotë me Prokurorinë, pas mbërritjes në Tiranë të prokurorit të Shteteve të Bashkuara. “Dua, gjithashtu, t’ju informoj se shokët dhe shoqet e ‘ngjarjes së bulevardit’ po bëjnë gjithçka për të penguar një proces që është jetik dhe vendimtar për këtë vend: hetimin e pavarur, të besueshëm, gjithëpërfshirës, të asaj që ata e quajtën me emrin e koduar ‘ngjarje në bulevard’ dhe që për ne ishte qartësisht një grusht shteti në të gjithë elementët e tij. Dua të informoj qytetarët shqiptarë se pas ardhjes së Prokurorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qeveria ka vendosur bashkëpunim të plotë dhe total me institucionin e prokurorisë së këtij vendi. Natyrisht, qeveria është dhe mbetet për një hetim të pavarur, të besueshëm, gjithëpërfshirës, ashtu siç është e domosdoshme dhe që është interesi i çdo qytetari shqiptar”, - tha Berisha. Gjithnjë duke iu referuar Edi Ramës, Bamir Topit dhe Ina Ramës, si “shoqe dhe shokë të Bulevardit”, Berisha akuzoi se janë pikërisht këta që po fabrikojnë në media, sipas tij, akuza të trilluara lidhur me ngjarjet e dhunshme të 21 janarit. “Ata çdo ditë fabrikojnë në mediat e tyre dhe të tjera akuza të trilluara, siç ishte ajo se Garda e Republikës po i fsheh serverin, ndërkohë që ajo ka qenë e gatshme në çdo kohë dhe çdo moment të bashkëpunojë me institucionin e akuzës. Garda e Republikës ka gjithçka transparente dhe nuk ka fshehur asgjë. Në personelin e Gardës është një pasuri e vërtetë e këtij shteti. Në ndërlidhjen mund të ketë persona që punojnë në të prej 25 vjetësh. Ata dhe askush nuk mund të kenë asnjë moral për të fshehur asnjë dokument, lëre më serverët”, - tha ai. Megjithatë, Berisha foli edhe vdekjen e njërit prej tyre “si pasojë e një rikoshete”. “Qeveria është thellësisht dhe tërësisht e interesuar, më shumë se kushdo tjetër, për hetim të plotë dhe të gjithanshëm. Ajo është thellësisht e interesuar për rrethanat në të cilat humbën jetën 4 qytetarë. Një prej tyre, paska qenë si pasojë e një rikoshetë, siç po i botojnë vetë këta në media. Po të tjerët, kush i vrau? Cila është dora e zezë që i ekzekutoi? Këto duhet të sqarohen një për një. Duhet të keni besim të plotë. Mirë njëri, siç e botojnë vetë, qenka plumb rikoshetë. Po tjetri? A është kjo pjesë e skenarit që unë do të kaloja mbi kufoma? Nuk them, por hetimi duhet të jetë i plotë dhe për çdo gjë. Ne jemi të përcaktuar për një hetim të plotë dhe të gjithanshëm. Unë kam besim dhe u premtoj familjarëve të viktimave se qeveria do të bëjë çdo gjë që të ketë në dorë, për të zbardhur të vërtetat”, - tha ai.

N.Perndoj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›