E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delijorgji e Pinari në liri, akti i fundit i dështimit të “Gërdecit”

SHKRUAN: Aleksandra Bogdani 08-02-2011 10:35

Tiranë- Sokol Ngjeçi kapërceu i pari portën e rëndë të burgut 313. Ecejaket e tij për t’iu shmangur mikrofonëve i dhanë kohë Mihal Delijorgjit të “rrëshqiste” pa rënë në sy, t’i drejtohej një makine “Tuareg” me targa të Durrësit e të zhdukej sa hap e mbyll sytë nga rrethinat e burgut, ku qëndronte prej marsit të vitit 2008. I fundit ishte Ylli Pinari, i cili, me të njëjtën strategji shmangieje si shokët e qelisë, përmbylli aktin formal të lirimit të të arrestuarve për tragjedinë e Gërdecit. Në të vërtetë, vendimi i djeshëm i Gjykatës së Tiranës për të zbrazur qelinë e të burgosurve për vdekjet e 26 personave, qindra të plagosurve e një dhome të mbushur plot me fashikujt e dosjes së tragjedisë, nuk duhet të ketë habitur askënd. Ai ishte vetëm akti i fundit i një procesi të kompromentuar ende pa nisur e të dominuar nga ping-pongu i mungesave të avokatëve, që suksesshëm shfrytëzuan të çarat nga ku “fut ujë” pa hesap sistemi ynë i drejtësisë.

***

Thuajse tre vjet pas tragjedisë së Gërdecit dhe ende larg daljes me një vendim, Gjykata e Tiranës pranoi dje kërkesën e avokatëve të Mihal Delijorgjit, Ylli Pinarit dhe Sokol Ngjeçit për revokimin e masës së sigurisë nga arresti me burg, në arrest shtëpie. Testi ishte bërë më herët nga i pandehuri tjetër i këtij procesi, drejtori i punishtes së Gërdecit, Dritan Minxolli. Pesë ditë më parë, më 2 shkurt, Gjykata e Lartë i dha fund ngërçit të afateve, që kishin bllokuar për të disatën herë procesin, duke liruar Minxollin. Trupës gjyqësore të kryesuar nga Ridvan Hado, Fatmira Hajdari e Shefkie Demiraj, i mbetej të zbatonte të njëjtën procedurë. Pas kërkesës së avokatëve, gjyqtari Hado tha se të pandehurit duhet të lenë qelitë, pasi për ta kanë përfunduar të gjitha afatet e paraburgimit. “Ndjekja e tyre penale do të vazhdojë, ndërsa ata do të mbahen në arrest shtëpie” - ka thënë gjyqtari Hado. Mësohet se procesi gjyqësor do të vazhdojë deri në shpalljen e vendimit, ndërsa të pandehurit pritet të marrin pjesë në seancat gjyqësore, si edhe më parë. Por vendimi i djeshëm ka shuar përfundimisht shpresat për drejtësi të familjarëve të viktimave të shpërthimit në Gërdec.

***

Punishtja e demontimit të municioneve në Gërdec shpërtheu më 15 mars të vitit 2008, duke shkaktuar vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e qindra të tjerëve. Një ditë pas ngjarjes së rëndë, Prokuroria urdhëroi arrestimin e presidentit të kompanisë “Albademil”, Mihal Delijorgji; kunatit të tij që drejtonte punishten, Dritan Minxolli; dhe ish-drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari. Për këtë ngjarje, Prokuroria e Përgjithshme mori të pandehur ministrin e asaj kohe të Mbrojtjes, Fatmir Mediun dhe 24 zyrtarë ushtarakë dhe civilë, të cilët po gjykohen në gjendje të lirë. Për shkak të imunitetit të Mediut, hetimi voluminoz i Prokurorisë së Përgjithshme iu dorëzua Gjykatës së Lartë, çka nxori mbi tavolinë edhe strategjinë e parë të avokatëve. Në maj të vitit 2009 hetimi pësoi copëzimin e parë mes Gjykatës së Lartë dhe asaj të Tiranës, ndërsa në qershor të 2009-s zgjedhjet e riveshën Mediun me imunitet, duke pushuar çështjen për të në Gjykatën e Lartë. 29 të pandehurit e tjerë do të përballeshin me drejtësinë në një proces që ka shënuar më shumë seanca të shtyra se të zhvilluara, duke u zvarritur pa u ndjerë drejt lirimit të të arrestuarve e një pikëpyetjeje të madhe dështimi, mbi sistemin e drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›