E Diel, 1 Nëntor 2026

Rasmussen: Zgjidhje të paqme për krizën politike

Zgjidhje të paqme për mosmarrëveshjet politike. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, u bëri thirrje dje liderëve politikë në Shqipëri të kontribuojnë në një zhvillim normal të jetës politikë në Shqipëri. “Seriozisht, unë jam i shqetësuar për situatën në Shqipëri. Jam informuar për atë çfarë po ndodh. Sinqerisht, shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetëve. Dënoj fort ushtrimin e dhunës. U bëj thirrje të gjitha partive që të kërkojnë zgjidhje të paqme për mosmarrëveshjet politike. Unë shpresoj se do të shohim një zhvillim normal të jetës politike në Shqipëri. Besoj se dialogu konstruktiv, mes qeverisë dhe opozitës në vend, është rruga e duhur për të ecur përpara”, këmbënguli Rasmussen. I pyetur në konferencën e shtypit, nga gazetarja e “Top Channel”, në lidhje me atë se si duhet të sillet një vend anëtar i NATO-s, Rasmussen u shpreh se “selia qendrore e NATO-s në Bruksel nuk mund të vlerësojë situatën politike brenda një vendi anëtar të sajin”. Ne, tha ai, nuk ndërhyjmë në politikën e brendshme. Rasmussen sqaroi gjithashtu se në anën tjetër pret që të gjitha vendet anëtare të respektojnë parimet themelore, mbi të cilat NATO është themeluar, si liritë e individit, respektimi i të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës, e besoj se të gjitha qeveritë janë në dijeni për këtë, ndaj pres që ky të jetë rasti edhe për Shqipërinë. I pyetur nga një gazetare shqiptare, se çfarë do të ndodhte në Danimarkë, nëse do të vriteshin tre demonstrues dhe nëse autoritetet do të refuzonin të bashkëpunonin për të dënuar përgjegjësit, Rasmussen, i cili ka qenë Kryeministër i Danimarkës, tha se një gjë e tillë nuk do të ndodhte në vendin e tij. “Unë mund t’ju them se ky nuk do të ishte rasti në Danimarkë. Mendoj se është me rëndësi thelbësore, që vendet e vogla të kenë dhe të sigurojnë një konsensus të gjerë për çështjet kryesore politike, veçanërisht për çështje që lidhen me mbrojtjen, sigurinë dhe politikën e jashtme, dhe, në këtë periudhë të vështirë ekonomike, edhe kur shtrohet çështja e bërjes së politikave ekonomike”, insistoi Rasmussen. Nuk do të ndërhyj në politikën e brendshme të Shqipërisë, këmbënguli ai, por u kërkoj të gjitha partive të përfshira që të gjejnë një zgjidhje të paqme, për të kapërcyer mosmarrëveshjet e fundit. Këtë qëndrim, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s e dha gjatë një konference për shtyp, ku njoftoi për ndërtimin e selisë së re të NATO-s, e cila do të kushtojë 1 miliard euro. Shqipëria u bë vend anëtar me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut, prillin e vitit 2009, sëbashku me Kroacinë. Rasmussen ka qenë një ndër personazhet kyç, që u angazhuan për të bindur mazhorancën të hiqte dorë nga nisma për ndryshime në ligjin mbi Shërbimin Informativ Shtetëror. Një telefonatë e Rasmussen me shefin e qeverisë shqiptare do të mundësonte që gjithçka të tërhiqej, duke kërkuar një ekspertizë ndërkombëtare të hollësishme. Pak kohë më parë, teksa klasa politike shqiptare ndodhej në kulmin e luftës politike, Rasmussen vizitoi kryeqytetin shqiptar, por nuk u ndal shumë te çështja e krizës politike. I pyetur nga mediat, nëse ekziston telefonata e tij me kryeministrin shqiptar, ai konfirmoi diçka të tillë. D.M.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›