Berisha: Me shuarjen e Pashko Gjeçit, bota e letrave humbi një korife të punës intelektuale
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në homazhet e mbajtura në Teatrin e Kombëtar, në nder të përkthyesit Prof. Dr. Pashko Gjeçi, ku edhe ngushëlloi familjarët për humbjen e njeriut të tyre të dashur. Në fjalën e tij para mediave, duke lartësuar figurën dhe punën e përkthyesit të shquar, kryeministri Berisha u shpreh: "Përkthimi, bota e letrave dhe mendimit të kombit shqiptar, ndahet sot me njërin prej figurave më të shquara, me një korife të vërtetë të punës intelektuale, me burrin që bëri të flasin shqip kryeveprat e mëdha të letërsisë klasike që përbëjnë dhe bazën e letrave të qytetërimit të sotëm perëndimor. Pashko Gjeçi u nda nga jeta duke lënë prapa një trashëgimi të ndritur, një emër të madhe, emrin e një shqiptari, ndër më të shquarit, e një gjeniu të vërtetë në shqipërimin e veprave kryesore të letërsisë klasike, antike, greke, romake; lë prapa shembullin e ndritur të përkushtimit të njeriut ndaj vlerave, familjes, shoqërisë dhe kombit".Edhe Kryetarja e Kuvendit mori pjesë sot në homazhet e zhvilluara në nderim Pashko Gjeçit. Duke shprehur keqardhjen e thellë për ndarjen nga jeta të Pashko Gjeçit, ajo e vlerësoi atë si gjeniun shqipërues që bëri të flasin shqip kryevepra të letërsisë botërore si “Komedinë Hyjnore” të Dante Aligierit, “Odisenë” e Homerit, “Faustin” e Gëtes, “Hamletin” e Shekspirit, poezitë e Leopardit, e për fat të keq si shpërblim mori në vitin ’47 ndëshkimin më të madh, privimin e lirisë. Duke vlerësuar Pashko Gjeçin si njeriun me talent të rrallë dhe me zemër të madhe shqiptare, zonja Jozefina Topalli tha se shoqëria jo vetëm i mbetet mirënjohëse përjetë, por ka ndaj tij një borxh të pashlyeshëm. Kryetarja Jozefina Topalli tha se Kuvendi do të nderojë këtë figurë të rëndësishme të kulturës shqiptare....