Berisha me Brukselin, Rama me Enverin
“Në politikë, një javë është kohë shumë e gjatë”, thotë Harld Uillson. Por grupi parlamentar i Partisë Socialsite, me gjithë kërkesat e vazhdueshme të Brukselit dhe gjithë faktorit ndërkombëtar, ka afro 20 javë që nuk shkon në Kuvendin e Shqipërisë, për t’ju bashkëngjitur atje debatit dhe vendimmarrjes politike lidhur me përshpejtimin e procesit institucional të integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Kërkesa më e fundit, në këtë drejtim, është ajo e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, e cila pritet të miratojë së shpejti një rezolutë për të dënuar ashpër bojkotin e Kuvendit të Shqipërisë nga opozita socialiste. Projektrezoluta që parashikohet të miratohet më 28 janar të këtij viti është hartuar nga dy raporterët e Këshillit të Europës, të cilët gjatë vitit të kaluar, zhvilluan një vizitë në Shqipëri dhe u njohën nga afër me situatën politike në vend, kryesisht lidhur me masat që po merr qeveria shqiptare në kuadër të liberalizimit të vizave dhe integrimit europian. Konkretisht, në projektrezolutën e përpiluar nga Jaakko Laakso dhe David Uilshire, i kërkohet opozitës që të kthehet në parlament dhe të angazhohet plotësisht në veprimtarinë parlamentare. Projektrezoluta thekson, gjithashtu, edhe ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit 2009, një kërkesë kjo për të cilën qeveria shqiptare dhe mazhoranca janë shprehur kohë më parë të gatshme për ta plotësuar. Në rezolutë nënvizohet fakti se, bojkoti i opozitës ka dëmtuar deri dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, për shkak të mungesës së anëtarëve të opozitës në delegacionin parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë në këtë Asamble. Në këtë dokument të rëndësishëm të Brukselit thuhet se, bojkoti parlamentar i Partisë Socialiste dëmton jo vetëm popullin shqiptar, por edhe vetë aspiratat e vendit për integrimin europian, për shkak të mosfunksionimit normal të institucioneve nga mungesa e dialogut politik. Pra, me pak fjalë, theksohen të gjitha ato mendime e vlerësime, që ka artikuluar lideri demokrat, Prof. Dr. Sali Berisha dhe përfaqësues të tjerë të mazhorancës qeverisëse për bojkotin e opozitës dhe rrugëzgjidhjet e këtij ngërçi politik.Integrimi i plotë i vendit në strukturat euroatlantike duhet të jetë, në mënyrë të padiskutueshme, objektivi dhe përmbajtja filozofike e çdo platforme politike në Shqipërinë e sotme. Deri tani janë bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, duke filluar me nëshkrimin e MSA-së në 2006-ën, anëtarësimin në NATO vitin e kaluar dhe duke përfunduar tek miratimi para pak ditësh i kërkesës së Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, në pritje të plotësimit të pyetsorit të dërguar nga strukturat përkatëse të Brukselit për këtë çështje. Si rezultat i këtyre zhvillimeve pozitive është premtuar që brenda 6-mujorit të parë të këtij viti të bëhet liberalizimi i plotë i vizave për shqiptarët me vendet e Bashkimit Europian. Gjithë këto arritje, që po të kemi parasysh periudhën, jo më shumë se 4 vjeçare, në të cilën janë realizuar, dëshmojnë për punë e përpjekje të jashtëzakonshme të strukturave të shtetit dhe shoqërisë shqiptare drejt realizimit të endërrës së përbashkët europiane, në një terren jo dhe aq të përshtashëm politiko-shoqëror nga pikpamja e eksperiencave të trashëguara. Në mënyrë të veçantë, anëtarsimi në NATO dhe ratifikimi në një kohë rekord i MSA-së, që i hapi rrugë kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, janë me të vërtetë arritje mahnitëse për qeverinë “Berisha 1”, e cila erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të 3 korrikut 2005, duke kaluar një opozitë të vështirë nën pushtetin e socialistëve, për tetë vite rresht, qysh nga 1997-a. Vështirësitë qëndronin në faktin se opozita e asaj kohe nuk kishte mundësi praktike, për shkak të numrit të cunguar të deputetëve dhe të zgjedhurve të tjerë, të cilët rezultonin nga manipulimi në mënyrë të hapur e permanente i të gjitha zgjedhjeve të zhvilluara në periudhën 1997-2005, që të ndikonte në vendimmarrjen e kërkuar lidhur me mjaft çështje të rëndësishme, për shkak të shumicës së cilësuar parlamentare dhe pushtetit hegjemon të socialistëve kudo, në të gjithë strukturat e shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Megjithatë opozita e demokratëve, kur ka qënë rasti i diskutimit dhe mbështetjes së çështjeve kardinale për vendin tonë, lidhur me integrimin e Shqipërisë në strukturat euro-atlantike, ku, si ngjarjen e vetme të asaj periudhe, mund të përmendim çeljen e negociatave për nënshkrimin e MSA-së në janar të vitit 2003, ka qënë gjithmonë në mbështetje, edhe pse në pikëpamjen formale, votat e saj nuk kanë qënë e nevojshme. Por çështjet e lirisë, demokracisë dhe integrimit të shqiptarëve “andej nga lind dielli, në Perëndim?” për liderin e pamposhtur demokrat, Prof. Dr. Sali Berisha dhe të gjithë demokratët e tjerë, asnjëherë nuk kanë qënë një formalitet apo fasadë pushteti, siç ka ndodhur historikisht me kundërshtarët e tij politikë. Ato kanë qënë endërra të bukura, ndjenja, emocione, filozofi politike, krenari kombëtare, misione fisnike; gjithëçka mund të dëshirojë e bëjë një politikan apo qytetar i ndershëm për popullin dhe vendin e tij. Mbi bazën e këtyre parimeve u kërkua qysh në nisje të proceseve demokratike fillimi i reformave dhe anëtarësimi i vendit në strukturat e ndryshme ndërkombëtare, të cilësuara si “imperialisto-revizioniste” nga paraardhësit politiko-partiak të socialistëve. Por siç dihet, një pjesë e mirë e këtyre iniciativave integruese janë penguar e kundërshtuar, herë në mënyrë të drejtëpërdrejtë e herë indirekt, prej ish punistëve të konvertuar në socialistë, në qershor 1991. Këtij qëndrimi “marksist” nuk i shpëtoi as anëtarësimi në Këshillin e Europës në vitin 1995, ku dërgata apo mërgata e socialistëve doli me teorinë e “mollës që ende nuk ishte pjekur”. Faktikisht me standardet e demokracisë dhe treguesit e lartë ekonomiko-shoqëror që ishin arritur në atë periudhë, në të cilën institucionet më prestigjioze ndërkombëtare e vlerësonin Shqipërinë me superlativa të tilla si; “vendi i suksesit suprizë”, “mrekullia shqiptare”, “vendi me rritjen më të lartë ekonomike, krahasuar me të gjithë vendet e tjera të Europës Lindore”, në një shifër 13,3 për qind, etj., “molla”, jo vetëm që ishte pjekur, por ishte gati të binte në tokë nga tejpjekja. Por duke parë, që u injoruan dhe u shëprfillën në këto tentativa të drejtëpërdrejta, për të penguar ecjen përpara të vendit drejt integrimit, filluan me veprime të tërthorta, për ta “marrë kalanë nga brenda”, siç kishin bërë historikisht, duke ndërmarrë veprime amorale dhe antikushtetuese, si ato të prishjes së zgjedhjeve të 26 majit 1996 dhe rrebelimit komunist të 1997-ës. Sidoqoftë po ja lemë të shkuarës gjithë këtë histori negative, të opozitës dhe pushtetit të socialistëve deri në verën e nxehtë të vitit 2005, duke e justifkuar, sa me etjen e pakontrolluar për pushtet të pamerituar, aq dhe me mosreformimin apo mosshkëputjen e duhur prej efekteve të trashgimisë komuniste, por nuk mund të vazhdojmë ta justifikojmë një qëndrim të tillë edhe tani pas afro 20 vitesh demokraci. Në mënyrë të veçantë nuk mund të justifikohen qëndrimet e socialistëve pas ndryshimit të lidershpit të saj, që u diktuan nga dorëheqja e liderit historik Fatos Nano dhe ardhjes në krye të PS-së të Edvin Ramës, tek i cili shpresohej sjellja e një mendësie të re politike në këtë parti. Por nën udhëheqjen e Ramës, Partia Socialiste u bë më “komunisto-puniste” se sa kishte qënë nën drejtimin e Fatos Nanos, i cili ishte i përzgjedhuri dhe i besuari i komunistëve fanatikë për të zbatuar “Perestrojkën” shqiptare në fillim të viteve ’90. Megjithatë në realitet rezultoi e kundërta, edhe për shkak se lidhet e Nanos me të shkuarën komuniste të PS-së ishn më shumë morale, ndërsa lidhjet e Ramës janë shpirtërore dhe farefisnore. Pra, në një farë mënyre, Edvin Ramën nuk e thërret morali politik por gjaku njerëzor të “mendojë, punojë, jetojë e vigjilojë si revolucionarë në rrethim”.Shkencëtari i shquar, Albert Ajnshtajn thotë: “Bota është vend i rrezikshëm për të jetuar, jo për shkak të njerëzve që veprojnë si djalli, po për shkak të njerëzve që nuk bëjnë asgjë për këtë”. Nëse perifrazojmë Ajnshtajnin do të thoshim që, Partia Socialiste po bëhet një forcë e rrezikshme për integrimin, jo për shkak se Edvin Rama vepron si djall, por nga që pjesa tjetër e socialistëve janë pajtuar me një realitet të tillë. Të bojkotosh sot parlamentin, kur na janë hapur të gjithë dyertë e Brukselit do të thotë të bojkotosh integrimin dhe të preferosh izolimin si në kohën e “socializmit të parë” të shqiptarëve, që u shtri për më shumë se 45 vjet rresht, qysh nga 1944-a. S’ka gjë më të rëndë për një forcë politike që ndërkohë që i kërkohet të hyjë në parlament e të jap kontributin për integrimin e plotë të vendit në Bashkimin Europian, të merakoset për inventarizimin e dëshmorëve të luftës. Ky ka qënë preokupimi kryesor i gazetës “Zëri i Popullit” gjatë dy ditëve të fundit, duke arritur në konkluzionin se ata kanë qënë më shumë se 28 mijë (!?),. Edvin Rama po e shfrytëzon për keq avantazhin demokratik të zgjedhjeve të lirë e të ndershme të 28 qershorit 2009, që i dhuori plotë 64 deputetë, të cilët në vend që të vijnë në parlament bredhin rrugëve dhe sillen përqark selisë rozë duke dhënë konferenca shtypi. Të kesh numrat e nevojshëm të deputetëve për të bërë opozitë konstuktive e imponuese dhe të kesh fobi nga institucionet kushtetuese, do të thotë të abuzosh me demokracinë. Dhe kjo nuk është papjekuri politike, sikundër e akuzojnë ndërkombëtarët Edvin Ramën, por eksperiencë komuniste që synon të na kthejë kohën e të perënduarëve dhe jo të na shtyjë drejt Perëndimit......