Një ritëm i ri për integrimin e njerëzve me ngjyrë në strukturat e shtetit shqiptar
"Askush nuk mund tё kalёrojë mbi kurrizin tёnd nёse ti nuk pёrkulesh" - Martin Luter King81 vjet më parë lindi në Amerikë dr.Martin Luter King. Duke marrë mbi vete misionin e madh historik për t’i udhëhequr turmat milionëshe të njerëzve me ngjyrë, ai i dha drejtimin e duhur lëvizjes qytetare amerikane, duke e shndërruar kësisoj mllefin shekullor të vuajtjeve e segregacionit racist, në një lëvizje të qartë e të fuqishme në mbrojtje të të drejtave dhe lirive qytetare. Stofi i këtij njeriu multidimensional, ishte aq i shkëlqyer e i papërsëritshëm, sa ai jo vetëm arriti t’i faktorizojë këto shtresa të mëdha të popullit amerikan, por dhe ta kthejë nga e mbara uraganin e forcës dhe të energjive që rrokte brenda saj kjo lëvizje, duke i dhënë kësisoj vetes së tij një vend të merituar në altarin e njerëzve që kontribuan në bërjen e kombit amerikan. Si mjeshtër i madh i fjalës dhe i veprimit, Martin Luter King nuk u ndal dhe as u step për asnjë çast të vetëm, edhe kur atij iu tregua qelia e burgut. Jeta dhe vepra e tij janë shkollë për miliona njerëz në të gjithë botën, janë burim frymëzimi për njerëzit me ngjyrë në të gjithë botën, pasi ato vazhdojnë t’u ndriçojnë udhën miliona të tjerëve që akoma enden në kalvarin e përbuzjes, të mosrespektit e mënjanimit veç për shkak të ngjyrës. Pavarësisht se ne ballkano-egjiptianët jetojmë prej dhjetra shekujsh në këtë vend të mrekullueshëm dhe të bekuar nga Zoti, që quhet Shqipëri, mund të thëmi me plot gojë që ka plot gjëra që nuk shkojnë në rrjedhën normale, e që sigurisht duhen ndrequr sa më shpejt dhe me një përkushtim e vetëdije të karakterit moralo-politik. Shoqata ballkano-egjiptiane “Nefreta” e themeluar qysh në vitin 1997, ka pasur dhe ka në qendër të saj pikërisht prezantimin e të gjithë problematikës që shfaqet te ky komunitet në mardhëniet e tij me shtetarët dhe politikanët shqiptarë, të cilët në mënyrë të heshtur vazhdojnë të jë jenë indiferentë në njohjen dhe zgjidhjen e kësaj kreaturë që e ka mbërthyer fort këtë shtresë të shoqërisë. Mund të themi pa frikë se përpjekjet e deritanishme janë aq të vakta dhe të cekta sa nuk ja vlen as të merren në analizë. Dhe kjo ndasi që ekziston realisht, dhe që bëhet e thekshme në aspektet e integrimit ekonomiko-politik. Komuniteti ballkano-egjiptian është krejt i harruar, gati- gati i përbuzur nga shtetarët. Ne besojmë se është koha t’i themi gjërat hapur, fort dhe pa ndrojë. Viti 2010 është shpallur nga komuniteti ballkano-egjiptian si vit i sfidës kundër dallimit dhe diskriminimit racial në Shqipëri. Ky nuk është thjesht një sllogan, pra një parullë butaforikë a një tollumbace e hedhur në erë, por një angazhim i madh dhe konkret, me një platformë të qërtë, të detajuar e gjithëpërfshirëse. Dukuria e diskriminimit racial është e prekshme, konkrete dhe që shtrihet në fushat më kryesore të jetës si: në atë ekonomike dhe politike. Ai është i kudondodhur në politikëberjen dhe administratën e shtetit shqiptar, pasi mendësia e veçimit për shkak te ngjyrës është ngjizur thellë në të gjitha veprimet e politikanëve dhe pushtetarëve të postdiktaturës. Por është po kaq e vërtetë, ndonëse e hidhur, që gjatë këtyre njëzet vjetëve të zhvillimeve demokratike në vend, problemi i integrimit të shtresave me ngjyrë ka mbetur në vend. Po të shohim përfaqësimin në forumet e partive politike te cdo lloj spektri, vërejmë se nuk ka asnje njeri me ngjyrë! Dhe as që bëhet fjalë për fuksionarë politikë. Kjo sjellje, më pas pasqyrohet edhe ne administratën shtetërore e vazhdon deri në Këshillat e Bashkive e të Komunave. Duke u mënjanuar kësisoj, vërtetë që ndihemi keq. Politikanët shqiptarë përpara ca kohëve bënë edhe një ligj, ku vunë kuota për perfaqesimin e grave në parlament e më gjerë, por asgjë nuk u tha nëse duhet të përfaqesohen edhe gratë me ngjyre. Ky diskriminim i shtrin tentakulat e tij të kobshme edhe në administratën e shtetit e zbret deri në njësitë vendore. Këto “standarde” me shqetesojnë mua dhe të gjithë shqiptarët me ngjyrë. Për më tepër, një shoku i dikurshëm në fakultet, që drejton sot partinë më të madhe të opozitës dhe Bashkinë e Tiranës jo vetëm që nuk ofron në zyrat e Bashkisë e partisë njerëz me ngjyrë, por sillet ndaj tyre si tiran. Ai, në mënyrë të hapur e ka vulosur veten si racist i pashembullt kur shperdoron në mënyrën më brutale pushtetin, duke u prishur pa asnjë shkak të ligjshëm shtepite dhjetra qytetareve me ngjyre, paçka se ato disponojnë tapi të kohës së paradiktaturës. Me një zell cmendurak i flaku në rrugë dhe për më tepër urdheroi policët e Bashkise t’i rrahin e t’i masakrojne. Ne kete rast vetem ngjyra e njerezve ishte motivi i vertete qe e beri zoterin e tij të veshë mantelin e “Ku Klus Klanëve” të shekullit XXI dhe te dale nga petku i kryebashkiakut, që në perputhje me ligjet dhe normat e percaktuara per pushtetin vendor ka për detyrë të bëjë të kundërtën, t’i strehojë qytetarët. E pra ata ishin qytetarë shqiptarë, dhe supertaksat e vëna prej tij i derdhnin ashtu si të tjerët në arkën e Bashkisë. Racizmi këtu nuk është përrallë, por një e vërtetë e hidhur. Këtë e pohon në një intervistë të tij edhe shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare, kur thote: “Ne jemi përgjegjës te drejtpërdrejtë, për racizmin antishqiptar. Ne jemi vete raciste”. Por ajo që na intereson të dimë sot është: A ka vend ne programin e Qeverisë “Berisha 2”, integrimi i njerezve me ngjyre? Pyes natyrshëm për të dytën qeveri, se në katër vitet e kaluara pame vetëm heshtje. Qeveria Shqiptare duhet të planizojë dhe të hartojë politika të tilla që të jenë përfshirëse dhe realisht të prekshme, për të bërë kështu “detyrat e shtëpisë” në kuadrin e implementimit të Konventës Nderkombetare për Eliminimin e te gjithe formave te diskriminimit racial ndaj njerezve me ngjyre ne Shqiperi. Besojmë se alarmi ynë do te bjerë dhe në veshët e “atyre” që drejtojnë sot Shqipërinë, qoftë në pushtetin qendror apo lokal. Duke besuar te Zoti dhe vullneti i mirë i Amerikës , te ëndrra e të gjithë njerëzve me ngjyrë që luftojnë kudo në botë për liri, barazi dhe integritet, duke qenë se vendi ynë tashmë është më afër se kurrë për t’u ulur në tryezën e vendeve dhe kombeve të qytetëruar europiane, ne do ta kthejmë vitin 2010 në një vit të sfidës së vërtetë për eliminimin e diskriminimit racial dhe fundin e segregacionit politiko-ekonomik në Shqipëri. Integrimi i plotë i shtresave me ngjyrë i bën mirë Shqipërisë për t’u pranuar sa më parë në Europë....