E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debati, KLD e gjyqtarët, kundër ligjit për administratën gjyqësore

Ligji për administratën gjyqësore është kundërshtuar ashpër nga disa gjyqtarë, krerë gjykatash apo dhe anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ky ligj, si dhe ligji për Gjykatën Administrative, është diskutuar në një takim konsultativ mes gjyqtarëve në rrethe dhe anëtarëve të KLD-së, mbledhje që nisi paraditen e djeshme dhe ka vijuar mes debatesh e replikash mes kundërshtuesve të ligjit dhe ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, përgjatë 4 orëve të mbledhjes. Gjatë diskutimit është nënvizuar fakti se tre nene të ligjit për administratën e gjyqësorit cenojnë pavarësinë e gjykatës, ndërkohë që ngrenë në qiell funksionin e kancelarit të gjykatës. Sipas gjyqtarëve, këto nene i japin pushtet ministrit, duke lënë në hije kryetarët e gjykatave që pas ndryshimeve marrin vetëm rol vëzhgues në administrimin e gjykatës. Sipas gjyqtarëve, ndryshimet bëjnë që administratat e gjykatave të vihen nën kontrollin e ministrit dhe nuk arrihet të përcaktohet bashkërendimi i punës mes kancelarit dhe kryetarit të gjykatës. Sipas ministrit Alibeaj, ky është një ligj i mirë. Ndërsa lidhur me ngritjen e Gjykatës Administrative, sipas ministrit, është ndjekur nga USAID-i, i cili do asistojë ngritjen konkrete të këtyre gjykatave. Sipas nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, tjetër gjë është të bësh ligj e tjetër ta implementosh atë, pasi është e vështirë të vihet në praktikë. Lidhur me ligjin për administratën gjyqësore, sipas ministrit Alibeaj, ligji ka pasur konsultime me grupet e interesuara. “Prej 21 gushtit duhet ta kishit parë ju të KLD-së këtë ligj, por s’ka gjë, më mirë vonë se kurrë. Drafti i rregulloreve brenda gjykatave është gati dhe është metodë mjaft e mirë”. Debati ka vijuar më tej, kësaj radhe me kontestimet që kanë për këtë ligj krerët e gjykatave. Sipas kryetarit të Gjykatës së Tiranës, kryetari i gjykatës duhet t’i drejtohet ministrit të Drejtësisë nëse sheh shkelje të kancelarit. “Shqetësimi ynë është, kush do zbatojë urdhrat e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ne apo kancelari? Dhënia e kompetencave neve, njësoj si t’i jepen gjykatës. Nëse kancelari nuk zbaton urdhrin, do t’i drejtohemi ministrit?”. Më tej e ka marrë fjalën kryetari i Gjykatës së Vlorës, Artur Malaj, i cili ka qenë mjaft i ashpër dhe i drejtpërdrejtë lidhur me kontestimet rreth ligjit për administratën gjyqësore. “Kemi të bëjmë me një ligj që shkel pavarësinë e tij. Pavarësia financiare është shkelur, pasi është lënë jashtë këtij procesi. Ekzistojnë me këtë ligj dy struktura paralele, ajo administrative dhe kryetari formal pa asnjë kompetencë”, - është shprehur z. Malaj. Pas këtij deklarimi ka reaguar ministri Alibeaj, i cili është shprehur se “ligji për administratën gjyqësore rregullon statusin e administratës, jo vetëm praktikisht, por edhe teorikisht. Nuk shkelim asgjë, as pavarësinë, veçse rriten pagat dhe rregullohet statusi i punonjësit të administratës”. Pas ministrit ka marrë fjalën anëtari i KLD-së, Armando Subashi, i cili është shprehur se “ky është një projekt i munguar në kohë. Ajo që ka çaluar ka qenë dhe statusi i administratës gjyqësore. Ky projekt ka arritje, sepse i ka barazuar nëpunësit e administratës gjyqësore me nëpunësit civilë. Megjithatë, struktura duhet përcaktuar nga vetë ligji dhe jo nga ministri. Ajo që na shqetëson janë nenet 4, 5, 6, të cilat na shqetësojnë për pavarësinë e gjykatave”. Mbledhja ka përfunduar në orët e mesditës dhe është vendosur që KLD-ja të mblidhet sërish javën e ardhshme, ditën e premte, për të dalë me konkluzione dhe mendime nga grupi i interesit lidhur me ligjin për administratën gjyqësore, që do t’i bëhen të ditura Komisionit të Ligjeve, që po shqyrton këtë projektligj.

Enkelejd Alibeaj, ministri i Drejtësisë

“Ligji për administratën gjyqësore rregullon statusin e administratës, jo vetëm praktikisht, por edhe teorikisht. Nuk shkelim asgjë, as pavarësinë, veçse rriten pagat dhe rregullohet statusi i punonjësit të administratës”.

“Prej 21 gushtit duhet ta kishit parë ju të KLD-së këtë ligj, por s’ka gjë, më mirë vonë se kurrë. Drafti i rregulloreve brenda gjykatave është gati dhe është metodë mjaft e mirë”.

Artur Malaj, kryetari i Gjykatës së Vlorës

“Kemi të bëjmë me një ligj që shkel pavarësinë e tij. Pavarësia financiare është shkelur, pasi është lënë jashtë këtij procesi. Ekzistojnë me këtë ligj dy struktura paralele, ajo administrative dhe kryetari formal pa asnjë kompetencë”.

Armando Subashi, anëtar i KLD-së

“Ky është një projekt i munguar në kohë. Ajo që ka çaluar ka qenë dhe statusi i administratës gjyqësore. Ky projekt ka arritje, sepse i ka barazuar nëpunësit e administratës gjyqësore me nëpunësit civilë. Megjithatë, struktura duhet përcaktuar nga vetë ligji dhe jo nga ministri. Ajo që na shqetëson janë nenet 4, 5, 6, të cilat na shqetësojnë për pavarësinë e gjykatave”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›