E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Mediat më të lira se 4 vjet më parë

 

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje në ditën botërore të gazetarëve se mediat në Shqipëri janë më të lira se katër vjet më parë. Në një njoftim për shtyp të zëdhënëses së kryeministrit, Juela Meçani theksohet se gjatë këtij katërvjeçari të qeverisjes së Partisë Demokratike nuk është shënuar asnjë penalizim për gazetarët, pavarësisht shkrimeve të tyre. “Në 3 maj, Ditën Botërore të Gazetarëve, Kryeministri i Shqipërisë, zoti Sali Berisha shfrytëzon rastin për t’ju përcjellë të gjithë gazetarëve shqiptarë urimet e tij më të mira dhe për t’i garantuar ata se qeveria shqiptare është dhe do të mbetet tërësisht e përkushtuar për respektimin e plotë të lirive të mendimit dhe të shprehjes si liri themelore për një komb dhe një shoqëri”, thuhet në njoftimin për shtyp. Sipas Meçanit “Këto 4 vite ishin vitet e dimensionit më të lartë të lirisë së mendimit në Shqipëri, vite në të cilat asnjë gazetar nuk u ndoq dhe nuk u penalizua për botime apo shkrime dhe nuk u përball me asnjë presion të qeverisë për politikat e tij editoriale”. Por sipas kreut të qeverisë mediat kanë ende probleme. “Por përsëri liria e mendimit në Shqipëri përballet me problemet e veta serioze, në mënyrë të veçantë me presionin e interesave të grupeve të caktuara politike dhe ekonomike, të cilat së bashku me ju do të mundet t’u japim përgjigje ligjore në përmasa më të mëdha në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›