“Ju rrëfej kafen e fundit të Xhindit në lokalin tim, djali i shpëtoi se u fsheh”
“Ju rrëfej kafen e rakinë e fundit të Xhindit para vrasjes”
Nga i dërguari ynë, Ferdinand Dervishi
“Ja këtu në këtë karrige, në këtë pozicion, me fytyrë nga fshati i lindjes, piu kafenë e rakinë e fundit të jetës Fatmiri. Vetëm 10-15 minuta më pas e vranë...” Njeriu që rrëfen quhet Bujar Kuka dhe është pronari i një lokali të njohur në fshatin Kurjan, vendosur ndanë rrugës në një pozicion dominues. Deputeti kishte ndalur në lokalin e Bujarit, i kthyer aty rreth orës 20:30 nga puna për pastrimin e një parcele ullinjsh në pronësi të tij. Një parcele ullinjsh, të cilëve në emër të jetës, në emër të vazhdimësisë, u bënte shërbim prej gati 9 vitesh. Si të ishte në shtëpinë e vet, Xhindi ishte ulur në tavolinën e dytë në radhë që gjendej jashtë lokalit, mes gjelbërimit, duke porositur kafen dhe rakinë e fundit. Pak çaste më pas ishte rrethuar nga bashkëfshatarët e të njohurit, të cilët gjithmonë e kishin për kënaqësi shoqërinë e deputetit. Në këtë moment e kishte vënë re edhe i zoti i lokalit, Bujari, që ishte shkëputur një moment nga puna ta përshëndeste. I përhumbur mes punëve të shumta të bar-it dhe restorantit, pronari ishte shkundur nga kjo tollovi vetëm rreth 45 minuta apo një orë më pas, kur një i njohur e kishte marrë në telefon për t’i treguar për vrasjen. Një bisedë që Bujari e kishte nisur me fjalë kundërshtuese: Nuk ka asnjë mundësi... Para një çerek ore e kisha këtu, në lokal...
Zoti Bujar, mësuam se deputeti Fatmir Xhindi ka qenë në lokalin tuaj para se të kthehej në shtëpinë e vet në qytezën e Roskovecit, ku e qëlluan. A ishin ju në lokal në këto çaste?
Po, ishte në lokalin tim aty rreth orës 20:00 të mbrëmjes. Qëndroi rreth një gjysmë ore apo diçka më shumë. Kishte porositur një kafe dhe një raki, kur e vura re dhe shkova ta përshëndesja. Ishte ulur ja këtu, ku jeni ulur edhe juve, me fytyrë nga rruga. Në të njëjtën tavolinë u bashkuan edhe bashkëfshatarë tanët, përfshirë vëllain tim, që më ndihmon këtu në lokal.
Cilët ishin njerëzit me të cilët konsumoi bisedat në tavolinë? A vutë re ndonjë debat?
Asnjë debat. Absolutisht asgjë e ngjashme. Njerëzit ishin bashkëfshatarë tanët që shkuan të takonin deputetin, të pinin një kafe me të. Sepse ai nuk vinte përditë në lokal. Pra ishin ata që u gjenden rastësisht në lokal dhe në afërsi të tij. Ne e kishim për nder që ai na vinte në lokal. Jam gati të dëshmoj gjithë jetën se njerëzit që u bashkuan në tavolinën e tij, u bashkuan prej respektit që ndienin për deputetin. Kujtoj se biseda ishte e këndshme madje, prandaj Fatmiri qëndroi për gati një orë.
Ku kishte qenë Fatmiri para se të vinte në lokal? A ishte i qetë?
I qetë na u duk. Ishte i veshur sportiv, pasi kishte qenë te parcela e ullinjve që ka në pronësi të tij. Kishte pastruar barin poshtë tyre. Dikush më tha se e kishte parë me kosë në duar.
Kur mësuat për vrasjen?
Nuk kishte kaluar shumë nga ikja e deputetit. Ai iku i vetëm me makinën e vet, një fuoristradë. Mbase 40 minuta, mbase një orë më pas më morën miq të mi nga Roskoveci dhe më thanë se deputetin e kishin vrarë. Nuk u besova, pasi vetëm pak kohë më parë e kisha në lokal. Por nuk besova edhe për faktin se Fatmiri gëzonte emër të mirë te të gjithë. Ai ishte nga ata njerëz që u provuan. Ne këtej kemi një shprehje të urtë: Njeriu provohet kur hipën në pushtet dhe kur bëhet zengjin. Sepse Fatmiri nuk ndryshoi edhe pse u bë deputet. Ishte rast i rrallë. Këtu në zonë i ka ndihmuar që të gjithë me sa ka pasur mundësi.
Xhindi, mijëra vetë përcjellin deputetin
ROSKOVEC / MAJLINDA RAMA
Një ceremoni madh-ështore, e zhvilluar në zonën ku u lind e u rrit. Mijëra vetë kanë kryer homazhe në nder të bashkëqytetarit të tyre, deputetit 49-vjeçar, Fatmir Xhindi, i cili humbi jetën mbrëmjen e së shtunës në një ekzekutim makabër.
Të afërm të familjes Xhindi përgjatë gjithë natës kanë vajtuar në shtëpinë e të ndjerit, ndërsa mëngjesi ka qenë akoma më i dhimbshëm për ta. Ngushëllues të panumërt kanë pritur e përcjellë bashkëshortja e Fatmirit, tre djemtë e tij, motrat e vëllezërit e shumë të afërm të tjerë. Edhe pse në momentet e para të krimit ata kanë qenë tejet të irrituar, të tronditur nga çfarë kishte ndodhur, ditën e djeshme pikëllimi kishte zënë rrënjë në shpirtrat e tyre. Lodhja ka pushtuar gjithçka e zia ka dominuar gjithkund. Një qytet i tërë i veshur në zi, një zi që i ka shoqëruar të gjithë. Jo vetëm familja e të ndjerit Xhindi, por edhe qytetarë të shumtë të Roskovecit kanë përjetuar çaste hidhërimi teksa trupi i pajetë i 49-vjeçarit ka përshkuar rrugët e qytetit. Mes turmave me njerëz, shumë kërkonin të gjenin motivet që e kanë çuar autorin drejt vrasjes së deputetit. Mes tyre qytetarët donin të gjenin shkaqet, ato shkaqe që kanë mbetur mister edhe nga policia e specialistët e kriminalistikës. Edhe pse kanë kërkuar një përgjigje, askush nuk e ka dhënë atë e vaji e lotët nuk kanë pushuar. Mes pëshpëritjeve me njëri-tjetrin nga bashkëqytetarët e Fatmir Xhindit dje nuk kanë munguar edhe deklarime të tilla si një vrasje e mundshme për motive pronësie për hir të ndonjë sipërfaqe toke. Gjithsesi këto kanë qenë sekuenca fragmentale mes të pranishmëve, pasi askush nuk ka parapëlqyer të dalë mbi pëshpëritjet, duke i lënë vetëm në kuadrin e hamendësimeve.
Me qindra qytetarë kanë shoqëruar trupin e pajetë të Xhindit që nga moment që ai doli nga banesa e tij e deri kur mbërriti në Pallatin e Kulturës, në Roskovec. Familjarët vendosën që homazhet të kryheshin pikërisht këtu e jo në Parlament, në të cilin ai ishte i pranishëm si i zgjedhur i popullit për 12 vite rresht.
Ka qenë kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ai që ka mbajtur edhe fjalën e rastit, duke portretizuar Xhindin si deputetin që do t’i mungojë parlamentit, si prindin që do t’i mungojë familjes, e si njeriun e mirë që të gjithë do ta kujtojnë gjithmonë. Pas fjalës së Ramës, me qindra qytetarë, drejtues të institucioneve vendore, deputetë, të afërm e familjarë të Xhindit kanë vendosur kurora me lule mbi arkivolin e deputetit, ndërkohë që jashtë godinës së pallatit të kulturë turma e njerëzve ishte tepër e madhe. Kur turpi i pajetë i 49-vjeçarit ka dalë nga godina, krerë të këshillit bashkiak komunikuan dhënien e titullit “Qytetar nderi”, pas vdekjes. Të pranishëm në këtë vaj që ka pushtuar qytetin e Roskovecit kanë qenë të gjithë deputetët e parlamentit shqiptar, pa dallime partiake, që nga presidentit, kryeministri, kryetarja e Kuvendit e deputetë. Kurora me lule janë vendosur edhe nga drejtues të njësive vendore të qarkut. Rreth orës 15:30, me lot, psherëtima dhe dhimbje kanë shoqëruar me mijëra qytetarë kortezhin, i cili si rrallëndonjëherë ka bllokuar gjithë rrugët nga Roskoveci në Kurjan, vend ku u bë edhe varrimi i deputetit. Në orën 16:00, trupi i pajetë i 49-vjeçarit është përcjellë për në banesën e fundit në një lamtumirë të thellë e të dhimbshme nga të gjithë. Arkivoli me trupin e Xhindit është ulur nga deputetët e Partisë Socialiste si dhe të afërm të deputetit Xhindi. Ndërsa zhvillohej ceremonia mortore, të gjithë politikanët e qytetarët e thjeshtë kërkuan njëzëri gjetjen e autorëve të kësaj ngjarjeje, duke theksuar se drejtësia duhet të dominojë mbi krimin.
“Në emër të familjes dhe një herë u bëjmë apel organeve të drejtësisë që të zbardhin sa më parë këtë ngjarje të rëndë”, pohuan familjarët që lexuan fjalët e fundit për Fatmirin, duke kërkuar dhe një minutë heshtje para lamtumirës.
Xhindi, “Qytetar Nderi” në Roskovec
ROSKOVEC - Këshilli i Bashkisë së qytetit të Roskovecit është mbledhur ditën e djeshme, herët në mëngjes për të nderuar deputetin me titullin më të lartë “Qytetar nderi”. Ishte një nga përfaqësueset e Këshillit, ajo që e komunikoi këtë vendim unanim të këshilltarëve. “Të nderuar bashkëqytetarë të Roskovecit. Ju dhe mbarë opinioni shqiptar u tronditët nga kjo që na ndodhi, një ngjarje e rëndë dhe kriminale. Ju humbët njeriun e nderuar e të respektuar, të thjeshtë e të dashur. Për ta shlyer këtë mirësi dhe fat që na kishte dhënë zoti të kishim pranë këtë njeri ne kemi vendosur si këshill t’i japim titullin Qytetar Nderi pas vdekjes. Motivacioni është: Për vlera qytetare, për kontribut të çmuar në zhvillimin e komunitetit, për kontributin e palodhur të dhënë në parlamentin shqiptar për tre legjislatura të pandërprera si përfaqësues i zonës elektorale numër 68”.
“Fatmiri nuk e la qytetin dhe pse u zgjodh deputet”
E ndërsa zia ka pushtuar të gjithë qytetin e Roskovecit, vetë bashkëqytetarët të deputetit Xhindi kanë treguar se si e kanë njohur njeriun e tyre, atë që kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar në kuvendin e Shqipërisë. Thëllëza Kuka tregon për gazetën se është rritur me deputetin Fatmir Xhindi.
Si e keni njohur ju Fatmir Xhindin?
Fatmiri ka lindur në fshatin Kurjan. Ai u rrit e më pas u dërgua për studime. Ishte një njeri i mirë që nuk prishi kurrë fjalë me të tjerët, madje edhe me fëmijët e vegjël. Fatmiri ishte një njeri i mirë, jo vetëm për shoqërinë e tij, por për të gjithë popullin. Ai punoi e luftoi për këtë vend, por një dorë makabër i preu jetën në mes. Ishte një njeri i veshur me pushtet që e donte popullin dhe e respektonte atë.
Të gjithë e kanë njohur Fatmirin si një njeri të respektuar në të gjithë zonën. Ju, i e komentoni këtë që ndodhi pikërisht këtu, në vendin ku u rrit?
E respektojmë Fatmirin e do të vazhdojmë ta bëjmë edhe tani që ai ka ndërruar jetë. Të gjithë e dinë se çfarë njeriu ishte, sa zemërmirë e i respektuar. E dënojmë këtë që ndodhi e duhet që menjëherë të vendoset drejtësi. Policia, shteti e të gjitha organet kompetente duhet të angazhohen në maksimum për të gjetur autorin e kësaj vepre të shëmtuar. E vranë në derën e shtëpisë, në atë shtëpi nga e cila nuk u largua kurrë. Këtu duket dhe thjeshtësia e Fatmirit, që edhe pse i zgjedhur deputet, vazhdoi të jetonte në një shtëpi modeste, bashkë me gruan e fëmijët e tij, që tashmë kanë mbetur jetim.
Ju personalisht sa kohë keni që e keni takuar Fatmirin?
Unë personalisht banoj në Patos dhe kam pak kohë që nuk e kam takuar. Kur mora vesh lajmin e vrasjes së Fatmirit u hidhërova shumë, pasi nuk e besoja që një gjë të tillë t’ia bënin pikërisht atij. Duhet që patjetër të gjenden autorët, nuk duhet lënë një vepër e tillë të mbetet mister.
Pse mund ta kenë vrarë?
Nuk e di se përse mund ta kenë bërë diçka të tillë. Mirësia e tij nuk mund të shpërblehej në këtë mënyrë.
Zbulohen 4 pistat e vrasjes së deputetit
Trazhgim Sokolaj
Pas rreth 16 orësh hetime paraprake rreth vrasjes së deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi, policia dhe Prokuroria ngritën pistat e para të ngjarjes. Autoritetet kanë qenë të rezervuara dje gjatë gjithë ditës derisa në ora 19:00, në mënyrë zyrtare është konfirmuar se janë ngritur pistat e para për shkaqet dhe autorët e mundshëm të atentatit. Burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, thanë se Kryeprokurorja Ina Rama, drejtori i Hetimit Sokol Stojani, drejtues dhe prokurorë të Krimeve të Rënda, kreu i policisë Ahmet Prençi, zv/drejtori i policisë së Fierit dhe anëtarët e grupit të hetimit, për më se tri orë kanë analizuar provat dhe informacionet e mbledhura për ngjarjen. Analiza ka filluar në orën 14:00 dhe është mbyllur në 15:30, pasi janë marrë në shqyrtim të gjitha provat e grumbulluara që nga mbrëmja e së shtunës. Është analizuar akti i autopsisë mbi vdekjen e deputetit, raporti mbi vend-ngjarjen dhe provat e sendet e gjetura aty, deklarimet e rreth 15 personave të pyetur për krimin dhe për lëvizjet e deputetit si dhe informacionet e marra në rrugë operative nga policia dhe Shërbimi Informativ. Në përfundim të analizës burimet zyrtare të Prokurorisë thanë se janë ngritur pistat e para për ngjarjen. Zyrtarët kanë vendosur verifikimin e këtyre pistave dhe hetimi në këto drejtime me qëllim zbulimin e shkaqeve dhe autorëve të atentatit ndaj deputetit Fatmir Xhindi.
Katër pistat
Pista e parë e cila po hetohet është mundësia e vrasjes për shkak të detyrës së deputetit. Ky version i cili ende nuk është rrëzuar, si dhe cilësitë e vetë viktimës së ngjarjen, u bënë shkak që Prokuroria e Krimeve të Rënda të merrte në dorë hetimin e ngjarjes, pasi ajo është kompetente për “vrasjet për cilësi të veçanta”. Pista e dytë, e cila duket më kryesorja është ajo që lidhet me një konflikt të mundshëm pronësie i deputetit socialist. Së paku tre persona nga zona e Roskovecit dhe nga fshati Kurjan janë piketuar tanimë për pretendime pronësie jo vetëm mbi tokën e ullishtave, që deputeti kishte pronë të vetën në këtë zonë, por edhe mbi disa troje të kthyera sipas ligjit 7501. Xhindi ka qenë deputet në këtë zonë kur tokat u ndanë me ligjin e mësipërm çka nuk përjashton mundësinë e pakënaqësive nga banorë të lokalitetit. Pista e tretë në të cilën po hetohet, një pistë kjo e mbështetur më shumë nga policia, lidhet me problemet personale të deputetit ku përfshihen edhe episode intime, të cilat janë mbajtur të rezervuara nga hetuesit. Versioni i katërt në hetim është ai i një sherri apo incidenti të ditës së fundit që mund ti ketë ndodhur Fatmir Xhindit. “Është hetuar dhe po hetohet hollësisht mbi aktivitetin e ditës së djeshme dhe më parë të viktimës”, tha zëdhënësi i policisë së shtetit dje në mesditë. Ai ka konfirmuar në këtë mënyrë pistën e katërt, e cila u zyrtarizua disa orë më vonë pas analizës së dosjes zhvilluar në Prokurorinë e Fierit, në praninë e drejtuesve më të lartë të organit të akuzës dhe policisë së shtetit.
Cilësia deputet
Pista e parë që po hetohet nga policia dhe Prokuroria është vrasja e Fatmir Xhindit për shkak të cilësive të veçanta të deputetit. Mundësia e ekzekutimit për shkak të detyrës së viktimës si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, sipas hetuesve, është apriori një variant që duhet të verifikohet deri në fund. Fakti i të qenurit deputet, si dhe të dhënat që tregojnë se ekzekutori mund ta ketë njohur viktimën derisa ka pritur në afërsi të banesës së tij, tregojnë se autori i krimit ka qenë në dijeni të cilësisë së Fatmir Xhindit si deputet i Kuvendit në momentin kur ka kryer vrasjen. Për këtë shkak, kjo është një nga pistat kryesore të ngritura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Pronësia
Mosmarrëveshjet e mundshme për çështje të pronësisë mbi tokat në fshatin Kurjan, janë mes pistave kryesore që po hetohen për vrasjen e deputetit. Mësohet se më pari ai ka qenë edhe kryetar komune në këtë zonë, dhe veç pronës së tij, ka qenë institucionalisht i angazhuar në procesin e ndarjes dhe nënshtrimit të tokave bazuar në ligjin 7501. Policia ka të dhëna për të paktën tri raste të pretendimeve të pronësisë. Këto raste mësohet se nuk kanë të bëjnë vetëm me ullishtet, që kishte në pronësi të tij deputeti por edhe me toka të tjera në zonë, të cilat janë kthyer dhe administruar sipas ligjit 7501 gjatë 10-vjeçarit të fundit në rrethin e Fierit.
Personale
Kjo është një nga pistat delikate për të cilën policia dhe prokuroria nuk preferojnë të bëjnë shumë komente. Megjithatë mësohet se grupi i hetimit ka siguruar disa dëshmi, prova dhe informacione që flasin për një variant të vrasjes për shkaqe personale. Pamundësia për të identifikuar autorin e ngjarjes dhe përcaktimi i shkakut, e kanë detyruar grupin e hetimit të verifikojë edhe mundësinë që ngjarja të ketë ndodhur për shkaqe personale që kanë të bëjnë me viktimën. Për shkak se disa prej të dhënave në këtë drejtim përbëjnë informacione intime, grupi i hetimit nuk dha detaje të mëtejshme. Sipas policisë, ka disa dëshmi që tregojnë mundësinë e kryerjes së krimit për shkaqe personale të viktimës.
Sherr i çastit
Në mënyrë zyrtare Policia e Shtetit konfirmoi dje se është duke hetuar në mënyrë të detajuar ditën e fundit të jetës së deputetit të PS-së. Sipas burimeve zyrtare, po punohet me dëshmitarët dhe personat që ka takuar deputeti si dhe me familjarët e tij, për të zbardhur itinerarin e lëvizjes dhe kontaktet që deputeti ka pasur gjatë gjithë ditës para se të binte pre e atentatit në oborrin e banesës së tij. Mundësia e një konflikti apo mosmarrëveshje të ndodhur të shtunën po hetohet si shkak i mundshëm i krimit të rëndë, i cili duket se nuk është planifikuar më së miri dhe për një kohë të gjatë. Veç kësaj, sipas policisë, 15 plumbat e shkrehur në drejtim të deputetit tregojnë një lloj mllefi të ekzekutorit.
Skema, autori hezitoi të qëllonte në fillim
TIRANE- Një siluetë e zezë ulur në bisht, fshehur në errësirë pas disa blloqeve betoni të mbetura nga siloset e dikurshme të kooperativave në pritje të viktimës së vet. Fshehur vetëm 3-4 metra larg portës hyrëse të shtëpisë së deputetit Fatmir Xhindi. Kështu është rindërtuar në skenarin e hetimit pjesa e parë, apo zanafilla e gjithë veprimit që arriti kulmin me vrasjen e deputetit dhe largimin me sukses të autorit të krimit. Më tej makina e deputetit është shfaqur në krye të rrugës, dritat kanë rrahur betonet e siloseve dhe silueta e zezë e mbledhur kruspull është zvogëluar edhe më, duke u ngjeshur në drejtim të errësirës. Deputeti ishte i vetëm. I vetëm fare. Ai kalon në këmbët e siluetës, por vrasësi nuk reagon. Deputeti frenon para portës së shtëpisë pa e fikur motorin e fuoristradës së markës “KIA” me ngjyrë të zezë dhe zbret nga kabina me qëllim që të hapë portat. Por edhe në këtë ndërkohë të dytë vrasësi nuk tundet, nuk del, nuk gjen kurajo, edhe pse deputetin e ka afër, krejt të pambrojtur. Edhe pse ka rastin më të mirë. Silueta pret, mbase i mëdyshur, mbase i frikësuar përballë pasojës së llogaritur. Deputeti futet në makinë dhe bën jo më shumë se 3 metra para. Sepse vendi i parkimit është i ngushtë. Pastaj del që të mbyllë portën, por edhe të marrë disa rroba nga bagazhi i makinës. Pikërisht në këtë moment silueta ngrihet dhe qëllon barbarisht nga pas shpine...
Vendngjarja
Sipas hetimit, gjashtë plumba të armës “Kallashnikov” e kanë shpuar tejpërtej trupin e deputetit Xhindi në pjesën e gjoksit, ndërsa një ka dëmtuar edhe kokën. Një nga plumbat ka shkërmoqur xhamin e pasmë të fuoristradës, ndërkohë që një tjetër, i devijuar, ka përfunduar lart, në kornizën metalike të dritares së katit të dytë. “Deputeti është qëlluar nga rreth 3 metra afër. Kjo sepse katër nga gëzhojat kanë rënë pranë e pranë, fakt shkencor që tregon se vrasësi ka qenë pikërisht në atë pozicion”, pohoi një nga hetuesit e ngjarjes. Të parët e mbërritur në vendngjarje kanë qenë familjarët e deputetit. Ata, duke parë që trupi përpëlitej, pra duke menduar se ai mund të mos e humbte jetën nëse do të dërgohej me urgjencë në spital, e kanë lëvizur duke prishur një pjesë të vendngjarjes. Gjithsesi, sipas hetimit, një pjesë e jo shumë e rëndësishme. “Kemi pohime se kanë dëgjuar fjalë të konsumuara mes vrasësit dhe viktimës, por edhe pohime të tjera se nuk është dëgjuar asnjë fjalë e vetme, kështu që edhe në këtë pikë jemi në vendnumëro”, pohoi i njëjti. Mbetur këtu, hetuesit, duke rindërtuar momentin e ekzekutimit, kanë dalë në përfundimin se vrasja ka në vetvete një egërsi të skajshme. “Sikur dikush ka dashur të shfrejë një duf të madh”, ishte mendimi i hetuesve.
Kërkimet
“Edhe vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë gjatë natës erdhi me ne në terren, për të marrë pjesë edhe ai në kërkimin e gjurmëve të vrasësit”, pohoi një nga krerët e policisë lokale të Fierit. Një detaj që tregon vlerësimin e ngjarjes së pazakontë. Sipas të njëjtit, ishte supozuar se vrasësi, pas krimit, ishte larguar në këmbë në drejtim të kundërt me rrugën kryesore të lagjes, përmes një terreni me pak banesa dhe që rreth 200 metër më tej vazhdon me fusha të mbjella. Pikërisht në këtë drejtim policia për gjatë gjithë natës kërkoi për ndonjë gjurmë të largimit të autorit, por pa ndonjë rezultat të njohur. Më tej edhe kërkimet për armën, e supozuar se mund të ishte hedhur apo fshehur në këtë zonë, sidomos në një sipërfaqe kënetore, nuk kanë dhënë rezultat. “Vendngjarja është gjysma e punës, por në këtë rast ajo na ka ndihmuar shumë pak”, pohoi një nga hetuesit. Ndërkohë strategjia e ndërtimit të veprimeve nga policia ka përfshirë gjurmime të ndryshme, të përcaktuara në bazë të pistave të hetimit. Fe.De
“Djali i Xhindit shpëtoi se u fsheh”
Ferdinand Dervishi
“Fëmijët ruhen nga engjëjt”. Kështu thotë një urtësi shqiptare dhe mbase jo vetëm. Ëngjëjt u rrinë atyre pranë dhe u thonë se si të veprojnë, me qëllim që të shmangin shumëfishimin e tragjedive. Thjesht u pëshpëritin në vesh për të fuqizuar një tjetër instinkt, me qëllim që të modifikojnë një linjë dytësore në udhën e paracaktuar, por edhe duke u kujdesur që gjithçka të duket krejt natyrale, me qëllim që askush të mos dyshojë. Kështu ka ndodhur edhe me Albanin, djalin e vogël, 14-vjeçar, të deputetit të vrarë Fatmir Xhindi.
Sepse i ati e merrte gjithmonë me vete më të voglin, që e pëlqente aq shumë fshatin, miqtë e përzgjedhur atje mes kushërinjve të shumtë. Edhe ditën që i ati do të vritej, 14-vjeçari ishte bashkë me të në parcelën e ullinjve. Një pllajë mahnitëse mes qilimit të barit të shpërthyer nga lagështira, e cila kënaqte shumë jo vetëm fëmijën, por edhe vetë të atin, që po arrinte të pesëdhjetat. Në mbrëmje të dy kishin marrë rrugën e kthimit, për të ndalur si gjithmonë në lokalin e Bujarit, ku fëmija shfrytëzonte rastin të bënte një dorë bilardo me bashkëmoshatarët, ndërsa i ati një dorë muhabet me të njohurit. Pikërisht në këto momente ëngjëjt kanë folur me Albanin. Duke i modifikuar itinerarin e lëvizjes. Një veprim i thjeshtë i kryer me anë të metodës së joshjes ndaj lodrave të moshës. I bërë bashkë me dy shokë të tij, Mario dhe Andi Abedinin, që të dy të së njëjtës moshë, teksa deputeti pinte i qetë mes të njohurve kafen dhe rakinë e tij, ata kishin bërë plan që atë mbrëmje të luanin futboll në kalçeton që gjendej pranë të njëjtit lokal.
“Albanit i pëlqeu të luante me ne futboll dhe u fsheh me qëllim që i ati të mos e merrte me vete në Roskovec. Ato ditë ai kishte ardhur në fshat, rrinte të daja, por i ati i kishte thënë se do e merrte me vete”, rrëfejnë fëmijët e padjallëzuar, duke treguar madje dhe një shkurre ku kishin qëndruar të tre të tulatur duke pritur me zemër të ngrirë derisa deputeti të çohej dhe të largohej me makinë. Kështu edhe kishte ndodhur. Fëmijët kishin parë Fatmirin të ndahej me njerëzit dhe të kërkonte me sy të birin. “Kërkoi me sy, pa edhe këtej nga ishim fshehur, por nuk na diktoi. Pastaj i hipi makinës dhe iku”, rrëfejnë fëmijët për momentin që i ka shpëtuar jetën bashkëmoshatarit të mikut të tyre. Një mrekulli, që ardhur pas argumentit se vrasësi që ishte treguar i ashpër e gjithë duf dhe në ekzekutim, nuk do të kishte kursyer askënd, as fëmijën që në çdo rast do e kishte konsideruar një dëshmitar eventual.
Fluks telefonatash në numrat 06941 03251 dhe 06941 07 507
Policia: 250 mijë euro informatorit që tregon autorin e vrasjes së deputetit
TIRANE - Policia vendosi në dispozicion 250 mijë euro për personin që do të japë informacione në lidhje me autorin e vrasjes së deputetit socialist Fatmir Xhindi. Menjëherë pasi kjo shifër është bërë publike gjatë një komunikimi me mediat nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, në numrat e vënë në dispozicion për informatorët ka pasur një fluks telefonatash nga persona të ndryshëm, kryesisht banorë të Fierit, Roskovecit dhe fshatit Kurjan. Sipas burimeve nga policia shumë shpejt telefonuesit, të cilët pretendojnë se mund të hedhin dritë rreth ngjarjes, do të merren në pyetje nga oficerët e policisë, duke u ruajtur anonimati i tyre. Policia ka publikuar të dhënat e para të grupit hetimor që është ngritur me zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor drejtohet nga drejtuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ekspertët më të mirë të hetimit të krimit në Policinë e Shtetit, ekspertë të Laboratorit Shkencor, të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe të strukturave të SHISH-it. Operacioni që po zhvillohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, të cilët sipas policisë dyshohet se janë dy persona, drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi dhe marrin pjesë të gjitha strukturat e policisë. Në fazën e parë të hetimeve është bërë këqyrja e hollësishme e vendit të ngjarjes, filmimi dhe fotografimi i tij dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 15 gëzhojave model 56, kalibri 7.62 milimetra, një pako aspirinë tabletë dhe një qese plastmasi. Gjithashtu është bërë ekzaminimi mjekoligjor i kufomës, marrja e mostrave të gjakut nga viktima dhe vendi i ngjarjes. Të gjitha këto prova janë vënë menjëherë në dispozicion të Laboratorit Qendror Kriminalistik dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore për përpunime dhe ekzaminime krahasuese të mëtejshme. Gjatë mbrëmjes së të shtunës dhe gjatë gjithë ditës së djeshme janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarëve 15 persona. Paraprakisht nga analizimi i këtyre provave të para, ka rezultuar se deputeti Xhindi është qëlluar nga një distancë rreth 2 metra dhe është përdorur vetëm një armë për vrasjen e tij, pasi gëzhojat dhe plumbat e gjetur i korrespondojnë vetëm një modeli. e.d
Rama: Nuk dimë arsyen e vrasjes
Aristir Lumezi
Deputetët socialistë i dhanë dje lamtumirën e fundit kolegut të tyre për në banesën e fundit. Ishte pothuaj e gjithë politika shqiptare dje në Roskovec, që nga Presidenti, Kryeministri, kryetarja e parlamentit, por deputetët socialistë mbanin peshën kryesore të homazheve për kolegun e tyre. Ndërkaq, selia rozë njoftoi dje se pezullon për sot të gjitha aktivitetet politike të planifikuara për ditën e hënë, në një moment kur fushata elektorale ka ndezur motorët. Homazhet për publikun e gjerë u zhvilluan në kinoteatrin e qytezës së Roskovecit, ndërsa deputetët socialistë që ndërroheshin herë pas here ishin në homazhe të vazhdueshme para arkivolit të Fatmir Xhindit. Në orën 15:00 kjo ceremoni do të kulmonte dje me fjalën përcjellëse të kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama para nisjes për në varrezat e fshatit Kurjan. Me një fjalë zemre dhe mjaft të ndjerë, me stilin e tij familjar, Rama portretizoi familjarin, babain, deputetin dhe mikun që gjatë gjithë kohës si deputet shprehu vetëm mirësi dhe mirëkuptim me të gjithë kolegët.
“Lamtumirë “Xhindi ynë zemërmirë e gojëmbël”... Kemi ardhur për të të përcjellë në banesën e fundit, pa e ditur arsyen e ikjes tënde nga kjo botë, ku së bashku kaluam plot vite, punuam, folëm e qeshëm e ku për të gjithë ti ishe “Xhindi zemërmirë e gojëmbël” që jetonte mes punëve të fshatit, e Kuvendit të Shqipërisë, pa prishur kurrë qejf me askënd. Përveç punëve të mira që bëre me bashkëfshatarët e për bashkëfshatarët e tu, ti nuk ke pasur veçse kujtime të mira që na i mbushin të gjithëve sytë me lot, po s’na ndihmojnë fare të kuptojmë psenë e dhunës vrastare që mbrëmë të mori jetën, duke copëtuar me plumba zemrat e nënës, gruas, djemve, motrës e vëllezërve të tu, duke na copëtuar shpirtin të gjithëve ne, miqve e shokëve të tu të panumërt, këtu në vendlindjen tënde e kudo, duke tronditur Shqipërinë mbarë”, u shpreh Rama në fjalën e tij të lamtumirës për deputetin socialist. Përmes një fjale prekëse dhe të sinqertë, ku bëri të përloten shumë njerëz të mbledhur për të përcjellë mikun e tyre, kreu socialist kërkoi zbardhjen sa më parë të aktit kriminal që e ndau Fatmir Xhindin nga miqtë dhe familjarët e tij. “Askush nga ne nuk ka fjetur dot mbrëmë e të gjithë duam të dimë çfarë kanë parë sytë e tu tek pragu i shtëpisë përpara se të mbylleshin përgjithmonë! E vërteta e kësaj mizorie nuk të kthen dot në jetë, miku ynë, por pa dalë ajo në dritën e diellit ti do ta kesh të pamundur të prehesh i qetë në terrin e banesës ku po të kyçin, ndërsa për të gjithë ne të tjerët, gropa e padrejtësisë që të mori jetën do të mbetet e hapur si varr për shpresën tonë se ky vend mund të bëhet i drejtë me të gjithë, e për të gjithë. S’ka dyshim se kur të quajtën Fatmir, nëna e babai yt i ndjerë deshën një fat më të mirë për ty, miku ynë. Ti bërë gjithçka mundet një njëri i ndershëm e punëtor, për ta luftuar varfërinë në familjen tënde me forcën morale të një djali e vëllai të mirë. Ky është një moment kur edhe më mosbesuesi nga ata që të njohën do të donte me gjithë forcën e shpirtit që të kishte një Zot. Një Zot për t’i dhënë forcë nënës e fëmijëve, gruas, motrës, vëllezërve, të gjithë të dashurve të tu, këtu e kudo. Një Zot për të na dhënë të gjithëve forcën për të luftuar me errësirën e me krimin, edhe me më shumë arsye”, u shpreh Rama në fjalën e lamtumirës në emër të Partisë Socialiste dhe deputetëve të saj.
Kryeministri ngushëllon familjen
Berisha: Çdo gjë për të gjetur autorët e krimit
Kryeministri Berisha ka ngushëlluar familjen e deputetit Fatmir Xhindi pas vrasjes së tij pranë shtëpisë një natë në parë. Mesditën e djeshme kreu i ekzekutivit ka udhëtuar drejt Roskovecit, ku në përfundim të vizitës në shtëpi ka deklaruar për mediat, se autoritetet do të bëjnë çdo gjë për të gjetur autorët e krimit. “Ky akt i shëmtuar kriminal ka shokuar jo vetëm familjen e deputetit Xhindi, familjarët e tij, bashkëqytetarët e tij, kolegët e tij deputet, por të gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët. Fatmir Xhindi është deputet në tre legjislatura dhe gjatë gjithë veprimtarisë së tij ka dëshmuar përkushtim dhe përgjegjësi ndaj detyrës shumë të rëndësishme që i kanë besuar qytetarët e Roskovecit”, u shpreh Kryeministri Berisha. Sipas tij “unë erdha për t’i shprehur ngushëllimet familjes si dhe për të siguruar se kjo qeveri do të bëjë çdo gjë për të gjetur dorën e zezë të krimit, autorin apo autorët, të cilët qëlluan prapa shpine dhe ekzekutuan deputetin Fatmir Xhindi, në pragun e derës së shtëpisë së tij. Ne nuk do të lëmë pistë hetimi, do të mobilizojmë të gjitha llojet e mjeteve, në mënyrë që të kapim sa më shpejtë autorin apo autorët e këtij krimi të shëmtuar”. Kryeministri Berisha ngushëlloi familjen Xhindi një natë më parë përmes një mesazhi, pak orë pasi ai humbi jetën si pasojë e goditjes me gjashtë plumba.
Meta: Vrasësit, sa më shpejt para ligjit
Kryetari i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta kërkoi dje zbardhje të menjëhershme të ngjarjes, ku humbi jetën deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi dhe vendosjen e autorëve para ligjit. “Nuk kam asnjë dijeni për ndonjë konflikt të deputetit Xhindi, pasi ai nuk ka qenë natyrë konfliktuale, por gjithnjë ka qenë paqësor dhe konstruktiv”, u shpreh zoti Meta në një prononcim për mediat. Sipas tij “opinioni publik mund të qetësohet disi, vetëm pas zbardhjes së shpejtë të kësaj ngjarje të rëndë dhe vënien para drejtësisë së autorëve të saj”. Kreu i LSI-së u shpreh se e njihte mjaft mirë deputetin socialist, pasi kishte bashkëpunuar me të për vite të tëra si deputetët të së njëjtit grup parlamentar, duke vlerësuar urtësinë dhe mirësinë e tij gjatë përmbushjes së mandatit të deputetit. Meta dhe deputetë të LSI-së ishin dje në Roskovec për të ngushëlluar familjen e deputetit socialist Fatmir Xhindi, i cili humbi jetën në mënyrë tragjike pas një atentati që iu bë në hyrje të banesës së tij.
Topi: Krim ekstremisht i rëndë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi e cilësoi një krim ekstremisht të rëndë vrasjen e deputetit socialist Fatmir Xhindi, gjatë një vizite që zhvilloi dje e tij në Roskovec. Kreu i Shtetit u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të tij për ndarjen nga jeta të njeriut të tyre të dashur. “Është një krim ekstremisht i rëndë”, vlerësoi Presidenti Topi, duke shtuar se “jeta e çdo qytetari është e shenjtë, por kur krimi godet një deputet, do të thotë se ngjarja është edhe më e rëndë”. Ai siguroi familjen e të ndjerit se shteti ka angazhuar strukturat më të specializuara për zbardhjen sa me të shpejtë të krimit dhe kapjen e autorëve.
Olli Rehn: Dënojmë vrasjen, të zbulohen autorët
Komisioni Evropian dënon vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi dhe kërkon hetime të hollësishme në lidhje me ngjarjen. Përmes një deklarate për shtyp ishte përfaqësuesi i lartë Olli Rehn që dënoi vrasjen e deputetit socialist. “Dënoj me vendosmëri vrasjen e Fatmir Xhindit dhe u kërkoj autoriteteve kryerjen e hetimeve të hollësishme si edhe dërgimin e fajtorëve përpara drejtësisë”, deklaroi komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Olli Rehn përmes një deklarate për shtyp. Reagimi i Rehn pason atë të krerëve të lartë të shtetit shqiptar dhe spektrit politik në vend, si dhe reagimin e ardhur nga Avokati i Popullit apo Komiteti shqiptar i Helsinkit, të cilët gjithashtu kanë kërkuar zbardhjen sa më parë të ngjarjes dhe vënien para drejtësisë së autorëve të krimit. Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, u ekzekutua në afërsi të banesës së tij mbrëmjen e së shtunës rreth orës 21:15 minuta në qytetin e Roskovecit në rrethin e Fierit. Deputeti socialist është qëlluar me armë kallashnikov nga një afërsi prej pak metrash, ndërsa ka gjetur vdekjen, pasi është qëlluar pas shpine me 6 plumba. Edhe pse hetimet kanë nisur deri tani nuk ka asnjë pistë hetimi apo person të dyshuar në lidhje me ngjarjen.