Bien në Kushtetuese tre dënimet për atentatorin
Gjykata Kushtetuese rrëzoi dy vendime të gjykatave për Krime të Rënda dhe riktheu për gjykim dosjen penale ndaj Elton Bazellit, i akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë ndaj disa personave.Vendimi i Kushtetueses është shpallur disa ditë më parë më 23 prill 2009. Trupi gjykues i kësaj gjykate ka gjetur shkelje në mënyrën si është trajtuar çështja nga tri gjykatat që patën dhënë dënimin me 15 vjet burg ndaj të pandehurit. Konkretisht, më 11 prill 2005, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, e kishte dënuar Elton Bazellin me 15 vjet heqje lirie. I pandehuri u shpall fajtor për veprat penale të vrasjes kundër dy ose më shumë personave të mbetur në tentativë, mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe të falsifikimit të akteve të gjendjes civile. Vendimi i Shkallës së Parë për Krime të Rënda është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit më 15 qershor 2005. Më vonë çështja shkoi në Gjykatën e Lartë pas rekusrit të bërë nga i dënuari. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në Dhomën e Këshillimit, ka vendosur mospranimin e rekursit të kërkuesit duke lënë në fuqi dënimin e formës së prerë me 15 vjet heqje lirie për të akuzuarin Elton Bazelli. Ai duket se i ka shpëtuar dënimit me 15 vjet burg pas vendimit të dhënë pak ditë më parë nga Gjykata Kushtetuese. Kjo e fundit ka shqyrtuar gjithë praktikën e ndjekur dhe ka arritur në përfundimin se ngjarja nuk ka qenë kompetencë e Krimeve të Rënda, as në hetimin dhe as në gjykimin e saj. Me këtë argument, Gjykata Kushtetuese është shprehur në vendimin e saj për: shfuqizimin si antikushtetues të vendimeve nr.23, datë 11 prill 2005 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda; nr.30, datë 15 qershor 2005 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda dhe të vendimit nr.247, datë 28.04.2006 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Pika e dytë e vendimit përcakton dërgimin e çështjes për kompetencë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me qëllim rigjykimin e dosjes nga e para. I pandehuri i procesit, Elton Bazelli, është akuzuar nga Prokuroria se më 30 prill 2004 ka tentuar të vrasë biznesmenin Elton Çarçiu. Mes të dënuarit Bazelli dhe biznesmenit Çarçiu mësohet se kishte pasur mosmarrëveshje edhe më parë ndërsa ato kanë qenë shkak i ngjarjes së ndodhur më 30 prill 2004. Atë ditë, Elton Çarçiu, pronar i një argjendarie në Tiranë u qëllua me armë zjarri duke mbetur i plagosur por arriti të mbijetojë pas ndihmës së marrë nga mjekët në spital. tr.so