Shehi: Meksi, i pari nga lista e LZHK-së në Tiranë
ADI SHKEMBI
Ish-kryeministri i Partisë Demokratike në vitet 1992-1996, Aleksandër Meksi, pritet të kryesojë listën për deputetët të LZHK-së në Qarkun e Tiranës. Lajmin e konfirmoi dje kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar Dashamir Shehi gjatë një prononcimi për gazetën “Panorama”. Megjithatë, sipas tij, kjo do të vendoset gjatë një takimi që krerët e Polit të Lirisë do të kenë me ish kryeministrin. Deri tani është rënë dakord që ish-kreu i qeverisë së parë të djathtë pas rënies së komunizmit, të marrë drejtimin politik të Polit. “Besoj që zoti Meksi do të jetë i pari në listën e LZHK-së në qarkun e Tiranës. Ne pretendojmë të marrim 2-3 deputetë në këtë qark dhe Meksi është një personalitet në kryeqytet. Nëse ai do të pranojë të hyjë në garë, gjë e cila do të vendoset gjatë një takimi që ne mund të kemi të martën, unë do të pranoja të isha i dyti i LZHK-së në Tiranë”, u shpreh kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi. Sipas tij së bashku me Meksin pritet, që Polit të Lirisë t’i bashkohen edhe disa figura të rëndësishme të Partisë Demokratike gjatë viteve 1992-1996. Kështu pritet bashkimi me Polin e ish –zv/kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, Bashkim Kompliku, ish-ministrit të Jashtëm, Alfred Serreqi, Maksim Konomi dhe Kreshnik Gjongecaj. Shehi tha se disa prej tyre duhet të futen në garë, duke u shprehur i hapur që ata të futen nga lista e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar. Ndërkohë deri tani është vendosur që Gilman Bakalli të jetë i pari në listën e Shkodrës për LZHK-në. Nga ana e saj PDK-ja ka përcaktuar emrat e kandidatëve për deputetë në 10 qarqe të vendit, ku bie në sy emri i parë në listë në Durrës, ish-anëtari i KOP-it të krijuar nga PD-ja, Apollon Baçe.
Ndoka
Gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë të PDK-së në Qarkun e Vlorës, kreu i kësaj partie, Nard Ndoka akuzoi dje PD-në për mosmbajtjen e premtimit për kthimin e pronave të ish-pronarëve. “PD e filloi këtë fushatë me përsëritjen e premtimeve të vitit 2005, kthimin e pronave, dëmshpërblimin dhe luftën kundër korrupsionit, premtime që kjo parti dhe qeveria e saj me suport të majtë nuk i mbajti në këto katër vjet. Për fat të keq, pronarë të tokave të pronarëve legjitimë në këto katër vjet i bënë fazlliçët dhe serbo-boshnjakët e tjerë”, theksoi Ndoka. Sipas tij “PDK nuk beson se e majta shqiptare, që flet për politikë të re dhe drejtohet nga ministri i brendshëm i diktaturës do të sjellë ndonjë model më të mirë se koalicioni Berisha–Xhuveli sot. Ndaj ne besojmë se ndryshimi i vërtetë nuk është zgjedhja midis të keqes më të vogël, por zgjedhje e më të mirës së mundshme dhe Poli i Lirisë, me alternativën, përbërjen, misionin dhe personalitetet e saj politike, përbën sot zgjidhjen më të mirë të mundshme”.
Lista e Polit
Shkodër
Nard Ndoka (PDK)
Gilman Bakalli (LZHK)
Lezhë
Ndue Shpani (PDK)
Tiranë
Aleksandër Meksi (LZHK)
Jak Ndoka (PDK)
Fier
Vladimir Beja (PDK)
Elbasan
Ymer Tola (PDK)
Dibër
Edmond Stojku (PDK)
Kukës
Kreshnik Lusha (PDK)
Gjirokastër
Aida Joanidhi (PDK)
Vlorë
Baki Jaze
Durrës
Apollon Baçe (PDK)
Agim Toro (LZHK)