E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshje e gabuar, në kohë të gabuar

Hamdi Jupe 

Këto ditë u bë e njohur një marrëveshje politike elektorale midis Partisë Demokratike, e kryesuar nga Berisha dhe Partisë për Drejtësi dhe Integrim, e përfaqësuar nga Tahir Muhedini. Jemi në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit dhe  prandaj, marrëveshjet midis partive politike nuk përbëjnë ndonjë lajm të bujshëm. Por kjo marrëveshje midis dy partive të lartpërmendura përbën një ngjarje që nuk mund të kalojë në heshtje.
Berisha u shfaq me këtë rast para mediave i lodhur nga udhëtimet e gjata brenda dhe jashtë vendit, por i lumtur. Ai kishte mundur të fuste në “vathën” e koalicionit të tij të humbjes një forcë politike jo pa elektorat, siç janë partitë e tjera me të cilat po bën koalicion ai këto ditë. Ndërsa partneri i tij ri, zoti Muhedini, u shfaq para mediave me pamjen e “derrit të kënaqun”, siç thotë Migjeni, me faqet plot shkëlqim nga lyra, për arsye se ai nuk është lodhur e pluhurosur aspak në këtë fushatë, me shprese se atë, fushatën, e ka bërë e do ta bëjë Berisha dhe politikanë të tjerë të PD-së edhe për partinë e tij.
Pas kësaj marrëveshjeje Berisha udhëtoi për në Sarandë për të hapur sezonin e ri të plazhit, i bindur se një e treta e popullsisë së atij qyteti, që përbëhet nga komuniteti çam, do të brohorasë Marrëveshjen e fundit të tij me Muhedinin.
Marrëveshja e mësipërme u nënshkrua pak ditë pas vizitës së kryeministrit Grek Karamanlis në Tiranë, ku u ndaluan pyetjet për gazetarët, me qëllim që ata të mos e përmendin fjalën Çamëri në to.
Marrëveshja Berisha-Muhedini erdhi gjithashtu pak ditë pas deklaratës se Shoqatës “Çamëria” sipas të cilës, ata ishin “të habitur nga deklarata e Berishës” në takim me Karamanlisin, se “nuk kemi asnjë problem të pazgjidhur me Greqinë”. Por vetë zoti Muhedini si kryetar i partisë, që pretendon se përfaqëson popullsinë çame, nuk u habit aspak nga “habia” e shoqatës “Çamëria”.
Ajo që mund të thuhet me pak fjalë, por me zë të lartë për Marrëveshjen Berisha-Muhedini për zgjedhjet, është se ajo është një marrëveshje e gabuar, e bërë ne një kohë të gabuar. Kjo është koha më e papërshtatshme për këtë marrëveshje dhe prandaj ajo dëmton interesat e komunitetit çam në Shqipëri dhe interesat kombëtare të vendit në përgjithësi.
Partia për Drejtësi dhe Integrim e drejtuar nga zoti Muhedini u krijua në vitin 2005. Më parë ka pastur të paktën tri parti të tjera që pretendonin se përfaqësonin interesat e popullsisë çame, por që rezultuan të pasuksesshme në elektorat.
Personalisht kam pasur dhe kam mendimin se ky grupim i popullsisë ka pasur dhe ka nevojë për partinë e tij në Parlamentin Shqiptar dhe në organet e qeverisjes vendore. Ka arsye të mjaftueshme politike, historike dhe sociale, të cilat nuk ashte vendi të përsëriten këtu, që të ekzistojë një parti e tillë. Prandaj e kam vlerësuar pozitivisht një gjë të tillë.
Partia e tanishme e çamëve, ashtu si edhe partitë e mëparshme, kanë pretenduar se kanë mbështetjen e shoqatës “Çamëria”. Kjo shoqatë u krijua në fillim të vitit 1991, menjëherë pas shpalljes së pluralizmit politik në Shqipëri. Gjatë më shumë se 18 vjetëve ajo ka bërë një punë kolosale për të njohur shqiptarët me çështjen çame, si pjesë e çështjes kombëtare në përgjithësi. Në fillim të vitit 1991, edhe profesor Rexhep Qosja, kur u pyet në një intervistë në Televizionin Shtetëror Shqiptar (TVSH) rreth këtij problemi, tha se nuk dinte gjë për Çamërinë, sepse nuk kishte mundur të binte në kontakt me literature për këtë çështje.
Kjo ishte situata e njohjes së problemit çam për 99 për qind të shqiptarëve në atë kohë, për shkak të ndalimit të kësaj teme prej regjimit komunist. Vetëm Berisha gjatë një vizite në Konispol në fillim të viteve nëntëdhjetë, pati deklaruar se “për Çamërinë më ka folur baba”, kur ishte fëmijë në Vuçidol të Tropojës! 
Në këto rrethana të territ informativ për Çamërinë gjatë regjimit komunist, kontributi i shoqatës “Çamëria” dhe i gazetës së saj me të njëjtin emër, ishte i jashtëzakonshëm për opinionin shqiptar. Sot të gjithë shqiptarët, kudo ku ndodhen, e njohin këtë problem. Është kjo punë që ka bërë shoqata në fjalë dhe më pas media shqiptare në përgjithësi, qe e detyroi qeverinë greke t’i kërkojë qeverisë shqiptare që të “mos flitet për Çamërinë” gjatë vizitës se tanishme të kryeministrit grek Karamanlis. Dhe po kështu, të mos lejohen gazetarët të bëjnë pyetje.
Kjo është njëlloj sikur t’i kërkosh të zotit të shtëpisë që të mos e ngacmojë prushin, që qëndron nën hi aty në vatër. Dhe i zoti i shtëpisë e respektoi mikun. Por po përmende prushin, e ke pranuar se ai është aty, nën hi dhe të djeg. Prandaj, me kërkesën për të mos u përmendur çështja çame në bisedime, praktikisht ajo është bërë pjese e bisedimeve, sepse është pranuar praktikisht që ajo ekziston, sado që “nën hi”. Kështu pra, problemi çam doli edhe një herë në skenë si një prush që djeg. Kjo është meritë e shoqatës “Çamëria”, me punën e saj 19-vjeçare.
Sidoqoftë, pranimi i palës shqiptare për të mos folur për këtë problem, ishte poshtërues për shqiptarët dhe veçanërisht për çamët, ashtu siç ishte poshtëruese dhe antihistorike edhe deklarata e Berishës se “me Greqinë nuk kemi asnjë problem të pazgjidhur”. Në këto rrethana aspak të favorshme të çështjes çame prej vetë qëndrimeve të kryeministrit shqiptar Berisha, erdhi marrëveshja elektorale midis tij dhe Muhedinit.
Popullsia çame duhet të ketë njerëzit e vet në Parlamentin shqiptar. Në të vërtetë, dy partitë e mëdha, zakonisht kanë pasur përfaqësues të këtyre komuniteteve në parlament. Ato nuk e kanë anashkaluar dot këtë komunitet solid. Por këta deputetë të zgjedhur nga dy partitë kryesore, (ku kam bërë pjesë edhe vetë), kanë qenë dhe janë të detyruar të qëndrojnë “brenda” programit të partive të tyre. Ata mund te flasin vetëm “nen zë” për problemin çam kur janë deputetë, sepse nuk duan t’u prishin punë partive që përfaqesojnë, veçanërisht kur këto janë në pushtet.
Është kjo arsya pse komuniteti çam duhet të ketë përfaqësuesit e vet në Parlament, të dalë nga votat e tij, si përfaqësues të partisë së tyre. Vetëm kështu, në mënyrë të pavarur, ata mund të bëjnë zhurmë deri në kupë të qiellit në institucionin më të lartë të shtetit për këtë çështje. Sepse edhe zhurma ka rëndësinë e vet. Kjo është arsyeja kryesore përse partia që pretendon se përfaqëson çamët, nuk duhet të futet nën sqetullën e dy partive të mëdha. Fakti që ajo doli pa sukses në zgjedhjet e kaluara të vitit 2005, kur konkurroi e vetme, nuk është argument për marrëveshjen e tanishme me PD-në. 
Sistemi i tanishëm zgjedhor, mbi bazë prefekturash, e favorizon shumë konkurrimin e Partisë për Drejtësi dhe Integrim si subjekt më vete. Në se themi p.sh., se në prefekturën e Vlorës (Vlorë, Sarandë, Delvinë, Konispol) çamët përbëjnë rreth një të tretën e popullsisë, atëherë atyre u takojnë katër nga 12 deputetë që ka kjo zonë elektorale. Por edhe tre sikur të merrnin, janë jo pak.
E njëjta gjë afërsisht mund të thuhet edhe për Prefekturën e Fierit, ku bën pjesë Fieri dhe Lushnja dhe ku banon një komunitet jo i vogël çam. Sa për prefekturat e tjera, ku ka gjithashtu komunitete të qarta të popullsisë çame, aty mund të hyhej në “pazare” me dy partitë e mëdha, (e përsëris, me dy partitë e mëdha) për të marrë maksimumin e mundshëm. Çamët janë të shquar për tregti. Të gjitha këto janë argumente që vërtetojnë se PDI mund të konkurronte me sukses në këto zgjedhje pa aleancën me PD-në.
Në këto zgjedhje PD po shkon drejt humbjes së sigurt. Tre sondazhe serioze nga “Zogby” amerikan, “Gani Bobi’ dhe kompania italiane, e nxjerrin PD në opozitë në mënyrë të sigurt. Duke u nisur nga kjo situatë, PD-në po e braktisin edhe aleatët e saj historikë, siç janë edhe ish-pronarët, demokristianët apo dhe forcat e tjera të djathta. Ato po braktisin anijen që po mbytet për të shpëtuar veten. Kjo është një arsye tjetër pse nuk duhej bërë marrëveshje elektorale tani me PD-në.
Vetëm Muhedini dhe ndonjë politikan tjetër pa identitet nuk po e shikojnë këtë dhe po hipin në anije, me shpresë se kështu do të mund të kapin në të ndonjë karrige, paçka se edhe në fund të detit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›