Zgjedhjet, Ksera kryeson listën e PBDNJ në Gjirokastër
Spiro Ksera do të jetë i pari në listën e PBDNJ-së për Qarkun e Gjirokastrës në zgjedhjet e 28 qershorit. Kjo është vendosur pasditen e djeshme nga ana e degës lokale të PBDNJ për qytetin jugor. Debatet e zhvilluara në kryesinë e degës, kanë qenë përsa i përket pozicionimit paraelektoral të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, nëse ajo do të bëjë koalicion me PD-në apo do të dalë e vetme në zgjedhje. Si një ndër përkrahësit e idesë për koalicion me PD-në, Spiro Ksera, ka garantuar se një bashkëpunim parazgjedhor me këtë subjekt politik dhe aleatët e saj, do të jetë produktiv pasi votat do përqendrohen të grupuara për të mos humbur, duke i dhënë kështu avantazh koalicionit qeverisës. “PBDNJ ndjehet më mirë në koalicion me PD pasi këto katër vite, qeveria aktuale ka dëshmuar të jetë serioze në premtimet e mbajtura sidomos në investimet e kryera në hapësirën, ku jeton komuniteti grek në zonën e Dropullit”, ka theksuar Ksera. Qëndrimi i zotit Ksera për të qenë në koalicion me PD, është mbështetur nga shumica e anëtarësisë së PBDNJ për Gjirokastrën, të cilët kanë kërkuar, madje të diktojnë këtë qëndrim edhe tek kryetari i saj Vangjel Dule, i cili ende nuk ka shfaqur qëndrimin e vet zyrtar për këtë çështje. Shumica e anëtarësisë së PBDNJ në Gjirokastër e kontrolluar nga prefekti i Qarkut, ka shprehur qëndrim kategorik kundër një bashkëpunimi parazgjedhor dhe paszgjedhor me PS dhe kjo pasi gjatë këtyre katër viteve të fundit por edhe në të kaluarën, përplasjet mes tyre dhe deputetit socialist të zonës Vangjel Tavo nuk kanë munguar. “Nëse do të ketë një marrëveshje parazgjedhore dhe paszgjedhore, atëherë do të krijohet një përçarje në radhët e PBDNJ së Gjirokastrës”, kanë theksuar burime anonime për gazetën nga kjo parti. Deputeti i zgjedhur tre herë me shumicë dërmuese votash nga minoritarët dropullitë socialisti Vangjel Tavo, duke mundur Dulen dhe Kserën në dy zgjedhjet e fundit parlamentare, ka qenë tepër aktiv në konferencat e shtypit gjatë viteve të fundit për diskriminimin që sipas tij u është bërë anëtarëve dhe simpatizantëve minoritarë të PS ana e PBDNJ duke i hequr nga puna. p.n