E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama akuzon Berishën për ngjarjen: Presidenti të mos heshtë, të ndërhyjë

I ashpër dhe i drejtpërdrejtë. Kështu u shfaq dje kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, në reagimin e tij për incidentin mes gazetarit Mero Baze dhe biznesmenit Rezar Taçi. Rama akuzoi direkt Kryeministrin Sali Berisha për dhunën e ushtruar ndaj Bazes, duke konstatuar se ishte klienti i familjes kryeministrore ai që ushtroi dhunë mbi një gazetar. Në këtë linjë, Rama kërkoi ndërhyrjen e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, duke kritikuar heshtjen e tij karshi çmontimit të shtetit dhe kapjes së drejtësisë nga korrupsioni. Duke u ndalur te dhuna mbi botuesin e gazetës së përditshme "Tema", Rama tha se ata që ngritën dorën mbi të kanë mbështetjen e Sali Berishës, duke i kërkuar njëkohësisht këtij të fundit që të dalë publikisht dhe të tregojë që nuk ka lidhje me ngjarjen. "Ata që gjakosën mbrëmë gazetarin, e gjejnë fuqinë te mbështetja e paligjshme e Sali Berishës, te paratë e paligjshme që nxjerrin përditë bashkë me Sali Berishën, tek imuniteti ekskluziv që u ka dhënë Sali Berisha për t‘u ikur të gjitha detyrimeve ndaj arkës e ligjeve të shtetit", tha Rama. Kreu i opozitës doli në përfundimin se qytetarët e këtij vendi kanë mbetur pa shtet, kanë mbetur pa gjykata, kanë mbetur pa prokurori. Kryesocialisti vuri në dukje se Shqipëria sot qeveriset nga interesat e një familjeje që bën ligje e nxjerr vendime për t‘u pasuruar në kurriz të të gjithë shqiptarëve. "Dhe mbrëmë, tha ai, njëri prej klientëve të familjes së Sali Berishës gjakosi me grushte e shqelmat e gorillave të ushqyer nga familja, gazetarin që hedh përnatë dritë mbi veprimtarinë e paligjshme të kësaj qeverie interesash familjare". Në vlerësimin e Ramës, Sali Berisha ishte bajat në reagimin e tij, pasi nuk bëhet fjalë për një krim ordiner, por akt kriminal i një të mirënjohuri botërisht si klient kryesor i pushtetit të familjes Berisha, për të cilin pak ditë më parë Policia e Shtetit u fut në konflikt me organet tatimore te dera e ARMO-s, dhe të cilit Sali Berisha i bën favore të paligjshme në këmbim të përfitimeve të paligjshme.

"Por, nga njëra anë ai nxjerr deklaratën boshe të gjoja dënimit të ashpër të dhunës ndaj gazetarit, ndërsa nga ana tjetër i jep mbrojtjen e heshtur të shtetit një personi me të cilin e bashkojnë interesat e fitimet e paligjshme", vijoi Rama. Në një situatë të tillë, Rama u tregua tejet kritik edhe ndaj Presidentit të Republikës, Bamir Topi, duke kërkuar reagimin e tij në bazë të të drejtave që i jep Kushtetuta. "Vetë Presidenti i Republikës, duhet të dalë nga heshtja e tij olimpike dhe të flasë me fuqinë që i jep Kushtetuta e morali i kreut të shtetit, për të mbrojtur liri e të drejta që po kërcënohen përditë e më shumë në kushtet e një sistemi drejtësie të paralizuar nga presioni e korrupsioni", deklaroi Rama. Ai tha se Presidenti i Republikës nuk mund të pajtohet në heshtje me rrënimin e përditshëm të shtetit të së drejtës, me dhunimin e përditshëm që pushteti i një familjeje po i bën Kushtetutës, ligjit, shtetit, me gjakosjen e një gazetari që në një hapësirë përditë e më të ngushtë lirie për mediat në Shqipëri, denoncon zullumet e pushtetit të një halldupi. Veç të tjerash, Rama akuzoi edhe ministrin Basha, i cili, sipas tij, e ka vendosur Policinë e Shtetit kundër ligjit dhe në shërbim të interesave të paligjshme pronësore e financiare të Sali Berishës. "Ky kryeshërbëtor i familjes në pushtet, që ka grabitur për llogari të Sali Berishës fondet e veprës madhore të rrugës së kombit, është çuar në Ministrinë e Brendshme jo për të udhëhequr shtetin në luftën kundër shkelësve të rendit ligjor, por që ta kthejë Policinë e Shtetit në një shërbim të pushtetit të familjes", u shpreh Rama. Për të implementuar në terren, shtoi ai, zaptimet e tjetërsimet e dhunshme që Sali Berisha u bën me letra pronave të shtetit apo të pronarëve të pambrojtur, për të mbrojtur nga ligji klientët e këtij pushteti, si në rastin e ARMO-s, apo edhe si në rastin e sotëm, shkurt për punët e brendshme të familjes që po plaçkit përditë Shqipërinë përmes pushtetit të votave të vjedhura në 28 qershor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›