E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autobusi përplaset me "Benz"-in, një e vdekur, tre të plagosur

AKSIDENTET/ Pesë aksidente kanë ndodhur përgjatë ditës së djeshme në tre qytete, përplasje që kanë shënuar dy viktima


TEPELENË - Përplasja e një autobusi dhe një automjeti tip "Benz" pasditen e së dielës ka sjellë vdekjen e një personi dhe plagosjen e tre të tjerëve. Ngjarja ka ndodhur në rrugën kombëtare Tepelenë- Memaliaj, në vendin e quajtur "varrezat e qytetit të Tepelenës".


Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se për aksidentin dyshohet të ketë qenë shkak humbja e kontrollit nga ana e drejtuesit të automjetit tip "Benz" për shkak të lagështisë, pasojë e shirave të rënë dje në të gjithë vendin.


Aksidenti


Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se aksidenti ku humbi jetën një person dhe u plagosën tre të tjerë ndodhi rreth orës 15:15 të ditës së djeshme. Në këtë kohë, autobusi me targa GJ 7326 A, me drejtues shtetasin Besnik Hajdini, i cili udhëtonte nga Tirana në drejtim të Gjirokastrës është përplasur me automjetin tip "Benz" me targa TR 5153 F me drejtues shtetasin Belul Zaimi, që udhëtonte në drejtim të kundërt.


Aksidenti ka rezultuar tepër i rëndë për të katërt personat që udhëtonin në automjetin tip "Benz", dhe përkatësisht Belul Zaimin, drejtues i automjetit, shtetasen Donika Zaimi, bashkëshortja e tij, si dhe çiftin Gramoz e Pranvera Elmazi që kanë mbetur të plagosur.


Megjithëse janë transportuar menjëherë për në spital, plagët e rënda të marra si pasojë e përplasjes së fortë kanë bërë që 43-vjeçarja Donika Zaimi të humbasë jetën pak minuta pas mbërritjes në spitalin e Tepelenës, ndërsa tre personat e tjerë janë dërguar në spitalin rajonal "Omer Nishani" për ndërhyrje më të specializuar mjekësore. Ndërkaq, bëhet e ditur se asnjë prej pasagjerëve të autobusit nuk është lënduar.


Hetimi


Grupi hetimor i ngritur për këtë çështje dhe i mbërritur në vendngjarje ka marrë në pyetje drejtuesin e autobusit, si dhe persona të tjerë të pranishëm në të.


Pas këqyrjes edhe të vendit ka rezultuar se shkak i aksidentit është humbja e kontrollit të drejtuesit të automjetit tip "Benz" si pasojë e lagështirës në rrugë, për shkak të shirave të rënë dje. Aksidenti i djeshëm ka shënuar të tetëmbëdhjetën viktimë në qarkun e Gjirokastrës gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, ndërsa dhjetëra persona kanë mbetur të plagosur.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›