E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy gjyqe për një gomar me dru, gjobitet me 3 milionë lekë

ELBASAN/ Shtetasi Xhevat Çullhai është falur nga gjykata, por më pas është ridënuar në padijeni për të njëjtën çështje


ELBASAN- Gjykata e ka falur në momentin që prokuroria e ka akuzuar për prerje të paligjshme të pyjeve, por pas denoncimit të drejtorisë së pyjeve për të njëjtën akuzë, Xhevat Çullhai është dënuar me 3 milionë lekë gjobë, pa dijeninë e tij.


Ai është kapur me një gomar dru të prerë në pyllin pranë fshatit ku jeton. Ngjarja e ka zanafillën në vitin 2006, kohë në të cilën Çullhai u akuzua se kishte dëmtuar pyllin afër fshatit dhe çështja kundër tij përfundoi në gjykatë.


Prokuroria kërkoi 300 mijë lekë të reja gjobë dhe 6 muaj burg për "prerje të paligjshme të pyjeve". Pas shqyrtimit të çështjes, Gjykata e Faktit vendosi dënimin vetëm me 300 mijë lekë gjobë. Por, e pakënaqur nga vendimi, prokuroria e apeloi çështjen.


Gjykata e Apelit vendosi edhe heqjen e gjobës, duke vendosur që "nëse Xhevati nuk do të kryente ndonjë vepër penale për 18 muaj, përfshirë edhe prerjen e paligjshme të pyjeve, atëherë do t'i shpëtonte totalisht dënimit". Kur Xhevati mendoi se gjithçka kishte përfunduar, Drejtoria e Pyjeve nisi një tjetër gjyq kundër tij, duke e denoncuar.


Gjykata merr një vendim në mungesë të tij, duke e dënuar sërish me gjobën 300 mijë lekë. Për të dyja vendimet Xhevat Çullhai është dënuar në mungesë. Ai pretendon se nuk është njoftuar asnjëherë nga gjykata apo prokuroria derisa në shtëpinë e tij, më në fund, ka shkuar vendimi i Përmbarimit.


Lajmërimi për ekzekutimin vullnetar lajmëron se subjekti borxhli, që është shtetasi Xhevat Çullhai, duhet t'i shlyejë shumën prej 312 mijë lekësh subjektit kreditor, që është Drejtoria e Shërbimit Pyjor Elbasan. Në këtë shumë futen gjithashtu shpenzimet gjyqësore dhe 3% e shumës për shërbimet përmbarimore. Shtetasi Çullhai rrezikon gjithashtu gjobën deri në 50 mijë lekë në rast se nuk bën shlyerjen brenda afatit.


Po kështu, banorit të Plangaricës i ka kaluar edhe afati i ankimimit për shkak të largësisë dhe të problemeve që ka ky person për t'u njohur me këtë proces gjyqësor ndaj tij, ku deklaron se nuk ka marrë pjesë dhe nuk ka dijeni. Kreu i gjykatës është shprehur se për këtë proces qytetari duhet të jetë njoftuar, sepse nuk ka rast pa njoftim dhe pa njohjen e palës së akuzuar. Shtetasi Çullhai ka vendosur t'i drejtohet me një shkresë KLD-së.


Ai kërkon drejtësi dhe zbatimin e procedurave normale, pasi, sipas tij, kur kapen maune me lëndë drusore nuk ka asnjë reagim nga drejtësia, ndërsa ai me një gomar dru tek pylli i fshatit do të duhet të paguajë 3 milionë lekë, të cilat nuk i ka dhe nuk i ka parë ndonjëherë me sy, pasi jeton në varfëri të plotë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›