E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma spitalore, MSH synon menaxhim më të mirë dhe me efikasitet të spitaleve

Ministria e Shëndetësisë, nëpërmjet reformës spitalore, synon menaxhim më të mirë dhe me efikasitet të fortë të buxheteve të spitaleve, të cilat do të decentralizohen. "Do të kemi një decentralizim të fondeve dhe kompetencave drejt spitaleve rajonale nga qendra dhe në të njëjtën kohë do të kemi një centralizim të kompetencave, të fondeve të spitaleve të vogla drejt rajoneve", tha të shtunën ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, në ditën e dytë të seminarit ndërkombëtar për hepatitet virale, organizuar nga Departamentet përkatëse të Sëmundjeve Infektive të Universitetit të Tiranës dhe atij të Barit (Itali), në mjediset e Qendrës Kulturore të Forcave të Armatosura në Tiranë. Sipas saj, në kuadër të kësaj reforme, shoqatat e specialistëve do të marrin rëndësi të veçantë. Duke u ndalur tek detyrat që vë përpara kjo reformë, znj. Godo tha se "që të bësh një menaxhim të mirë (kjo do të bëhet me supervizionin e fortë të strukturave ministrore, por do të jetë i kontrolluar dhe nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor), do të thotë që ne e kemi për detyrë me specialistët, të përgatisim protokollet e detajuara për çdo akt diagnostik dhe terapeutik, duke arritur në një kosto të çdo shërbimi që ne i ofrojmë qytetarit dhe ky kostifikim do t'u relatohet spitaleve të rajoneve". "Ne do të përgatisim këto protokolle diagnostike dhe terapeutike, mbi të cilat strukturat e veçanta do të bëjnë kostifikimin e shërbimit dhe kjo do t'u jepet kolegëve tanë nëpër rrethe", tha më tej ajo, duke vënë në dukje rëndësinë që ka në këtë drejtim konsultimi me komunitetin e gjerë të specialistëve të kësaj fushe. Znj. Godo tha më tej se "reforma spitalore kërkon që jo vetëm të hartohen këto protokolle, por spitaleve rajonale do t'u jepen më shumë fuqi kompetencë". Sipas saj, kjo përkthehet me shumë detyra për t’u zgjidhur. "Ne duhet t'i ndihmojmë ata në atë që quhet standardizim, të paktën në nivel të 12 spitaleve rajonale, në mënyrë që ata të jenë të aftë të krijojnë kapacitetet e duhura për të menaxhuar mirë buxhetin dhe për të drejtuar mirë aktivitetet e tyre', tha ministrja Godo. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›