Korçë- Qafë Plloçë, një superstradë e standardeve bashkëkohore

"Më e mirë është ajo superstrada Korçë- Kapshticë, apo kjo jona këtej, Korçë- Qafë Plloçë", pyet një banor i zonës, ndërsa interesohemi për ecurinë e punimeve në superstradën Korçë- Qafë Plloçë, me gjatësi 29.16 kilometra, e cila nga dita në ditë po kthehet në një aks të gjerë dhe të lehtësueshëm për kalimin e mjeteve dhe udhëtarëve, duke iu shtuar kështu rrugëve të tjera të vendit, me standarde bashkëkohore. Jemi në një nga lotet e fundit të këtij aksi rrugor, në lotin e pestë, ku kryen punimet firmat " Euroterma" dhe "Gjigiria". Udhëtari i zonës duket se i ka harruar tashmë vështirësitë e natyrshme që sjell ndërhyrja në investime të tilla madhore dhe tashmë shpreh kënaqësinë e një qarkullimi komod në pjesë të asfaltuar të superstradës Korçë- Qafë Plloçë. "Po bëhet rruga, po bëhet", thonë udhëtarë të ndryshëm që shkojnë drejt Pogradecit apo vijnë prej këtij qyteti në drejtim të Korçës. Superstrada Korçë-Qafë Plloçë po ndërtohet me një fond prej 19 milionë euro, dhënë nga Bashkimi Evropian. Pavarësisht se në disa segmente ecuria nuk është avancuar si në lotin e pestë, në të gjithë gjatësinë prej 29.16 kilometra punohet dhe në një pjesë të mirë ka filluar hedhja e shtresës së parë të asfaltit.
Drejtori i mirëmbajtjes së rrugëve nacionale, Kreshnik Zgjani, tregon se deri në festat e nëntorit, në të gjithë gjatësinë e superstradës, do të ketë përfunduar hedhja e shtresës së parë të asfaltit ose shtresa e konglomeratit, siç quhet në gjuhën teknike. Sipas tij firmat ndërtuese janë të interesuara ta përfundojnë këtë proces sepse në të kundërt, dimri dhe qarkullimi i mjeteve do t'u dëmtojë shtresat që kanë hedhur dhe në pranverë duhet t’i ndërtojnë nga e para. “Këtë kosto investuesi nuk ua njeh firmave private, që ndërtojnë superstradën, ndaj rruga ka për t'u pajisur me shtresën e konglomeratit", sqaron Zgjani. Superstrada Korçë -Qafë Plloçë, e gjatë 29.16 kilometra, me gjerësi 12.5 metra, filloi nga ndërtimi në janar të këtij viti dhe deri tani punimet kanë ecur sipas parashikimeve. Në lotin e parë, të tretë e të pestë ka kohë që ka filluar asfaltimi i shtresës së parë të konglomeratit, ndërsa në lotin e katërt, që fillon nga fshati Sovjan dhe përfundon në luadhet e Grabovicës, puna është disi më prapa. Shpronësimi apo edhe pretendimet e pronarëve të tokës për vlerën e dëshmpërblimit janë ende një pengesë për ecurinë normale të ndërtimit të superstradës Korçë- Qafë Plloçë, duke pasur parasysh se për këtë objekt do të shpronësohen 2216 pronarë. Sipas Zgjanit, shpërblimi për pronarët e tokës truall dhe arë ka hyrë në proces, ndërsa 28 pronarë të objekteve kanë paqartësi rreth vlerësimit të investimeve të tyre. Mes tyre ka nga ata që duan të dinë masën e vlerësimit të pronës pa të lejojnë që të kryhen punimet në pronën e tyre. Kështu po ndodh me disa pronarë në Bulgarec, në Vashtmi, në Sovjan etj. Sidoqoftë, premtimi i firmave ndërtuese se "deri në festat e nëntorit do të kenë hedhur asfaltin me shtresën e parë të tij në të gjithë gjatësinë e kësaj superstrade" deri tani duket i realizueshëm. Rruga Korçë- Qafë Plloçë ka filluar të funksionojë si një superstradë.
...