E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligji për barnat dhe farmacitë në funksion të liberalizimit të tregut

Projektligji për barnat dhe farmacitë është në funksion të liberalizimit të tregut farmaceutik, të heqjes së monopoleve dhe të rritjes së cilësisë dhe sigurisë së barnave, konsideron Ministria e Shëndetësisë. Zv.ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, tha se "MSH ka ndërmarrë një sërë aksionesh në drejtim të liberalizimit të tregut dhe ka një Komitet të Reformës Rregullatore". "Në sajë të ndryshimeve ligjore që janë bërë, ne praktikisht jemi ndër vendet më të mira të rajonit", tha zv.ministri Ivanaj, duke përmendur se "nëse për të bërë biznes duheshin 37 ditë para tre viteve, aktualisht duhen vetëm 8 ditë dhe kjo ndodh në sajë të reformës rregullatore, të reformës më të mirë të liberalizimit të tregut". Në këtë kuadër, janë ndërmarrë dhe ndryshimet në ligjin për farmacinë. Duke u ndalur tek projektligji, zv.ministri i Shëndetësisë thotë se për hartimin e tij ka pasur konsultime me grupet e interesit.

Drejtoritë rajonale
Drejtori i Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës, Mhill Gecaj, përshëndeti projektligjin për decentralizimin e sektorit të licensave dhe në përgjithësi të tregut farmaceutik, klinikave dentare, mjekësore, etj. "Projektligji duhet përgëzuar për vetë faktin që tashmë liberalizohet dhe vetë tregu farmaceutik, si dhe hiqen monopolet", tha ai, duke vënë theksin tek kushtet e mira që krijon projektligji për kontrollin e farmacive, klinikave stomatologjike, laboratorëve, etj, nga DSHP-të. Duke u ndalur tek roli i drejtorive rajonale, zoti Gecaj tha se "na bie një barrë më e madhe për t’i kontrolluar këto institucione, por kjo është në favor të qytetarëve". Përsa i përket kritereve të licencimit të farmacive dhe shpërndarjes së tyre, ai tha se "kanë qenë disa kritere në sektorin e licencave të vendosura nga MSH, sesi duhet të jenë distancat, numri i popullatës, etj, por këto distanca duhen rishikuar".
Farmacistët
Nga ana e tyre, farmacistët shprehin qëndrime të ndryshme në lidhje me këtë draft. Kështu, një prej farmacisteve në qendër të Tiranës, shprehet se "projektligji është i mirë dhe se është e drejtë që farmacitë duhet të drejtohen nga një farmacist me përvojë, apo drejtues teknik". Sipas saj, "kjo është gjë mjaft e mirë, pasi ka raste kur shkon në farmaci dhe gjen bashkëshortët (bashkëshoret), apo persona të familjes që të shërbejnë". Përsa i përket eksperiencës që duhet të ketë një farmacist apo drejtues teknik, farmacistët thonë se duhet të ketë përvojë, por ka një ndarje thelbësore në këtë drejtim. Kështu, farmacistët e vjetër në profesion mendojnë se duhet eksperiencë e gjatë, ndërsa të rinjtë thonë vetëm se duhet përvojë, pa përcaktuar se sa. "Duhet bërë një dallim i madh midis ilaçeve që janë aq të shumtë, ndaj duhet eksperienca dhe jo të rrish e të mos kuptosh se ç’ka shkruajtur doktori", thotë njëra prej farmacisteve. Farmacistët pohojnë se ligji është i mirë në drejtim të procesit të licencimit dhe liberalizimit të tregut farmaceutik. Por, sipas tyre, duhet të ketë rregulla të qarta në shpërndarjen e farmacive (në hapësirë gjeografike dhe numër popullate), por dhe monitorim të fortë e kontroll të vazhdueshëm të tyre. "Pse duhet që farmacitë të jetë kaq afër njëra tjetrës, kur ke zona të pambuluara fare me farmaci", thonë ato, duke shprehur mendimin se duhet të jetë një distancë të paktën 200 metra. Një problem tjetër që ngrenë farmacistët është ai i lidhjes mjek-farmacistë, që impononon zgjedhjet e pacientit. "Duhet bërë shumë dhe në këtë drejtim", theksojnë farmacistët, duke përshëndetur për të gjitha këto propozimin e MSH. Një prej farmacisteve përshëndet dhe nismën e ministres Anila Godo që mjekët duhet të kthehen në zonat e tyre të vendlindjes kundrejt kontratave. "Kjo duhet bërë dhe për farmacistët", thotë ajo, pasi shërbimi duhet bërë atje ku kërkohet, gjë do të ndikonte në rritjen e cilësisë dhe në zonat e largëta.
Shtesat dhe ndryshimet e propozuara në ligj
Projektligji propozon heqjen e lejes së importit për barnat dhe kompetenca për kryerjen e veprimeve të importit u kalon zyrave doganore të hyrjes, që deri tani kryhej nga Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave (QKKB). Drafti përcakton se "barnat e regjistruara në Republikën e Shqipërisë importohen nga importuesit e autorizuar në bazë të regjistrit të botuar të barnave". Ndërkohë, QKKB-ja është struktura, e cila do të përgatisë dhe botojë periodikisht çdo vit, regjistrin e barnave me çmimet përkatëse dhe emrin e importuesve të autorizuar nga kompanitë. QKKB-ja duhet të depozitojë regjistrin e barnave pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave (DPD), si dhe të njoftojë subjektet farmaceutike dhe DPD-në për çdo bar të ri që regjistrohet, çregjistrohet dhe për çdo bar të paregjistruar, që importohet me autorizim të veçantë. Për të ushtruar veprimtarinë e tregtisë me shumicë të barnave personat juridikë, vendas ose të huaj, duhet të pajisen me licencë nga MSH, përcakton drafti, sipas të cilit, për fillimin e veprimtarisë së mësipërme, subjekti i interesuar deklaron se përmbush kërkesat e parashikuara në ligj. DSHP bën verifikimin e deklarimeve të subjektit brenda 20 ditëve. "Veprimtaria e farmacisë ushtrohet nga të gjithë personat, fizikë dhe juridikë, të licencuar nga MSH, kundrejt plotësimit të të gjitha kërkesave, por farmacia lejohet të ushtrojë veprimtari vetëm në prani të drejtuesit teknik ose të farmacistit të punësuar, të cilët duhet të regjistrohen pranë DSHP-ve", përcakton projektligji. Drejtuesi teknik i farmacisë licensohet vetëm për një farmaci. Ndërsa, në zonat rurale, ku nuk ka farmaci, MSH propozon hapjen e Agjencive Farmaceutike, me drejtues teknik ndihmësfarmacist, mbi bazën e vetëdeklarimit të tij për plotësimin e kritereve të kërkuara. DSHP duhet të jetë autoriteti që koordinon, drejton dhe kontrollon të gjithë shërbimin shëndetësor në nivel vendor. Zyra farmaceutike pranë DSHP-së duhet të drejtohet nga një farmacist, figurë profesionale, i diplomuar në farmaci me një cikël unik të paktën 5 vjeçar (Diplomë e Integruar e Nivelit të Dytë). Farmacisti duhet të jetë figurë profesionale e diplomuar në farmaci me një cikël unik të paktën 5 vjeçar (Diplomë e Integruar e Nivelit të Dytë). Në të njëjtën masë, njihen diplomat e lëshuara nga Universiteti i Tiranës, dega Farmaci, sipas programit të mëparshëm të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Gjithashtu, përcaktohet se drejtuesi teknik i importuesit, eksportuesit dhe shpërndarësit farmaceutik është farmacisti, anëtar i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, me një përvojë pune mbi 2 vjet në sektorin farmaceutik, i cili përgjigjet për të gjithë veprimtarinë, teknike dhe profesionale, që zhvillon subjekti në fjalë. Ndërsa, drejtuesi teknik i farmacisë, duhet të ketë një përvojë pune mbi 3 vjet.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›