E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Mjedisi vazhdon të mbetet "thembra e Akilit"

Kryeministri Berisha deklaroi edhe një herë se këtë vit vendi ynë po përjeton një zhvillim të bujshëm të turizmit, ku numri i vizitorëve për herë të parë pritet të kalojë edhe numrin e banorëve vendas.

Sipas z. Berisha, zhvillimi i turizmit duhet të zërë vendin kryesor në axhendën e prefektëve të vendit.

“Numri i turistëve për këtë vit është 12 herë më i madh se ai i vitit 2004. Ndërkohë, është duke u finalizuar me sukses projekti për ndërtimin e të gjitha rrugëve që të cojnë në zonat turistike”, deklaroi kreu i Qeverisë.

Një pikë ku kryeministri lëshoi akuza ndaj prefektëve, ishte mjedisi. “Për ju përparësi madhore duhet të jetë edhe mjedisi, dhe në këtë pikë ju nuk keni bërë sa duhet”, iu drejtua Berisha prefektëve, duke shtuar se vendi ynë ka trashëguar një varfëri ekstreme në këtë aspekt.

“Ne nuk kemi trashëguar vetëdijen e thellë të mbrojtjes së mjedisit. Këtë duhet ta krijojmë me shpejtësi, sepse mjedisi është vetë jeta”, theksoi Berisha në takimin me prefektët e vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›