E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Modeli i ekonomise shqiptare funksionues dhe i suksesshem

“Shqipëria ka një ekonomi të vogël, por dinamike me një model funksionues, që ia doli të përballojë me sukses pasojat e rënda të krizës financiare botërore.

Modeli ekonomik i vendit tim bazohet kryesisht në një qeveri të vogël dhe fakti që në momentin e krizës u gjend me një sektor publik më të kufizuar se vendet fqinje, përbën një fakt të rëndësishëm për sektorin privat”.

Kështu u shpreh kryeministri Berisha gjatë fjalës së mbajtur në takimin ekonomik të EFSE-së, Fondit Evropian për Evropën Juglindore.

Sipas tij, ky institucion, ia doli që në një kohë të shkurtër, të fitojë një emër dhe një prestigj jo vetëm në Ballkan, por në Evropë dhe botë.

Shqipëria ka përfituar deri tani mbi 8.300 kredi nga ky fond, gjë që përbën një ndihmë të madhe dhe me vlerë për zhvillimin e saj ekonomik.

Më tej, Berisha përmendi edhe modelin fiskal që aplikon aktualisht vendi ynë, duke e cilësuar atë të suksesshëm.

“Ne aplikuam uljen e taksave, si atë të të ardhurave personale dhe atë të fitimit, në sigurimet shoqërore, e të gjitha këto u kthyen në një nxitje për biznesin shqiptar, duke krijuar një klimë dhe terren shumë të mirë për investimet e biznesit.

Në vitet e qeverisjes sime, fitimet e biznesit janë dyfishuar”, tha më pas ai.

Duke mos lënë pa përmendur edhe faktin se u vendos një kuadër ligjor dhe bashkëpunim me bankat, sa më i favorshëm për bizneset në vend.

“Sistemi bankar përjetoi kohë të vështira gjithashtu nga efektet e krizës financiare.

Por kjo qe një stuhi afatshkurtër, dhe bankat e vendit u sollën me seriozitet”, shtoi ai.

Ndërkaq, kryeministri përmendi si një ndër faktorët e rritjes ekonomike në vend dhe modelit funksionues të saj, edhe investimet.

“Shqipëria ka një ëndërr – të jetë vend i zhvilluar. Dhe ajo i ka të gjitha mundësitë dhe potencialet për t’u bërë e tillë.

Dhe kështu mund të bëhet vetëm falë investimeve në mijëra projekte, në të katër anët e këtij vendi dhe reformave të mëdha.

Qeveria ime ka këtë koncept: Nuk ka asnjë pëllëmbë tokë për t’u braktisur dhe të shndërrohet në vlerë për qytetarët shqiptarë, çdo pasuri e këtij vendi.

Shqipëria është vendi i vetëm në rajon që mund të bëhet 100% prodhuese e energjisë dhe eksportuese e saj.

2/3-at e rajoneve në Shqipëri, në përgjithësi kanë mundësi të mëdha për investime”, tha më pas Berisha.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›