Botaniku, Mediu kundër Olldashit
Nisja e punimeve pranë Botanikut për ndërtimin e Unazës së Madhe ka rikthyer debatin për cenimin e hapësirave të kopshtit. Tashmë debatet kanë marrë një tjetër kah, dhe nuk janë më vetëm midis qeverisë edhe opozitës, por edhe midis dy ministrave të kabinetit “Berisha”, atij të Mjedisit, Fatmir Mediu dhe ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, që është edhe dikasteri që po drejton punimet. Nga ana tjetër, edhe debatet mes ambientalistëve dhe Ministrisë së Mjedisit, për zbatimin e projektit të Unazës së Madhe të Tiranës, që kalon në Kopshtin Botanik, janë intensifikuar. Ndërsa në Kopshtin Botanik ka nisur prerja e pemëve, ambientalistët kanë akuzuar se zbatuesit e këtij projekti nuk kanë leje mjedisore. “Në atë zonë nuk duhet dhënë leje mjedisore. Ky nuk është një mendim teknik, por mendoj se aty duhet parë tërësisht ky projekt, sepse vlerat e Kopshtit Botanik janë shumë të mëdha”, - shprehet ambientalisti Lavdosh Feruni. Pas kësaj akuze, që rëndon mbi Ministrinë e Mjedisit, që është edhe autoriteti që jep lejet mjedisore, ka ardhur edhe reagimi i parë i ministrit Fatmir Mediu për këtë çështje. Kreu i Mjedisit me deklaratën e tij duket se ka mbështetur shqetësimin e ambientalistëve për ruajtjen e Botanikut, duke u shprehur se që prej ditës së premte po merret me verifikimin e dokumentacionit dhe, nëse subjektet nuk kanë leje, aktiviteti do të pezullohet. “Kushdo qoftë, nuk ka autoritet që të veprojë pa leje mjedisore. Nëse nuk ka leje mjedisore, do të vendosen sanksione, si për çdo aktivitet tjetër”, - deklaroi dje ministri Mediu. Sipas ambientalistëve, minimalisht, pajisja me leje mjedisore shtrëngon kompaninë zbatuese të projektit të mbjellë diku tjetër, të gjitha pemët që do të dëmtohen gjatë ndërtimit të rrugës. Ndërkohë që përkrah ambientalistëve tashmë kanë dalë edhe studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës në kryeqytet, të cilët dje kanë protestuar para Kopshtit botanik, duke kërkuar nga autoritetet përkatëse pezullimin e këtyre punimeve, pasi ato nuk po bëhen në bazë të ligjit e nga ana tjetër ato bëhen pa një leje mjedisore. “Kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të punimeve. Ministria e Transporteve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të na japin argumente të forta se pse kanë dhënë leje për nisjen e punimeve pa pasur akoma një projekt në dorë. Kërkojmë nga Ministria e Mjedisit të marrë rolin që i takon, të influencojë për ndalimin e punimeve deri në marrjen e lejes mjedisore”, - shprehet një studente. Por, para nisjes së kësaj proteste, kreu i Mjedisit, Fatmir Mediu, ka deklaruar se do të shqyrtojë çdo dokumentacion në lidhje me fillimin e këtyre punimeve dhe lejen mjedisore që duhet të kenë subjektet që kanë nisur punimet. Javën e kaluar rinisi puna për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës, në segmentin nga Komuna e Parisit deri në rrugën e re Tiranë-Elbasan. Sipërfaqja e gjelbër, e destinuar të prishet si shkak i ndërtimit të unazës është 9264 m2 dhe shtrihet përgjatë murit rrethues të Kopshtit Botanik. Fadromat kanë nisur largimin e inerteve dhe trungjeve të prerë të pemëve në pjesën e destinuar për ndërtimin e Unazës si dhe është bërë rrethimi i ri i Kopshtit Botanik. Paralelisht me nisjen e punimeve për Unazën qeveria ka akorduar 2 milionë lekë për zhvendosjen e vlerave floristike dhe botanike në brendësi të territorit. Përpos debatit për lejen mjedisore, ndërtimi i Unazës së Madhe ka shkaktuar shumë polemika mes pozitës dhe opozitës, pasi ky projekt prek një pjesë të Kopshtit Botanik.