E Shtunë, 31 Tetor 2026

“E-learning”, projekt pilot në 2 shkolla të vendit për cilësi dhe përvetësim të mësimdhënies nga nxënësit

07-09-2012 / Gazeta 55

Kryeministri takon zv/presidentin e Kompanisë INTEL, John Davies
 
Kryeministri Berisha takoi dje John Davies, zv/president i kompanisë INTEL, korporatë shumëkombëshe e specializuar në fushën e komunikimit dhe informatikës. Berisha shprehu kënaqësinë dhe vlerësimin për nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit mes INTEL dhe zyrës së Ministrit të Inovacionit dhe TIC, një iniciativë për një Partneritet Publik-Privat, që synon përmirësimin e aksesit në internetin me brez të gjerë dhe cilësinë në arsim. Kryeministri tha se ky memorandum është një bazë solide për bashkëpunimin në të ardhmen.
Nga ana e tij, Zëvendës Presidenti i Kompanisë INTEL Davies, e falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe shprehu kënaqësinë që vizitonte Shqipërinë për herë të parë. Gjithashtu, ai vlerësoi bashkëpunimin me qeverinë shqiptare, veçanërisht përmes nënshkrimit të memorandumit të Mirëkuptimit, duke theksuar se kjo iniciativë mbarëkombëtare përfshin pajisjen me laptop të mësuesve, trajnimin e tyre dhe pajisjen e klasave me kompjuter. Zoti Davies theksoi më tej se kompania që ai përfaqëson, përmes programit të quajtur “INTEL Teac”, ka mundësuar trajnimin e rreth 12 milionë mësuesve në gjithë globin dhe INTEL do ta shtrijë tashmë edhe në Shqipëri, në kuadër të memorandumit të nënshkruar dje. Gjithashtu, bazuar në këtë iniciativë, programi do të operojë me një projekt pilot me 2 shkolla shqiptare, duke ndjekur metodën “e-learning”, me synimin për rezultate dhe cilësi të lartë në mësimdhënie dhe në përvetësimin e mësimit nga nxënësit. Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë e tij të plotë për të mbështetur veprimtarinë e INTEL në Shqipëri dhe projektet konkrete të tij dhe çdo iniciativë për mësimin dhe edukimin elektronik në shkolla. Kryeministri theksoi se trajnimi i mësuesve është thelbësor, kryesisht për përdorimin e kompjuterit. Qeveria shtoi ai, po bën çdo përpjekje për të mundësuar shtrirjen e internetit në çdo shkollë të vendit dhe në çdo skaj të largët të tij dhe pajisja e çdo nxënësi me kompjuter, mbetet gjithashtu një projekt i madh në të ardhmen. 
Më tej, Kryeministri Berisha vuri në dukje se INTEL ka shumë arsye që të ketë një prezencë më të madhe në Shqipëri dhe për këtë, qeveria është gati t’i ofrojë lehtësitë e nevojshme që ajo të ketë një qendër rajonale në vendin tonë. Kryeministri shprehu nevojën që INTEL të mund të asistojë edhe universitetet për sa i përket fushës së teknologjisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›