E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Mund të jenë vrarë në kohën e ambasadave

Kryeministri flet mbi ngritjen e një instituti për të zbuluar eshtrat e të ekzekutuarve

Kryeministri Sali Berisha e konsideroi si një lajm thellësisht tronditës varrezën masive të zbuluar në malin e Dajtit në Tiranë, bërë publike nga gazeta “Shqip” një ditë më parë. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, Berisha theksoi se trupat e 19 të ekzekutuarve të varrosur bashkë mund të lidhen edhe me ngjarjen e ambasadave, kur flitej se janë ekzekutuar rreth 50 qytetarë në Malin me Gropa. “Në takimin që diktatori Ramiz Alia zhvilloi me intelektualët, ishte dhe skulptori Montaz Dhrami, që teksa po diskutonin për lirinë e informacionit, zoti Dhrami tha këto fjalë: “Shoku Ramiz, kjo është e domosdoshme, sepse në Tiranë flitet për 50 të pushkatuar në Malin me Gropa”. Përgjigjja ishte se mali ka gropa, por nuk ka kufoma”, kujtoi Berisha rreth 20 vite më parë takimin e tij me Alinë. Por Kryeministri Berisha theksoi se këto trupa mund t’i përkisnin edhe grupit të deputetëve të ekzekutuar pa gjyq. Por Kryeministri theksoi se do të ishin organet kompetente ato që do të zbardhnin të vërtetën për këta trupa. Duke e konsideruar këtë gjetje si një aleph të shpirtrave të të përndjekurve ndaj vendit, Berisha theksoi se do të merreshin masat që të gjendeshin të gjithë ata trupa të varrosur pa adresë. “Ngritja e një institucioni apo e një task force, e cila të mund të gjejë trupat e të rënëve për liri dhe dinjitet njerëzor për besimin te Zoti, besimin te vendi, besimin te vlerat, është e domosdoshme”, tha Berisha. Sipas tij, ligji i lustracionit, i cili ishte miratuar për këtë qëllim, u hodh poshtë në konflikt të plotë interesi nga Gjykata Kushtetuese. “Po pavarësisht nga ky gjykim, demokracia nuk mund të flejë mbi varre”, theksoi Kryeministri. Nisur nga kjo, ai përmendi edhe mundësinë e mbajtjes së një referendumi në lidhje me nevojën e lustracionit në shoqërinë shqiptare. Sipas Berishës, tashmë është koha e miratimit të ligji të institutit të kujtesës kombëtare, i cili do të mundësojë edhe ngritjen e një instituti, i cili do të japë kontributin e tij në zbulimin e të vërtetave të komunizmit. “Ky institut, me punën e tij, me studimet e tij, me të vërtetat që do t’u paraqesë shqiptarëve, mund të japë një kontribut në ndarjen e shoqërisë shqiptare nga periudha më e zezë, më mizore, më barbare e historisë së saj, që ishte diktatura hoxhiste”, theksoi Kryeministri. Po kështu Berisha deklaroi se qeveria do të vendosë shpërblim për të gjithë ata që do të kontribuojnë dhe që kanë dijeni. “Personi që e gjeti këtë varrezë do të shpërblehet. Ne kemi një detyrim të madh, që të mos i lemë në harresë të gjithë ata që u martirizuan për lirinë dhe vlerat e saj”, premtoi Kryeministri. Sipas tij, ekzekutimet dhe zhdukja e trupave kanë shoqëruar diktaturën deri në fundin e saj, në vitin ‘89. Kryeministri theksoi faktin se kjo gjetje, e cila krijon një gjendje të keqe shpirtërore, është një apel i madh për shoqërinë shqiptare.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›