Topalli: Të luftojmë për Korridorin 8
Kreu i Kuvendit
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, e ka përqendruar diskutimin e saj në takimin me ministrin e Jashtëm maqedonas, Antonio Miloshoski, pikërisht me përfundimin e projekteve të mëdha të Korridorit 8, që lidhin rajonin nga Porti i Durrësit deri në Stamboll. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Kuvendit, të dyja autoritetet e larta e cilësuan projektin një investim të madh të infrastrukturës në rajon, që do të forcojë urat e bashkëpunimit mes Shqipërisë, Maqedonisë, Italisë dhe Bullgarisë, veçanërisht në zhvillimin e ekonomisë, rritjen e biznesit, lëvizjen e lirë të mallrave etj. Kryetarja e Kuvendit tha se ka pasur një lobim serioz të Parlamenteve të vendeve të Korridorit 8, duke sjellë në kujtesë, mbledhjen e anëtarëve të Komisioneve Parlamentare të Transportit, vitin e kaluar në Tiranë. “Por, për realizimin e këtij projekti, nevojitet një politikë më agresive nga të gjitha nivelet e pushteteve, legjislativ dhe ekzekutiv, të vendeve të Korridorit 8”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
#