Gjyqësori kërkon pavarësi ekonomike
Gjykata e Tiranës i jep 120 milionë lekë të reja shtetit dhe merr 150 milionë lekë të vjetra. Zeneli: Infrastruktura e trajtimit, e varfër
Nënkryetari i KLD-së, Spahiu: Pavarësia nga shteti, ndihmon punën
Sistemi gjyqësor kërkon pavarësi ekonomike nga shteti shqiptar, duke kërkuar vetadministrim. Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, në analizën vjetore të Gjykatës së Tiranës, kërkoi indirekt që sistemi gjyqësor të jetë i pavarur ekonomikisht nga ekzekutivi, duke këmbëngulur se të ardhurat e fituara nga proceset gjyqësore, të vendosura në formën e gjobave, të shkojnë për investime në gjyqësor. Në fjalën e tij, kryetari i Gjykatës së Tiranës, Artan Zeneli, kërkoi më shumë investime nga shteti për gjyqësorin, duke deklaruar se gjatë një viti kalendarik, gjykata që ai drejton, i jep shtetit 120 milionë lekë të reja dhe merr vetëm 150 milionë lekë të vjetra. Diskutantët deklaruan se shumë vende perëndimore, por edhe fqinje, prej vitesh funksionojnë në vetadministrim, çka ka rritur transparencën e dhënies së drejtësisë.
Analiza
Gjykata e Tiranës bëri dje analizën vjetore të punës së saj. Të pranishëm kanë qenë nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim Haxhia, si dhe Prokurori i Tiranës, Genti Xholi. Në fjalën e hapjes, kryetari i Gjykatës së Tiranës, Artan Zeneli, theksoi se gjykata që ai drejton është më e madhja në vend dhe me një volum të madh pune. Zeneli e vuri theksin kryesisht te buxheti tepër i vogël për këtë gjykatë, që, sipas tij, nuk i plotëson kushtet dhe kërkesat për një pagesë të mirë dhe infrastrukturë moderne. Ai u shpreh se Gjykata e Tiranës i jep shtetit 120 milionë lekë të reja në vit nga taksat që mbledh, ndërsa merr prej tij vetëm një buxhet vjetor që kap shifrën e 150 milionë lekëve të vjetra. “E pra, ju duhet ta kuptoni se në çfarë gjendje është gjyqësori që në momentin kur kemi përpara këto shifra”, tha Zeneli, duke shtuar se sekretaret janë të papaguara dhe për këtë pjesë të gjyqësorit nuk ka buxhet të përcaktuar. Në analizën vjetore të Gjykatës së Tiranës u bë e ditur se në vitin 2009 janë gjykuar rreth 30.000 çështje gjyqësore të trajtuara.
Shifrat
Volumi i punës në gjykatën më të madhe shqiptare është më i larti ndër këto dhjetë vitet e fundit. Pavarësisht këtij fakti, cilësia e gjykimit është e garantuar nga shumica e çështjeve të ankimuara, pasi rezulton se nga Gjykata e Apelit të Tiranës, janë lënë në fuqi 67% e çështjeve civile dhe 53% e atyre penale. “Duke qenë se konfliktet ankimohen, ato i japin peshë reputacionit të gjyqësorit dhe gjyqtarëve”, tha nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu. Ai shtoi se ka lindur nevoja për një infrastrukturë më të mirë, që gjyqtari të mos detyrohet të zhvillojë seanca në zyrë vetëm një metër larg palëve, siç ndodh shpesh në Gjykatën e Tiranës; apo të presë radhën t’i lirohet një sallë gjykimi. “Ka lindur nevoja për një pagesë më të lartë që gjyqtari të mos kërkojë dhe as të mos japë idenë se kërkon forma sekondare shpërblimi që konkurrojnë pagën e tij; qofshin këto ‘orë mësimi nëpër shkolla’ apo ‘aludime mbi veprime korruptive’. Ka lindur nevoja për më shumë mbrojtje fizike të gjyqtarit, i cili gjykon veprimet kriminale të shtetasve të këtij vendi, por që jashtë marrëdhënies së tij të punës është gjithashtu i ekspozuar ndaj rrezikut kriminal. Të gjitha këto janë fragmente të një komponenti të vetëm, të atij komponenti që është pikërisht pavarësia financiare e pushtetit gjyqësor dhe që lidhet me buxhetin e gjyqësorit, me zërin e investimit të shtetit për drejtësi-dhënien”, u shpreh Spahiu. Ai tha se kemi një sistem gjyqësor me 40 gjyqtarë më shumë (me dekret të Presidentit të Republikës së shtatorit 2009) dhe me 70 punonjës të administratës gjyqësore më pak (ligji mbi buxhetin e vitit 2010), dhe pikërisht ky është në përpjesëtim të zhdrejtë.
#