E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërkombëtarët: Jo pushtetit paralel në Veri

Vendet që janë prezente në Kosovë miratojnë planin e Thaçit

“Mungesa e ligjshmërisë në veri të shtetit të Kosovës i ka kushtuar humbje të mëdha, si në aspektin politik dhe atë financiar”, deklaroi Kryeministri Hashim Thaçi në Vjenë, para Grupit Drejtues Ndërkombëtar. Ai theksoi angazhimin e qeverisë që drejton për zbatimin e planit për integrimin e Veriut, pavarësisht ekzistimit të qasjeve të ndryshme ndaj planit në fjalë. “Do të jemi të kujdesshëm dhe të durueshëm, por përfundimisht të vendosur për rendin dhe ligjin në Veri të Kosovës – ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Plani Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës dhe Rezoluta 1244 e KS të OKB-së”, u shpreh Thaçi. Kryeministri i Kosovës ka folur për përparimin e shënuar në Kosovë, por dhe problemet në takimin e Grupit Ndërkombëtar për Kosovën në Vjenë. Grupi Drejtues Ndërkombëtar konfirmoi mbështetjen për Kosovën për perspektivën e saj europiane, ka thënë zëdhënësi i qeverisë, Memli Krasniqi për radion “Europa e Lirë”, pas takimit të përfaqësuesve të këtij Grupi Mbikëqyrës, që u mbajt dje në Vjenë. Ndërkohë, analistët në Prishtinë kanë thënë se momenti më i rëndësishëm i takimit është mbështetja për strategjinë për integrimin e Veriut. Kosova ka marrë mbështetjen Grupit Drejtues Ndërkombëtar për realizimin e objektivave të procesit integrues të saj në BE, thanë zyrtarë të qeverisë së Kosovës. Pas takimit të mbajtur në Vjenë, të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i cili ka rolin e mbikëqyrësit të shtetit më të ri, zëdhënësi i qeverisë, Memli Krasniqi, tha përmes një bisede telefonike nga Vjena, se vendet anëtare u kanë dhënë mbështetje angazhimeve të Kosovës për zbatimin e prioriteteve që kanë të bëjnë me perspektivën europiane të Kosovës dhe me liberalizimin e vizave.
Ndërkaq, në mesin e shumë çështjeve, Krasniqi tha se është diskutuar edhe për strategjinë për integrimin e Veriut të Kosovës. “Ne besojmë se qeveria e Kosovës, nga ajo që u tha, ka marrë mbështetje të fuqishme për të gjitha angazhimet e veta në drejtim të realizimit të objektivave që dalin nga raporti i progresit të vitit 2009, zhvillimet në drejtim të liberalizimit të vizave, pastaj të marrëdhënieve tregtare me BE-në, si dhe është diskutuar për strategjinë për Veriun e vendit dhe për një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me ekonominë kosovare”, ka deklaruar Krasniqi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›