Çmimet e ushqimeve, kurrë më të larta se sot
Rritet inflacioni, arrin në 3.6% afër kufirit të vedosur nga Banka e Shqipërisë
Nëse më parë, duke bërë pazarin qytetarët rrudhnin pak buzët, por e hapnin portofolin dhe i mbushnin çantat, tani ndodh e kundërta. Pas një oboboje të zgjatur, me ato lekë të llogaritura për shpenzimet e ushqimit zgjidhen vetëm dy-tri produkte bazë. Të tjerat janë të ndaluara, për shkak të çmimeve arrogante të tregut. Jo të gjithë kanë mundësi që të shijojnë këtë dimër gjellë të gatuara me patëllxhanë, kunguj apo speca. çmimi i tyre varion nga 300 deri në 400 lekë për kilogram. Për brokolin, selinon, apo fruta ekzotike as që bëhet fjalë. Madje edhe çmimi i spinaqit, i prasit dhe i qepës janë rritur ndjeshëm, duke zmbrapsur edhe ata klientë që për të kursyer diçka në buxhetin mujor preferonin këto produkte, që më parë kanë qenë të lira. Qepët e njoma tanimë shiten me 10 lekë kilogramin, duke lënë amvisat të pashpresa për t’iu shtruar byrekut të shtëpisë. Nga familja e perimeve ajo që të ofrohet më zemërgjerësisht është lakra e bardhë, e bashkë me të edhe era e rëndë që ngrihet nga gatimi i saj.
Por në tregjet kryeqytetase janë kripur së tepërmi edhe frutat. Rritje të çmimit kanë pësuar të gjitha produktet përjashtuar këtu kivin dhe protokollet, që nuk kanë pasur ndryshime.
Sa për rrushin atë nuk mund ta gjesh në çdo dyqan apo treg. Zakonisht tregtohet në ato vende që njihen si pikat më të shtrenjta të fruta-perimeve. Një kilogram rrush sot në Tiranë blihet me 600 lekë. Gështenjat e dala rishtazi kushtojnë 450 lekë kilogrami. çmime të pagëlltitshme kanë edhe fruta të tjera si kumbullat, luleshtrydhet, apo dardhat. Këto janë të gjitha produkte importi ndaj dhe shitësit përpiqen që të sqarojnë qytetarët e irrituar se është rritur shumë euro. Nga ana tjetër, tregtarët e vegjël që kanë populluar rrugët me tezgat e tyre ndihen fort në siklet, duke thënë që edhe te pika e shumicës ku furnizohen çmimet janë tepër të larta. Madje ka edhe nga ata që disa artikuj nuk i tregtojnë, pasi nuk ua blen askush për shkak të çmimeve të larta.
Nga ana tjetër, INSTAT-i ka publikuar edhe të dhënat e fundit mbi indeksin e çmimeve të konsumit në muajin janar 2010, që sipas tyre ka arritur në 106.3 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007. Pra, është shënuar një rritje prej 0.5 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. INSTAT-i ka deklaruar se shkalla e inflacionit ose ndryshimi vjetor në muajin janar është 3.6 për qind. Një vit më parë, ky ndryshim ishte 2.1 për qind. Edhe zyrtarisht është pranuar se në indeksin e grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike” u shënua një rritje prej 1.3 për qind, me një ndikim prej 0.5 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi, rritja më e madhe prej 8.2 për qind vërehet në nëngrupin ‘zarzavate përfshirë patatet’. Këtu përmendet edhe rritja e çmimit të qepëve të thata me 35.7 për qind, domateve me 27.3 për qind, preshit me 14.2 për qind, kastravecëve me 5.4 për qind, lakrës me 2.9 për qind etj. Po kështu, raporti i fundit i INSTAT-it konstaton se çmimet e nëngrupit ‘fruta’ shënuan një rritje prej 0.3 për qind, ku përmendet rritja e çmimit të mandarinave me 8.4 për qind, mollëve me 7.1 për qind, dardhave me 2.7 për qind etj.
Në këtë raport thuhet se gjatë muajit dhjetor çmimet janë rritur edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçohen ato të ‘pijeve jo alkoolike’ me 0.4 për qind, ‘sheqer,reçelra, mjaltë etj.’ 0.2 për qind, ‘peshk’ 0.2 për qind, ‘mish’ 0.2 për qind etj.
Qytetarët vazhdojnë të ankohen se çmimet e orizit, makaronave, sheqerit, apo vajit vazhdojnë të rriten, duke i detyruar që të ulin sasitë e përdorimit të tyre. E përveç tyre është rritur çmimi i energjisë elektrike, gazit dhe tani së fundmi pritet edhe dyfishimi i ujit. Tashmë rrogat e gjithsecilit do të zvogëlohen edhe më shumë, duke ia kushtuar pjesën më të madhe “gojës”, por pa e kënaqur tamam stomakun.
#