E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Mund të ketë krizë

 

ADI SHKEMBI

Dimri i këtij viti duket se nuk do të kalohet lehtë, përsa i përket furnizimit me energji elektrike. Pas një deklarate në një intervistë televizive, Kryeministri Berisha ka folur hapur para deputetëve demokratë për krizën energjetike që mund të prekë vendin këtë vit. Në përfundim të deklaratave për reformat dhe pas largimit të mediave, kreu i qeverisë është ndalur te çështja e furnizimit të vendit me energji elektrike. Sipas tij, qeveria është e predispozuar të bëjë maksimumin në këtë drejtim, duke siguruar kuotat më të larta të importit, por situata duket e vështirë, për shkak të thatësirës së madhe. "Unë ju siguroj se qeveria do të blejë energji elektrike sa të mundet, por do të ketë vështirësi të furnizimit me energji, pasi duhet theksuar se ka pasur mungesë reshjesh", mësohet të ketë thënë kreu i qeverisë para deputetëve demokratë. Një gjë të tillë Kryeministri Berisha e kishte paralajmëruar edhe pak ditë më parë në një intervistë televizive, gjatë kohës që në parlament po miratohej buxheti i vitit të ardhshëm. Sipas Berishës, thatësira e madhe në vend do të ndikonte edhe këtë vit në furnizimin me energji elektrike. Pas deklaratës së kreut të qeverisë të enjten në mbrëmje, një ditë më vonë nisën ndërprerjet e energjisë elektrike në disa qytete të vendit, ndërkohë që jashtë hartës nuk ngeli as Tirana. Për të tretin vit në këtë mandat, qeveria përballet me një krizë energjetike. Fillimisht në vitin 2005, të sapoardhur në pushtet, të djathtët u përballën me një prej krizave më të rënda të mungesës së energjisë elektrike. Ndërkohë që një gjë e tillë u përsërit edhe në vitin 2007, me ndryshimin se mungesa e dritave filloi që në verë. Kjo gjendje solli reagimin e deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët në mbledhjet e grupit parlamentar disa herë radhazi ngritën pikërisht shqetësimin e mosfurnizimit të qyteteve me energji. Madje sipas tyre, mungesa e energjisë elektrike i ka vënë në vështirësi marrëdhëniet me bazën e partisë. Megjithatë, në ndryshim nga dy krizat e kaluara të energjisë, këtë vit, zgjidhja e saj bëhet akoma imediate, po të kihet parasysh fakti se muajt e parë të vitit të ardhshëm do të përkojnë edhe me nisjen e fushatës elektorale për zgjedhjet për parlamentin.

Zonat pa energji

    Min. e Shëndetësisë
    Qyteti studenti
    Farka
    ATSH
    Ura e tabakëve
    Ali Demi
    Porcelani
    Rruga "Bardhyl"
    Rruga e Elbasanit

Ulen temperaturat rritet konsumi i energjisë

Ulja e temperaturave është shoqëruar me rritjen e kërkesës për energji. Sipas të dhënave më të fundit nga KESH konsumi energjisë këto ditë ka arritur në 19.7 milionë kwh nga ku, 10.5 milionë kwh është prodhim vendas dhe pjesa tjetër e importuar. Ndërkohë, reshjet e ditëve të fundit kanë përmirësuar situatën hidrike në Fierzë, ku prurjet e ujit kanë arritur në 189 metër kub në sekondë dhe niveli i ujit rritet me 17 cm. Sipas të dhënave më të fundit nga KESH niveli i ujit në hidrocentralin e Fierzës është 169.49 metra. Por ditët e fundit i gjithë vendi është përballuar sërish më ndërprerje të energjisë elektrike. Sipas burimeve nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, mungesa e energjisë elektrike ka ardhur si pasojë e remonteve apo e defekteve. Sipas tyre, OSSH nuk po aplikon një grafik kufizimesh. Ndërkohë që nga dita e martë nëntë zona të Tiranës nuk do kenë energji elektrike, duke nisur që nga ora 8.00 e deri në orën 16 e 30. Shkak për këtë janë remontet. Konkretisht specialistët e OST-së janë duke kryer punimeve në linjën e 110 kv Tiranë-Uzina e traktorit dhe për pasojë në disa zona të Tiranës, do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike. Në fakt, ky remont ka nisur që më 18 nëntor dhe ishte planifikuar të përfundonte më 22 nëntor. Por fatkeqësisht ekspertët e OST-së nuk kanë mundur të kryejnë brenda këtij afati kohor punimet e nevojshme dhe për pasojë, remonti u shty edhe disa ditë të tjera. Sipas OSSH-së punimet në këtë linjë pritet të përfundojnë sot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›