E Shtunë, 31 Tetor 2026

Task-Forca Shqipëri-BE do të mblidhet më 2 dhjetor

 

Brukseli i kërkon Shqipërisë ngritjen e strukturave të reja të përbashkëta, që do të shërbejnë për periudhën pas hyrjes në fuqi të MSA-së. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu gjatë raportimit të djeshëm në komisionin parlamentar. Sipas saj, së shpejti pritet të zhvillohet një takim në Bruksel në kuadër të Task-Forcës Shqipëri-KE. "Në datën 2,3 dhe 4 dhjetor në Bruksel do të zhvillohet Task Forca Konsulative (CTF) dhe Komiteti i Përbashkët (Joint Committee) BE-Shqipëri, ku palës shqiptare i është kërkuar të paraqesë rregulloren mbi ngritjen e strukturave të reja të quajtura nënkomitete, të cilat do të zëvendësojnë grupet aktuale të punës dhe që janë struktura, të cilat shërbejnë për periudhën pas hyrjes në fuqi të MSA-së", deklaroi ministrja. Sipas Bregut, kjo është një kërkesë në avancë, pasi Shqipëria ende nuk ka përmbyllur ratifikimin e MSA-së nga vendet anëtare. Në këtë mbledhje të Komisionit parlamentar të Integrimit, ministrja i njohu deputetët e maxhorancës dhe opozitës, lidhur me kërkesën e Brukselit për të ngritur strukturat e përbashkëta, që do të nevojiten pasi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit mes BE-së dhe Shqipërisë të hyjë në fuqi. Duke e konsideruar këtë kërkesë një lajm të mirë, Bregu tha se "është pikërisht vullneti i treguar nga qeveria për thellimin e reformave të ndërmarra dhe vizioni i qartë i zbatimit të këtyre reformave, çka ka shtyrë Komisionin Evropian ta përshpejtojë zyrtarizimin e kësaj kërkese". Në këtë takim pritet që të jepen edhe direktivat e fundit të BE-së në lidhje me procesin e reformave në vend, si dhe në lidhje me përgatitjen e Shqipërisë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›