Raporti i KE rikthen debatin në Kuvend
BLEDAR HOTI
Ministrja Majlinda Bregu raporton përpara komisionit të Integrimit për progres-raportin e KE-së për Shqipërinë. Rekomandimet e BE-së ndaj Shqipërisë ishin pjesë e diskutimeve në komisionin parlamentar të Integrimit, ku e ftuar ishte edhe ministrja, që mbulon këtë çështje në qeverinë Berisha. Deputetët e opozitës dhe të maxhorancës debatuan në lidhje me raportin e paraqitur, duke treguar se të dyja palët e lexojnë atë në dy pjesë të ndryshme. Duke konsideruar progres-raportin si dokument pune të qeverisë shqiptare, ministrja e Integrimit, Bregu veçoi si pika të rëndësishme përfundimin e Reformës në Drejtësi dhe thellimin e luftës kundër korrupsionit. Ministrja shtoi se ndryshe nga vitet e tjera, në progres-raportin e këtij viti, përbri çdo fushe përmendet fjala progres, pavarësisht se diku ai është shumë i pranishëm, e diku më pak. Kryetari i komisionit të Integrimit, Ilir Meta u fokusua në problemet që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi, duke theksuar se mungon një vizion në tërësi dhe një strategji e gjerë, pavarësisht miratimit të ndonjë ligji. Në përgjigje të shqetësimit të ngritur nga kryetari i komisionit Meta, ministrja e Integrimit ka pohuar, se gjyqësori dhe drejtësia janë probleme madhore, e një reformë që bëhet me konsensus. Duke përmendur disa konstatime të raport-progresit, shqetësimit që kanë të bëjnë me pavarësinë e institucioneve kushtetuese, pavarësinë e gjyqësorit, me nivelin e ulët të ekzekutimit të vendimeve të Përmbarimit, buxhetit të pamjaftueshëm për gjykatat, apo dhe shqetësimi lidhur me mos konsultimin e gjerë të projektligjit "Për prokurorinë", Meta kërkoi nga ministrja Bregu, sesi i lexon qeveria këto shqetësime të shprehura edhe në raport-progres. Duke replikuar me deputetët e opozitës, Bregu sqaroi vlerësimet e progres-raportit rreth procesit të përafrimit të legjislacionit me acquiscommunautaire, proces ky që do të vazhdojë gjatë; pavarësisë së institucioneve kushtetuese dhe veçanërisht ligjit "Për prokurorinë" që tashmë ka përfunduar. Sipas saj, për ligjin "Për prokurorinë" dhe për administratën gjyqësore është arritur një konsensus me shoqatat e ndryshme. "Pavarësisht nga gjuha pak më e zbutur, këtë vit lidhur me problemet e korrupsionit, në mënyrë të veçantë, unë do të theksoja rëndësinë e madhe që merr ajo pjesë e progres-raportit, të cilën zonja ministre pothuajse nuk e preku fare, që vë në mënyrë të veçantë theksin mbi problemet, që kanë të bëjnë me pavarësinë e institucioneve kushtetuese dhe shtetërore në vend", deklaroi Meta pas mbledhjes.