Meta: Shulz negocioi, Rama refuzoi takimin
Kreu i LSI-së Ilir Meta, tha dje për herë të parë se kreu socialist Edi Rama nuk pati vullnetin t'i përgjigjej ftesës së kryetarit të socialistëve të Parlamentit Evropian Martin Shulz për të gjetur pika bashkëpunimi. Këtë deklaratë Meta e bëri mbrëmë gjatë emisionit "Opinion" të Blendi Fevziut në TV Klan. "Pas 21 prillit unë e kam ftuar zotin Rama, për të biseduar, pati dhe një përpjekje dhe nga kryetari i deputetëve socialistë në PE, zoti Shulz për një takim; unë u paraqita në takim, zoti Rama nuk erdhi në atë takim, por unë jam i qetë se që atëherë i thashë zotit Shulz se PS do të bëjë edhe këtë lojë si Kushtetuta me zgjedhjet e ardhshme", tha Meta. Kreu i LSI duke shpallur ambiciet e kësaj force, tha se LSI është forcë e tretë dhe hyn në zgjedhje për të dalë forcë e parë, ndërsa çështja e koalicioneve mbetet për të vendosur pas zgjedhjeve. Duke folur për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen me PS, Meta tha se PS duhet të duhet të vijë në qëndrimet e LSI, duke korrigjuar qëndrimet e njëanshme të saj në kurriz të Lëvizjes Socialiste për Integrim. "Bashkëpunimi me PS-në, nëse socialistët vijnë tek qëndrimet tona", tha Meta. Kreu i LSI-së u shpreh gjithashtu se në zgjedhjet e 2009 kjo parti e ka betejën me Sali Berishën dhe maxhorancën aktuale. Duke komentuar pyetjet e analistëve, Meta tha se greva e urisë e 10 deputetëve të parlamentit shqiptar, ia arriti qëllimit të saj, pasi mundi të sensibilizonte opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar për deformimin e votës së shqiptarëve. "Kur një force politike, si LSI, i bëhet një padrejtësi me ligj, me paramendim, po qytetarit të thjeshtë, si mund të ankohet apo të protestojë për një padrejtësi? Unë them se edhe pse nuk ishte e dëshirueshme, greva solli një precedent, sepse ishte parimore, paqësore kundër një padrejtësie. Mendoj se greva arriti objektivat e saj, nuk kishim rrugë tjetër, fjalët dhe përpjekjet tona ne i kishim shteruar. Çdo gjë nga ana e PD-PS ishte e qëllimshme, komisioni Zgjedhor u shty disa herë qëllimisht. Ishte greva që e bëri Kodin Zgjedhor më të ndjeshëm dhe më të prekshëm për qytetarin. Greva ishte shumë legjitime, Kodi Zgjedhor ilegjitim", tha Meta. Duke folur për krizën brenda të majtës dhe rrugët për zgjidhjen e saj, Meta tha se mes LSI dhe PS ka probleme integriteti në qëndrime. "Kemi dy filozofi të ndryshme, për shtetin, Kushtetutën dhe demokracinë, por dhe në raport me zhvillimin ekonomik dhe social. "PS-LSI ka dhe problem integriteti; në 2005, kush e bëri Megadushkun?, nëse në 2001 ndodhi aksidentalisht, në 2005 u bë përmes një strategjie nga lidershipi i PS për të dëmtuar LSI. Më pas, në momentin që kandidonte zoti Rama, ne bëmë një marrëveshje që bazohej jo vetëm nga distancimi i së shkuarës së PS, por në zgjedhjet e 2007 ne nuk nxorëm asnjë kandidat të pavarur përballë atyre të së majtës. PS dhe të tjerë nxorën kandidatë të pavarur. Në zgjedhjen e Presidentit ne vendosëm të mos nxirrnim asnjë kandidat, PS nxori 8 kandidatë. Dhe në qëndrimet e mëpasme, që kanë lidhje me ndryshimet kushtetuese, apo Kodin Zgjedhor. LSI ka integritet, ndërsa PS nuk e ka treguar këtë", tha Meta. a.l