Berisha: Nano jo kandidati ynë për president, në atë post një nga drejtuesit e PD
Jeni i sigurt që axhenda juaj nuk do të reduktohet apo modifikohet pas kësaj që ju ndodhi?
Në rast se ndjehesh mirë, vazhdojmë deri në orën 01:30 të natës sot.
Ishte virozë apo emocionale?
Ky është i treti që më ka ndodhur në sfondin e një viroze..
A ishte kjo (zgjedhja e kryetarit të KLSH-së) një gjest paqeje mes jush dhe kësaj mazhorance me Presidentin e Republikës?
Që të jem i sinqertë, nuk besoj se kanë asnjë interes më për publikun marrëdhëniet e kësaj mazhorance me Presidentin Topi...
ǒdo të thotë që nuk ka asnjë interes?
Po nuk ka asnjë interes. Presidenti Topi është në detyrë. Vazhdon detyrën e tij. Ne i kemi bërë të qarta qëndrimet tona. Ai i ka bërë të qarta qëndrimet e tij dhe nuk ka asnjë lloj...
Me shfaqjen publike të Topit për krijimin e një partie të re, a vështirësohet marrëdhënia institucionale mes Presidentit dhe mazhorancës?
Në historinë e një vendi nuk mund të ketë asgjë më rrënuese për atë institucion që është qendror i shtetit sado që është simbolik, por është kreu i shtetit, sesa deklarimi i tij në detyrë dhe përpjekja e tij për të krijuar një parti. E vërteta është që me këtë, një kundërshtar nuk të ndihmonte dot më shumë se kaq. Nëse qe puna për kundërshtar, po të jetë puna pastaj për dinjitet shtetëror, kjo përbën një gjest jashtëzakonisht të rëndë sepse ti je i detyruar, je republikë e mirëfilltë parlamentare, je president qartësisht jashtë forcave politike dhe në një republikë parlamentare Presidenca kurrë nuk mund të jetë një parti politike. Imagjino sikur këtu janë dy forca të mëdha politike dhe del një partiçkë dhe thotë që jam unë në Presidencë...se çfarë fyerjeje për atë institucion... dinjiteti i atij posti nuk të lejon kurrë që ti të shpallesh i anësuar në një parti. Je zgjedhur dhe ke bërë një betim në Kushtetutën e vendit, ke dhënë edhe një dorëheqje nga funksionet e mëparshme...Për mua, për një kryetar shteti në një republike parlamentare, kjo nuk ndodh dhe nuk mund të ndodhte. Ai ka një rrugë që askush nuk mund ta qortonte. Të jepte dorëheqjen. Zotëri, meqenëse mazhoranca që më kandidoi mua ka deklaruar publikisht që nuk do ta kandidojë dhe unë po e them që nuk do ta kandidojmë, atëherë...
Ju po thoni që nuk do ta kandidoni?
Absolutisht jo.
Nëse e kandidoni ju, mund të shmangni krijimin e një partie të re?
Jo, zotëri. Kompromise të tilla nuk bëhen, sepse kjo do të thotë të votosh një president që tenton krijimin e një partie që të dëmton ty. Kjo nuk ka moral.
Është kalkulim politik?
Pazare me Presidencën nuk bëhen. Unë kam bërë koalicione edhe me kundërshtarë të mi dhe i kam bërë ato me transparencë. Nëse dikush thotë që për shkak të mungesës së mandatit unë do të krijoj parti, atëherë them që po, ti mund të krijosh parti, por jep dorëheqjen...Kur një njeri i votëbesuar në karrigen më të lartë të shtetit, një ditë prej ditëve deklaron se unë do të kem parti politike sepse nuk më kandidojnë për së dyti, atëherë që në këtë moment ti ke humbur çdo lloj besueshmërie. Se do të kesh ti një forcë politike 0.2% apo 12% apo 22% kjo është diçka tjetër, por këtë që bën, e bën në kundërshtim me dinjitetin, ligjet, frymën dhe moralin e institucionit të Presidencës.
Lidhur me abstenimin e tre deputetëve për KLSH...?
Ky rast nuk regjistrohet...
Sot PS ka bërë publik emrin e Avokatit të Popullit?
...Z.Rama e përdori në mënyrën më të veçantë. E fabrikoi nga zyrat e partisë... PS është një parti institucionale. PS ka një grup të fuqishëm parlamentar. Ajo ndërtesë e Kuvendit, edhe për metër katror është e ndarë në mënyrë të tillë që PS ka një pjesë të madhe. Tani të përdorësh zyrat e PS-së për të zgjedhur Avokatin e Popullit, bën politizimin më ekstrem të një posti që nuk duhet të jetë i politizuar... Së dyti, kush është ky zotëria? Ky është një propozim, një sponsorizim direkt i ‘2K’ së Koço Kokëdhimës... Ky do t’i marrë votat sepse ne kemi pasur një kriter. Neve na shkonte mendja se do të vinte një avokat, që në radhë të parë do të mbronte interesat e qytetarëve opozitarë e qytetarëve shqiptarë, e jo interesave e klaneve më të ngushta që e synojnë Edi Ramën... Pra zgjedhja është më fatkeqja. Por fjala e dhënë është fjala e dhënë. Zotëria do të marrë votat...
Në të gjitha rastet e keni kritikuar librin e z.Rama dhe gjithandej thoni që nuk e keni lexuar. Z.Rama ju ka përshëndetur si lexuesin e tij më të mirë. E keni lexuar?
Ai është bërë tmerrësisht obsesiv që unë t’ia lexoj librin, e keni vënë re? Ai vdiq që unë t’ia lexoj librin...
Në fakt, ai është i bindur që ju ia keni lexuar librin. Ia keni lexuar apo jo?
Në fakt ndershmërisht, po ta kisha lexuar do ta kisha thënë. Por nuk e kam lexuar sepse nëse nuk kam lexuar librin, kam lexuar shumicën e shkrimeve të bëra për librin...
Si mund të thoni mediokër pa e lexuar?
Kam parë shkrimet.
A u ndjetë xheloz për librin e Ramës?
Absolutisht m’u bë qejfi. I uroj të shkruajë vëllimin e dytë. U ndjeva keq vetëm kur e shpalli veten kurban timin. Imagjino ti mua si Ibrahimin, që Zoti më çoi mua si kurban Edi Ramën. Pastaj e kuptoi që e kishte keq dhe tha që jo, nuk jam unë kurbani.
A do shkruani edhe ju një libër në modën e re të librave?
Jo, unë do bëj punët. Jo sigurisht që punët kërkojnë obligimin e tyre. Kam një problem me memoriet, kam qenë në tërësi i vendosur të mos shkruaj memorie. Në një moshë shumë të hershme, pasi shkrova e shkrova poezi dhe pasi pashë se të gjitha ishin nga mendja dhe jo nga zemra, e mbylla e u betova që të mos shkruaj më. Mora shkruajta një tregim, mbusha një fletore me tregime, e lexova, e rilexova dhe sërish pashë se nuk dilte nga zemra, por nga mendja, vendosa të mos shkruaj më se do bija në mediokritet.
Është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes politike emri i Fatos Nanos si kandidat për President...
Unë i kam shprehur qëndrimet e mia ndaj këtij problemi. PD do ketë kandidatin e vet, të garantoj për këtë dhe do zgjedhë atë kandidat që do paraqesë.
PD, atë kandidat do ta ketë që vjen nga radhët e saj, apo dhe jashtë politikës që do propozohet nga PD?
PD ka të drejtën e saj të kandidojë çdo drejtues të saj për President Republike. PD ka një numër të madh personalitetesh që mund t’i promovojë në atë post. PD nuk ka pengesë për të përzgjedhur kandidatin më të mirë për postin e Presidentit.
Ju nuk i keni votat zoti Berisha si PD, se keni 70 vota...
I kemi të plota me aleatin tonë, LSI-në.
Do të thotë kjo që Presidenti do i mbetet në dorë për ta zgjedhur LSI?
Ky koalicion ka funksionuar deri më sot dhe funksionon në mënyrën më të përsosur.
Si?
Ka një përcaktueshmëri, ka një formulë që ka funksionuar shumë mirë.
Zoti Berisha, a do të jetë Topalli kandidate e PD për presidente?
Tani edhe një herë, pavarësisht nga ato çka unë thashë këtu për zotin Topi, zoti Topi është President deri ditën që i skadon mandati dhe absolutisht nuk do ketë as edhe një emër. E kam parim unë këtë. Zonja Topalli dhe disa zonja e zotërinj të tjerë, drejtues të PD-së, kanë të gjitha kualitetet dhe cilësitë për të qenë në atë post. Nuk ekziston dhe s’do ekzistojë asnjë emër deri sa të nisë gara.
A është zonja Topalli kandidaturë e mundshme?
Kandidaturë e mundshme janë të gjithë drejtuesit e PD.
Përfshi kryetarin e PD-së?
Po them të gjithë drejtuesit e PD. Padyshim që kryetari do ishte i pari, por kryetari ka bërë deklaratat e veta.
I qëndroni atyre deklaratave para tre muajve që nuk do kandidoni për President?
I qëndroj.
Pra i qëndroni faktit që ju nuk do shkoni të kandidoni për president?
Ke parë ndonjëherë që të mos i qëndroj deklaratave të mia? Nuk ke parë asnjëherë.
Kishte shumë zëra që thoshin se ju do zgjidhnit postin e presidentit për të shmangur impenjimet e mëdha që kërkon posti i Kryeministrit...
Një episod një herë në 10 vjet do të thotë që është i papërfillshëm në veprimtarinë tënde.
A do jetë kandidat i PD zoti Nano?
PD do ketë kandidatin e vet, zoti Nano është një lider historik i së majtës.
Dhe përjashtohet që do përzgjidhet nga ju?
Pa diskutim.
Do jetë një president konsensual apo një Ppresident sipas Kushtetutës?
Në rast se opozita do të nënkuptonte me konsensus presidentin e propozuar nga PD, ne do ta vlerësonin. Por kjo nuk besoj se ndodh.
A do bashkëpunoni me PS-në për të zgjedhur një president?
Presidentin e vendit do ta zgjedhim në përputhje me Kushtetutën e vendit. Me të gjitha konditat, integritetin dhe kushtin… ajo reformë ka qenë një reformat më të rëndësishme të bëra ndonjëherë në Shqipëri. Partia Socialiste… Këto kanë qenë vite të konsolidimit të sulmeve të furishme të konstitucionalizmit. Por kanë qenë dhe vitet që është konsoliduar kushtetutshmëria në këtë vend. Kjo është faktuar në mënyrat më të përsëritura në çdo rast. Dhe kjo kështu do jetë. Sepse theksoj edhe një herë, unë jam shumë i kënaqur që sot ka një dialog me opozitën në parlament. Opozita pranoi atë që i është ofruar 2 vite më parë. Ishte ofruar varianti që harto çdo amendament çoje për opinion në Komisionin e Venecias dhe sille ta votojmë pa kushte. Nuk e pranoi atë variant, sepse edhe ta shkruante ligjin dhe të humbiste zgjedhjet do ishte fatale dhe tha nuk e bëj atë dhe bëri variantin tjetër.
Pra ju do t’i qëndroni Kushtetutës?
Absolutisht.
Me 71 vota?
Kushtetuta ka të përcaktuar si zgjidhet presidenti, ne zotohemi që t’i japim një personalitet serioz në krye të Presidencës.
Pra, ju jeni i bindur se presidenti i ardhshëm do jetë i PD ose i këtij koalicioni dhe jo një figurë tjetër që mund të vijë nga opozita apo jashtë politikës?
Jo, nga jashtë nuk mundet. Është një post politik. Presidenti i vendit nuk është Avokati i Popullit.
Prej disa kohësh nuk keni bërë ndryshime thelbësore ndoshta prej vitit 2009 dhe duket që një numër ministrash po vijojnë të jenë prej 6 vitesh në kabinetin tuaj. A keni ndërmend të rifreskoni kabinetin?
Nuk mundem unë të lëviz qeverinë për kureshtje gazetare. Pse? A u bënë zgjedhjet? Për çdo qeveri ka një test, të cilat janë zgjedhjet. Dhe zgjedhjet e 2011 janë suksesi më i madh i kësaj mazhorance. Nuk janë ministritë ruleta që t’i ndryshosh. Njeriu që punon, performon dhe vlerësohet për atë që ka dhënë.
Nuk parashikoni ndryshime të shpejta në qeveri?
Edhe një herë, ndryshimet bëhen kur është e nevojshme të bëhen. Por nuk bëhen ndryshime për ndryshime kurrë në një qeveri. Dhe unë e kam faktuar këtë. Në qoftë se paraardhësit e mi qarkulluan në karriget e ministrave 74 ministra, faktikisht vendosën modelin e mosqeverisjes.