E Diel, 1 Nëntor 2026

Surpriza në Kuvend Si ndihmoi opozita zgjedhjen e Leskajt në krye të KLSH

SHKRUAN: Fejzi Braushi 16-12-2011 10:36

Opozitës i mungojnë katër deputetë dhe Dule i BDNJ voton pro, kur maxhoranca zbriti në 69 vota. Nëse PS do të ishte e plotë dhe Dule do të votonte kundër, mazhorancës do t’i duheshin 70 vota, të cilat dje nuk i kishte

Rrjedhja e votave nga maxhoranca dhe mungesa e disa deputetëve të opozitës e kanë çuar Bujar Leskajn për një mandat 7-vjeçar në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Pavarësisht përpjekjeve për të shtrënguar radhët dhe unifikuar votën e të gjithë deputetëve të saj, opozita nuk ka mundur të shfrytëzojë dot dje në sallën e Kuvendit shansin që i është ofruar nga disa deputetë të djathtë të cilët kanë abstenuar, për të thyer mazhorancën në votimin e Leskajt. Shkak janë bërë pikërisht mungesat e katër deputetëve të saj: Pandeli Majko, Kastriot Islami, Rudina Seseri dhe Dritan Prifti, si dhe vota pro që ka dhënë kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule për dekretin e Presidentit. Në rast se opozita nuk do të kishte katër mungesa në sallë dhe gjithashtu nëse Dule nuk do votonte pro, Bujar Leskaj nuk do mund të kishte marrë dot pëlqimin e Kuvendit, pasi numri i deputetëve në sallë do të shkonte në 138 dhe për të miratuar kandidaturën e presidentit do të duheshin 70 vota, kur maxhoranca dje arrinte në 69 të tilla.

Mazhoranca

Gati katër javë pasi kreu i shtetit Bamir Topi shpalli dekretin e dytë për të emëruar Bujar Leskajn si kryetar të KLSH-së, Kuvendi ka mundur më së fundi të japë pëlqimin për të, duke zëvendësuar në këtë mënyrë republikanin Robert Çeku. Por votimi i Leskajt ka qenë një nga momentet më të vështira të mazhorancës, e cila në qëndrimin e saj politik, pavarësisht se propozimi i Presidentit sërish ishte bërë pa u konsultuar me Kuvendin, kishte shprehur votën e saj pro, ndërkohë që opozita nga ana tjetër kishte vendosur të votonte kundër. Vështirësitë për shumicën kanë ardhur si pasojë e qëndrimit jomiratues të kësaj kandidature nga 3 deputetët e saj, Ilir Rusmali, Viktor Gumi dhe Fatos Hoxha, të cilët dje ndryshe nga grupi i tyre kanë abstenuar. E ndërsa kjo ishte diçka e parashikuar për mazhorancën, ajo që ka vështirësuar më shumë situatën ka qenë mungesa e kryeministrit Berisha si dhe e kreut të PDIU, Shpëtim Idrizi. Në këtë mënyrë duke llogaritur tri votat abstenim dhe dy mungesat, mazhoranca praktikisht kishte të humbur shumicën e duhur në sallë, pasi kishte vetëm 69 vota.

Opozita

Por si shumë herë të tjera, ka qenë opozita ajo që ka shpëtuar mazhorancën edhe kësaj here. Kështu, karta e shpëtimit për shumicën qeverisëse kanë qenë disa deputetë socialistë dhe të opozitës, të cilët pavarësisht se ishin urdhëruar që të ishin prezent në sallë gjatë votimit të Leskajt, ata sërish kanë munguar. Binte në sy mungesa e Pandeli Majkos, Kastriot Islamit, Rudina Seserit dhe Dritan Priftit. Dy të parët kanë mundur ta sqarojnë pozicionin e tyre, dhe më konkretisht vetë Majko ka sqaruar për MAPO-n se mungesa e tij s’kishte të bënte me ndonjë arsye tjetër, veç angazhimit të tij në një takim të programuar më parë. Ndërkohë që Islami ka sqaruar në faqen e tij në Facebook se nuk ishte dakord me vendimin e grupit për të votuar kundër Bujar Leskajt. Ndërkohë që deputetja tjetër socialiste, Rudina Seseri gjendej jashtë vendit. Ndërsa Prifti, për shkak se nuk është pjesë e grupit socialist, nuk e ka pasur të detyrueshme të ishte prezent, ashtu siç ka bërë shpesh gjatë kohëve të fundit. Por sikur të mos mjaftonin këto mungesa, opozitës i ka rrjedhur dhe vota e aleatit të tyre Vangjel Dule, i cili i është bashkuar papritur qëndrimit të mazhorancës duke votuar pro Leskajt. Për mediat ai ka sqaruar se vota e tij ishte pro dekretit të Presidentit. Duke i marrë të mirëqena dy mungesat e mazhorancës dhe votat abstenim të tre demokratëve, opozita në rast se do të ishte e plotë në numra dhe e unifikuar në qëndrim, atëherë do të bënte që dekreti i kreut të shtetit të mos merrte më shumë se 69 vota, po aq sa do të ishte dhe shumatorja e votave kundër dhe abstenim. Pra nuk do mund të sigurohej 50% + 1 të votave të pjesëmarrësve në sallë. Si pasojë e këtyre veprimeve, Leskaj ka marrë 70 vota pro, 61 kundër dhe 3 abstenime.

Islami: Vendimi i PS për të

votuar kundër Leskajt, mediokër

Ashtu si në mazhorancë, edhe në opozitë ka pasur deputetë që nuk kanë qenë dakord me qëndrimin e mbajtur nga grupi i tyre socialist. Njëri prej tyre është edhe Kastriot Islami, i cili para se të votohej në Kuvend për dekretin e Presidentit, në faqen e tij në rrjetin social Facebook kishte shprehur hapur mospajtimin e tij me qëndrimin e mbajtur nga grupi dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, për kandidaturën e Bujar Leskajt. Sipas tij “vendimi i Ramës për të votuar kundër kandidaturës së Bujar Leskajt, është mediokër politikisht... i keqkëshilluar dhe jolargpamës...”. Kjo sipas tij, pasi nuk qëndron më argumenti se Leskaj është një kandidaturë politike, pasi vetë PS ka propozuar në rastin e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë një emër politik. “Këtë shembull negativ e dha PS me rastin e emërimit të Ermelinda Meksit dhe të përzgjedhjes së personazheve politike për Avokat të Popullit. Dhe Berisha e futi në kurth duke e pranuar këtë kandidaturë politike. Për më tepër, këtë lloj përzgjedhjeje e ka bërë Topi, i cili ka pasur mbështetjen e Ramës. Zonja Meksi, a nuk ishte një ushtar politik, atëherë përse e propozoi Rama? Dhe ky ishte kurthi ku ra Rama dhe tani e përdor Berisha...”, - shprehet më tej Islami në komentet e tij. Më tej ai, duke marrë shkas nga ky debat, thekson se zgjidhja duhet të jetë përcaktimi i kritereve të qarta dhe procedurave pa ekuivoke të mënyrës së zgjedhjes së kandidaturave në postet e larta. “Rruga për emërimin apo përzgjedhjen e kandidaturave për në krye të institucioneve kushtetuese nuk është ajo që kërkon një shtet ligjor. Mënyra më e mirë do të ishte që PS dhe PD të ulen të hartojnë kapituj të veçantë në Rregulloren e Kuvendit për a) kriteret, përzgjedhjen dhe emërimet e Avokatit të Popullit, anëtarëve të Bordit të BSH e tjerë; b) kriteret dhe debatin lidhur me kandidaturat që vijnë me dekret nga Presidenca. Rruga e ndjekur për emërimin e anëtarëve të Bordit të BSH, për caktimin e kandidaturave për Avokat të Popullit apo trajtimin e të gjitha kandidaturave të ardhura me dekret të Presidentit, legalizon natyrën partiake të këtyre përfaqësuesve të lartë të institucioneve Kushtetuese, ul besimin tek publiku për institucione të pavarura dhe krijon opinionin tek të gjithë ata që kanë kapacitetin e duhur se e vetmja rrugë për të ardhur në krye të tyre është ajo e futjes në një parti politike, pra politizimi”, - thotë Islami.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›