Debati për sistemin, aleatët e PS krijojnë grupim të veçantë politik
Partitë e vogla të majta e të djathta, janë në një zë kur bëhet fjalë për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Fillojnë edhe lëvizjet e para
TIRANË Ndryshimi ose jo i sistemit zgjedhor ka përçarë dje aleancat nga të dyja kampet politike. Partitë e vogla të majta e të djathta janë në një zë kur bëhet fjalë për ndryshimin e sistemit zgjedhor, një çështje që në fakt nuk është përfshirë fare në planin e punës të dy partive të mëdha. Andaj dje kanë filluar edhe lëvizjet e para. PSV91 e drejtuar nga Petro Koçi, njoftoi dje përmes një deklarate zyrtare se kjo parti bashkë me PDS-në e Paskal Milos dhe PSD-në e Skënder Gjinushit, kanë zhvilluar një takim me qëllim realizimin e një projekti të ri politik. “Koalicioni i drejtuar nga PS-ja ka nevojë për aleatë më efektivë në tregun politik dhe bashkimi i PSD, PDS dhe PSV e partive të tjera të gatshme për t’u bashkuar do të sjellë një realitet të ri në strategjinë dhe taktikat politike të së majtës për të fituar zgjedhjet e ardhshme”, - thuhet në njoftimin për shtyp të PSV91. Në anën tjetër, edhe partitë në koalicion me mazhorancën kanë si pretendim kryesor pikërisht ndryshimin e sistemit zgjedhor, por pa paralajmëruar projekte të reja politike. “Ne kemi vuajtur nga një fenomen i ‘Dushkut’, i cili transferonte votat e partive të mëdha tek partitë e vogla, dhe sot vuajmë nga një fenomen i kundërt: partitë e mëdha marrin votat e partive të vogla. E kam thënë, 20 për qind e votuesve shqiptarë nuk janë të përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë, janë rreth 25 deputetë që duhet të dilnin me mandate nga ky 20 përqindësh, ku për fatin e keq janë vetëm 7, pjesën tjetër e kanë marrë partitë e mëdha pa të drejtë sipas gjykimit tim”, - tha dje Mediu. Ndërsa deputeti i LSI-së, nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Tavo renditi disa propozime të LSI-së që nuk janë marrë parasysh nga dy partitë e mëdha. “Kemi kërkuar që ky komision të punojë në bazë të një rregulloreje të posaçme, pasi është dhe një komision specifik i posaçëm. Nuk na është pranuar kjo kërkesë. Kemi kërkuar që mbledhjet e komisionit të bëhen të hapura me praninë e medias, ku çdo mendim e debat të jetë transparent. Edhe ky propozim i yni u hodh poshtë nga dy forcat e mëdha politike. Në mbledhjen e dytë të komisionit ne kemi propozuar që në rend të ditës të përfshihej edhe çështja e sistemit zgjedhor dhe çështja e listave të kandidatëve për deputet. Nuk është pranuar edhe ky propozim i yni”, - tha Tavo. Për pasojë, Tavo shpreson që kësaj here ndryshe nga viti 2008, partitë e mëdha të vendosin bazuar edhe në propozimet e partive të tjera.