E Shtunë, 31 Tetor 2026

Igli Totozani, kandidatura e PS për Avokatin e Popullit

Gjermeni: “Shoqëria shqiptare ka shumë nevojë të çlirohet prej trysnisë së politikës mbi institucionet kushtetuese, dhe politika ka për detyrë t’i plotësojë këtë nevojë”.

TIRANË Igli Totozani është kandidati zyrtar i Partisë Socialiste që do të votohet në Kuvend për postin e Avokatit të Popullit. Ai është personi i përzgjedhur nga komisioni ad hoc që ngriti Partia Socialiste për këtë institucion. Pas një procesi të tejzgjatur por transparent, dje është njoftuar nga kryetarja e komisionit ad-hoc se kandidati zyrtar do të jetë Igli Totozani. Procesi vijoi në dy faza, ku e para ishte ajo e aplikimit online dhe me postë. Për të drejtuar këtë institucion, në Partinë Socialiste aplikuan 33 kandidatë, nga të cilët u përzgjodhën vetëm 12 për dëgjesë publike, ndërsa dje u bë edhe seleksionimi përfundimtar. “Para një muaji, grupi parlamentar socialist mandatoi një komision ad hoc për përzgjedhjen e kandidaturës së Avokatit të Popullit, në shembullin frymëzues të forcave politike të botës moderne demokratike. Ky proces u zhvillua për herë të parë nga një parti politike shqiptare, tamam ashtu siç është në nderin e Partisë Socialiste, në rrugëtimin tonë për një rilindje shqiptare. Ne anëtarët e komisionit patëm privilegjin dhe barrën e sfidës për ta bërë këtë proces të hapur dhe të barabartë për të gjithë. Punuam dhe bashkudhëtuam me emocionet e me paragjykimet e natyrshme për një mjedis tejet të rënduar nga politika, por edhe nga dyshimet që shoqërojnë çdo përpjekje për t’i bërë gjërat ndryshe në mjedisin tonë publik”, - deklaroi dje Gjermeni. Kryetarja e komisionit që drejtoi përzgjedhjen e kandidaturave, shtoi se të gjithë kandidatëve u dha mundësia që të provojnë veten në synimin për t’u zgjedhur Avokat i Popullit. Igli Totozani është jurist me eksperiencë dhe vjen nga shoqëria civile. “Shoqëria shqiptare ka shumë nevojë të çlirohet prej trysnisë së politikës mbi institucionet kushtetuese dhe politika ka për detyrë t’ia plotësojë këtë nevojë. Nëse jo e gjithë politika është e gatshme ta bëjë këtë, Partia Socialiste është jo vetëm e gatshme, por edhe tërësisht e përkushtuar për ta bërë këtë. Ky proces ishte mishërim i programit tonë të ri për një rilindje shqiptare. Jemi angazhuar në këtë program për një administrim publik europian, për pjesëmarrje të publikut në qeverisje dhe sundim të së drejtës. Me këtë proces kemi respektuar pikërisht këtë angazhim, për t’i dhënë publikut të drejtën të marrë pjesë dhe për të garantuar falë një procesi gjithëpërfshirës sundimin e të drejtës në gjithë vijën e sjelljes së Avokatit të ri të Popullit’, - tha Gjermeni. Ajo theksoi se kjo garë kishte si qëllim paraqitjen para grupit parlamentar të PS të një kandidature të pakontestueshme moralisht, profesionalisht dhe politikisht. “Me qëllimin që sikundër u angazhuam që në fillim, nga ky proces të dalë një Avokat i Popullit jo një avokat i politikës apo i partisë, i cili të jetë në gjendje sot edhe nesër të qëndrojë në krahun e të dëmtuarve prej shkeljes së të drejtave dhe jo në anën e cilitdo krah të politikës”, - shtoi ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›