Viktor Gumi dhe Fatos Hoxha: Ja pse abstenuam për Leskajn
Deputetët demokratë të cilët abstenuan për dekretin e kreut të shtetit për emërimin e Bujar Leskajt si kryetar të KLSH-së, kanë sqaruar për MAPO-n votën e tyre të ndryshme nga pjesa tjetër e grupit. Mosrespektimi i procedurave nga kreu i shtetit dhe respektimi i Kushtetutës kanë qenë arsyet që i çuan ata të mos jenë në të njëjtin qëndrim si edhe kolegët e tyre të tjerë demokratë. Por për të mos dalë kundër vendimit politik të grupit, ata kanë gjetur një zgjidhje të mesme dje në sallë duke abstenuar. Kështu, deputeti demokrat Viktor Gumi ka sqaruar se qëndrimi i tij i shprehur me votë erdhi si pasojë e faktit se nuk mund të bënte kompromis duke pranuar shkeljen e Kushtetutës. “Në vlerësimin tim ishte e vetmja mënyrë për të gjetur kompromisin mes vullnetit të grupit dhe Kushtetutës. Kushtetuta është baza e veprimtarisë së çdo institucioni, përfshirë dhe mbi të gjitha Kuvendin e Shqipërisë. Nuk mund të ketë partneritet në shkeljet e Kushtetutës, sepse në këtë mënyrë dëmi që u shkaktojmë institucioneve është i pallogaritshëm”, - tha sekretari i komisionit të Ligjeve, Viktor Gumi. Ndërkohë që deputeti tjetër, Fatos Hoxha, duke qëndruar në të njëjtën rezonancë si edhe kolegu Gumi, ka sqaruar se vota e tij nuk ishte kundër kandidaturës së Leskajt, por nuk mund të pajtohej me shkeljen, që sipas tij i është bërë Kushtetutës në këtë rast. Megjithatë, ai nuk harron të shprehë hapur se kreu i shtetit në këtë mënyrë ka nëpërkëmbur parlamentin dhe Kushtetutën. “Abstenova për të njëjtat arsye, për të cilat votova kundër kandidaturës së Sali Shehut. Me dy kandidaturat s’kam asgjë personale. Me Bamir Topin që nëpërkëmb parlamentin dhe Kushtetutën, më ndan një mal. Jam betuar mbi Kushtetutë dhe nuk e jepja dot votën”, - tha Hoxha.
Deputetët e opozitës që munguan dje
Rudina Seseri
Pandeli Majko
Kastriot Islami
Dritan Prifti
Votoi pro Leskajt
Vangjel Dule