E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, Nano në interpelancë për tragjedinë

18/10/2004  Kryetari i Partisë Demokratike e ka cilësuar aksidentin, ku humbën jetën 16 nxënës, absolutisht i parandalueshëm. Sipas tij, shkak ishte moszbatimi i rregullave të përcaktuara nga qeveria për trafikun rrugor. "Urdhri është i prerë: grupet e udhëtarëve me autobusa në linjën e Kukësit duhet të shoqërohen nga policia", tha Berisha. Ndaj ai kërkoi që Grupi paralamentar të thërrasë në parlament Kryeministrin Fatos Nano. "Natyrisht, jo për të politizuar një tragjedi kaq të madhe, por për faktin se, në rast se kolona e nxënësve do të ishte e shoqëruar nga policia, në mënyrë absulote të 16-të, djemtë dhe vajzat e Malishevës do të kishin shkuar shëndosh dhe mirë në vendlindje dhe jo në arkivole, siç shkuan te nënat dhe baballarët, te vellezërit dhe motrat e tyre. Ndaj dhe është e domosdoshme një interpelancë me urgjencë për këtë aksident, sikundër dhe për aksidentet në tërësi", tha Berisha. Sipas tij, Shqipëria së bashku me Moldavinë është në krye të vdekshmërisë së aksidenteve në Evropë. Ai tha se është e domosdoshme të merren masa konkrete dhe të dalin përgjegjësi konkrete mbi këtë ngjarje. "Të paktën në parlament të diskutohet për këtë çështje shumë të rëndë, pavarësisht se kemi të bëjmë me një qeveri të papërgjegjësisë", nënvizoi kreu i Partisë Demokratike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›