E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i Qeverisë mjaftohet me ngushëllimin në mesazh

18/10/2004  Një ditë pas operacionit, Kryeministri i Shqipërisë nuk ka preferuar të kthehet në Shqipëri për t'u interesuar për tragjedinë e Fushë Arrëzit, por ka festuar në një nga buzuqet më me zë të Greqisë. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Xhoana Nano, Kryeministri shqiptar ka qëndruar disa orë duke dëgjuar këngët greke. Ndërkohë, gjatë të gjithë kohës, ai ka mbajtur syze të errëta, për shkak të operacionit, të cilit i ishte nënshtruar një ditë më parë. Ashtu si dhe është traditë në buzuqet greke, Nano ka festuar duke hedhur karafila dhe duke i pritur ato. Një ngjarje e tillë është zhvilluar në kohën kur në Malishevë kishte nisur zia për 16 studentët që humbën jetën në Fushë Arrëz, si pasojë e një aksidenti me autobusë, i cili ra në humnerë. Lajmi është bërë i ditur nga mediat greke, të cilat nuk kanë ngurruar ta publikojnë foton e Nanos duke festuar në buzuqet greke.

Përplasja

Ndërsa Presidenti i Republikës e ka ndërprerë vizitën, që ishte duke zhvilluar në Rumani më 14 tetor, për shkak të lajmit të tragjediësë, nga Kryeministria është bërë e ditur se Nano i është nënshtruar një operacioni në sy, sipas udhëzimeve të mjekëve. Ndërhyrja është vlerësuar dhe si një argument pse kreu i Qeverisë shqiptare nuk ka ngushëlluar familjarët e 16 nxënësve. Por skandali ka marrë përmasa të mëdha në kohën kur mediat greke kanë bërë të ditur se vetëm 2 ditë pas tragjedisë, Nano ka festuar në një buzuk grek. Ndërkohë që pamjet janë transmetuar në Shqipëri nga televizioni Klan, i cili ka mundësuar pamjet ekskluzive. Megjithatë, ditën e tragjedisë Nano ka ngushëlluar me anë të një mesazhi familjarët e viktimave, ndërsa ka biseduar dhe me kreun e qeverisë së Kosovës. Por tashmë duket se as argumenti i operacionit dhe as mesazi i ngushëllimit nuk do të jenë më justifikimi i Kryeministrit të Shqipërisë, njëkohësisht dhe kryetar i Partisë Socialiste.

Ngjarja

6 autobusë me gjimnazistë të Kosovës, po linin Shqipërinë, pasi kishin zhvilluar një tur turistik. Por, rreth orës 14 të ditës së enjtes, autobusi i dytë i autokolonës ka rënë në humnerë, për shkak të kalimit të gabuar të një autoveture. Për pasojë, 16 nxënës kanë vdekur, ndërsa 36 janë plagosur. Pas këtij lajmi, Qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës kanë shpallur ditën e premte ditë zie. Por, ndërsa zëvendëskryeministri Namik Dokle dhe ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, si dhe anëtarë të tjerë të qeverisë, kanë qëndruar në gatishmëri të plotë, Kryeministri Nano ka bërë të ditur se i ishte nënshtruar një operacioni. Sipas mediave greke, pas ndërhyrjes kirurgjikale, Nano nuk ka ngurruar të nisë festimet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›