E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kambisti u vra për 1.4 milionë lekë

18/10/2004  KORÇË – Grabitja, është motivi më i mundshëm i vrasjes së dy ditëve më parë në qytetin e Korçës të 55-vjeçarit Bardhyl Keno. Burime të policisë lokale bëjnë të ditur se mbrëmjen e së dielës, viktima kishte me vete pas punës një shumë prej 2.4 milionë lekë (të vjetra). Sipa spolicisë, një pjesë vrasësit kishin mundur t’ia merrnin dhe një pjesë tjetër, rreth 1 milion lekë (të vjetra), atij iu gjetën në trup.

Sipas policisë, mendohet gjithashtu që Bardhyl Keno, të jetë përleshur me personat, të cilët duhet të ishin dy dhe kjo vërtetohet, pasi në trupin e tij janë gjetur edhe disa shenja dhune.

Nga ana e saj, policia lokale e Korçës bënë të ditur se po punohet për identifikimin e personave përgjegjës të kësaj vrasjeje dhe për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes.

Policia e Korçës, mbas vrasjes, ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes për të bërë hetime të mëtejshme. Atje uniformat blu kanë gjetur si provë materiale dy plumba pistolete. Në të njëjtën kohë janë shoqëruar në komisariat disa persona, të cilët ndodheshin rastësisht në vendin e ngjarjes dhe që e njihnim viktimën 55-vjeçare.

Vrasja

Bardhyl Keno, nga qyteti i Korçës, u vra rreth orës 20.45 të mbrëmjes së diel, ndërsa ishte duke u kthyer në shtëpi, pas punës si kambist në qytetin e Korçës.

Para hyrjes së pallatit të tij, pikërisht te vendi ku ndodhen kisha e “Shën Mërisë” dhe “Shën e Premtes”, persona të maskuar dhe me pistoletë, i dolën përpara dhe i kërkuan të gjitha lekët e punës së tij ditore. Mësohet se ai ka kundërshtuar dhe pas një debati të ashpër edhe me fjalë, por edhe pas përleshjes, personat e maskuar nuk e kanë bërë të gjatë, por e kanë qëlluar për vdekje me armë zjarri.

Fillimisht vrasësit e kanë qëlluar me një plumb poshtë nofullës dhe më pas edhe me një plumb tjetër në bark, ku i shkaktuan një dëmtim shumë të madh të mëlçisë, atje ku ishte edhe plaga më e madhe.

Bardhyl Keno, 55 vjeç, jetonte në lagjen nr. 9 të qytetit të Korçës dhe me profesion ishte ushtarak. Pasi u largua nga ushtria në vitin 1992, filloi të punonte si shitës këpucësh me bashkëshorten e tij në pazarin e Korçës. Në të njëjtën kohë, në mbrëmje, ai punonte dhe si kambist në tregun e kambizmit të qytetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›