E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshjet, mbyllen shkollat në Lezhë

PËRMBYTJET/ Në fshatin Manati 15 banesave u ka hyrë uji në lartësinë 30-150 centimetra në orën 5:00 të mëngjesit

Kreu i komunës së Kolshit thotë se përmbytjet e fundit të tilla në këto lagje kanë ndodhur 20 vjet më parë


LEZHË - Reshjet e rëna gjatë fundjavës me dendësi të madhe dhe kryesisht gjatë 24 orëve të fundit kanë sjellë mjaft probleme dhe në brendësi të qytetit të Lezhës.


Përmbytjet e përsëritura kanë sjellë probleme të mëdha edhe në terrenet e shkollave, ku në shumë prej tyre nuk është bërë asnjë orë mësimi. Sipas drejtoreshës së Drejtorisë Arsimore Rajonale Lezhë, Shpresa Hoxha, 2 shkollat 9-vjecare dhe përkatësisht "Gjergj Kastrioti" dhe shkolla "Kosova" nuk kanë zhvilluar mësim, pasi oborret e tyre kanë qenë të zaptuara nga ujërat dhe nuk mund të hyhej brenda.


Drejtoresha Shpresa Hoxha theksoi se edhe dy shkollat e mesme të bashkuara dhe përkatësisht gjimnazi "Hydajet Lezha" dhe shkolla e Mesme profesionale "Kolin Gjoka" nuk kanë zhvilluar mësim për të njëjtën arsye.


E vetmja shkollë e qytetit e cila ka zhvilluar mësim gjatë ditës së martë, por me orar të reduktuar, është shkolla 9-vjeçare "Gjergj Fishta". Hoxha deklaroi se në të gjitha shkollat e tjera si të fshatrave të rrethit të Lezhës, ashtu dhe të gjitha shkollat e qarkut, ka vazhduar normalisht mësimi pasi nuk ka pasur probleme.


Hoxha shtoi se duke filluar nga dita e mërkurë, të gjitha shkollat do të fillojnë mësimin normalisht nëse reshjet nuk do të krijojnë sërish probleme. Një tjetër problem shqetësues është dhe bllokimi i rrugës së Kallmetit nga inertet e sjella nga prurjet e rrugës së kalasë, gjithashtu probleme janë ndeshur edhe në lagjen e Spitalit, Gurra, si dhe tek blloku "Liria".


Nënkryetari Barbullushi theksoi se janë ngritur menjëherë grupet e punës që po operojnë në terren që në orët e para të mëngjesit për largimin e inerteve në rrugë dhe zhbllokimin e kanalizimeve.


Përroi Hut përmbyt 15 shtëpi në Manati


Në komunën e Kolshit, përroi Hut me rrëmbimin e tij rreth orës 05:00 të mëngjesit ka depërtuar furishëm në të gjitha banesat që ndodhen në qendër të fshatit Manati të kësaj komune.


Banorët tregojnë se kanë qenë në gjumë dhe janë zgjuar trembshëm nga uji që ka vërshuar në banesat e tyre duke shkatërruar avlli, porta, dyer dhe dritare dhe duke marrë me vete shumë orendi dhe materiale të tjera.


Në 15 banesat më të prekura, uji ka arritur nivelin nga 30 cm në 1,5 metër. Kryefamiljarët rrëfejnë se nuk kanë arritur të shpëtojnë asgjë, pasi përmbytjet kanë qenë të befasishme.


Ndërkaq, një prej banorëve, Gjergj Përvathi, teksa ka tentuar të nxjerrë nga shtëpia nënën dhe fëmijët është rrëzuar duke pësuar frakturë të rëndë në gju dhe është dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Lezhës.


Kryetari i Komunës Kolsh, Andi Marku, rikonfirmon faktin se në 15 shtëpi janë dëmtuar të gjitha orenditë dhe se përmbytje të tilla në këtë lagje nuk janë konstatuar asnjëherë në këto 20 vite.


Marku theksoi se për këtë përrua të furishëm është hartuar një projekt dhe se kanë kërkuar që nga ana e qeverisë të mundësohet investimi për ndërtimin e pritave të dëmtuara, pasi kjo është arsyeja që ai është bërë kaq i rrëmbyeshëm dhe i frikshëm. Marku pohoi se probleme ka pasur edhe në Barbullojë dhe Lalm, por jo në banesa.


Shtabi i Emergjencave të Komunës po verifikon të gjitha dëmet e shkaktuara në banesa, por edhe në kultura bujqësore dhe në blegtori. "Jo vetëm do të evidentojmë dëmet, por do të eliminojmë edhe pasojat", tha Marku, duke deklaruar se banorët do të dëmshpërblehen.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›