Projektligjet për drejtësinë nuk cenojnë pavarësinë, synohet eliminimi i faktorëve që dëmtojnë sistemin

Reagon Ministria e Drejtësisë. Drejtoresha e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, Marsida Xhaferrllari sqaron pretendimet e shoqatave të gjyqtarëve e prokurorëve
Ministria e Drejtësisë nuk do të tërhiqet nga propozimi i ligjeve të draftuara prej saj, si ligji për “Administratën Gjyqësore” dhe “Prokurorinë”, pasi hartimi i tyre është bërë në përputhje dhe në konsultë me grupet e interesit. Ministria e Drejtësisë sqaron se këto ligje nuk cenojnë pavarësinë e institucioneve, por i synojnë ti japin fund faktorëve që dëmtojnë sistemin e drejtësisë në vend, si korrupsioni, pa aftësia profesionale dhe fiktiviteti. Ndërkaq, misioni EURALIUS, i cili merret me ekspertizën organizimit të Drejtësisë dhe hartimin e legjislacionit, nuk ka shprehur asnjë vërejtje mbi nenet e të dy projektligjeve të hartuara nga Ministria e Drejtësisë.
Pas një takimit të zhvilluar dy ditë më parë, të aktorëve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e drejtësisë, kanë rrjedhur dhe keqinterpretimet e deklaratave të përfaqësuesve të EURALIUS, të cilët si rol kryesor në objektivat e ekspertizës së tyre, krahas shumë fushave të tjera, kanë edhe atë të hartimit të legjislacionit, organizimin e Drejtësisë dhe reformës në sistemin e Drejtësisë.
Shoqata e gjyqtarëve, noterëve dhe prokurorëve, kundërshtuan projektet e paraqitura nga ministria, për projektligjin për “Administratën Gjyqësore” dhe atë për “Prokurorinë”, madje duke miratuar edhe një rezolutë të përbashkët. Por nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë, bën me dije se ky dikaster ka marrë përsipër të gjitha sugjerimet për hartimin e projektligjeve që synojnë reformimin e sistemit të drejtësisë, për të cilin nuk kanë munguar kritikat e ashpra nga institucionet ndërkombëtare.
Gjyqësori
Drejtoresha e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, Marsida Xhaferrllari, deklaroi se Ministria e Drejtësisë mbron të dy projektligjet e hartuara prej saj, atë për “Administratën Gjyqësore” dhe “Prokurorinë”, duke theksuar se nuk cenojnë pavarësinë e institucioneve. Drejtoresha e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, vuri në dukje se modelet e ofruara mbështeten mbi eksperiencën ndërkombëtare dhe se është marrë parasysh fakti për një rregullim sa më të mirë ligjor të funksionimit të operatorëve që japin drejtësi.
“Duke rezultuar që dhënia e drejtësisë dëmtohet nga tre faktorë bazë, nga korrupsioni, nga pa aftësia profesionale dhe fiktiviteti, Ministria nuk ka shpikur asgjë të re, kemi marrë modelet nga të tjerë, ose janë adaptuar këto modele të projektligjeve që kanë shkuar për miratim në kuvend, me qëllim për të luftuar këto tre fenomene që përmendëm më lart. Pyetja që unë bëj me këtë rast është, nëse gjyqtarët pretendojnë për pavarësi, atëherë ç’kuptim ka që projektligji që rregullon funksionet e tyre të hartohet nga vetë gjyqtarët, sepse gjyqtarët kanë detyrën kryesore të njohur nga Kushtetuta për të zbatuar ligjin dhe jo për të draftuar ligjin. Draftimi dhe miratimi i ligjit është kompetencë ekskluzive e parlamentit dhe të jenë të sigurt se Ministria e Drejtësisë në procesin e draftimit ka marrë të gjitha mendimet të gjitha shqetësimet në analizë të grupeve të interesit. Sigurisht që nuk mund të jetë ky produkt i vetëm i pushtetit gjyqësor apo i organit të prokurorisë. Projektligji për ‘Administratën Gjyqësore’, është derivim i ligjit për ‘Organizimin dhe funksionimin e Pushtetit Gjyqësor në Shqipëri’, ku siç dihet ka kaluar në parlament me konsensus të plotë, në mars të këtij viti. Ishte pikërisht ky ligj që vendosi që shërbimet mbështetëse në administratën gjyqësore do të jenë në varësi në Ministrisë së Drejtësisë”, tha Xhaferllari.
EURALIUS
Drejtoresha e Kodifikimit, Xhaferrllari ka sqaruar duke vënë theksin në faktin se misioni i EURALIUS, në procesin e hartimit të drafteve nuk ka shfaqur asnjë rast shqetësime konkrete mbi nene të veçanta të projektligjeve të paraqitura.
“Unë e kam dëgjuar shprehjen e përfaqësuesit të EURALIUS dhe ai nuk ka vënë theksin që në këtë ligj apo atë ligj ka munguar debati apo konsultimi mes palëve në këtë proces. Ai ka shprehur në parim, që sigurisht duhet të shoqërojë të gjithë procesin e hartimit dhe të miratimit të një ligji, konsultimi me grupet e interesit. Lidhur me projektligjin për prokurorinë, aty nuk kanë munguar debatet dhe konsultat për asnjë moment. Që në marsin e këtij viti, që është ngritur grupi i punës për projektligjin e Prokurorisë dhe deri aktualisht, pasi në datë 6 ka përfunduar produkti i grupit të punës për këtë projektligj, janë marrë konsultimet e nevojshme me palët e interesuara. Në ato takime që unë kam marrë pjesë, nuk kam dëgjuar deklarata të tipit që kjo nuk shkon, kjo është e gabuar”, nënvizoi drejtoresha e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, Marsida Xhaferrllari.
Prokuroria
“Por duke iu referuar disa shqetësimeve konkrete, duket se palët që kanë marrë pjesë në debat, kanë rënë dakord për kufizimin e imunitetit të prokurorëve. Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë dhe përfaqësuesit EURALIUS, kanë qenë për heqjen e imunitetit të prokurorëve”, theksoi drejtoresha e Kodifikimit.
Debat shkakton edhe çështja, nëse duhet të rikthehet në detyrë një prokuror i shkarkuar, për të cilin gjykata shprehet me një vendim të formës së prerë në favor të tij.
“Është hedhur një propozim nga grupi i përfaqësuesve të Prokurorisë së Përgjithshme që gjykata përveç shpërblimit të së drejtës së prokurorit të vendosë edhe rikthimin e tij në detyrë. Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë kanë shprehur mendimin që ligji të mbetet siç është aktualisht, sepse edhe Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese kanë theksuar, se mos rikthimi në detyrë i prokurorit nga Gjykata nuk prek standardet kushtetuese as standardet evropiane, pra të Komunitetit Evropian dhe të drejtave të njeriut, duke qenë se detyra e prokurorit është funksion publik dhe meriton çështje besimi, besim i cili, në momentin që Presidenti i Republikës vendos shkarkimin e tij, thuhet, kjo është një nga çështjet e diskutueshme që ende nuk është zgjidhur”, shtoi më tej drejtoresha e Kodifikimit.
Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë nuk do të tërhiqet nga variantet e paraqitura prej saj për ligjin e ri për “Administratën Gjyqësore” dhe “Prokurorinë”.
Drejtoresha e kodifikimit shtoi më tej se, tashmë i takon Kuvendit që të vendosë se cila do të jetë forma përfundimtare të projekteve të paraqitura nga kjo ministri. Takimi i të shtunës i aktorëve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e drejtësisë, ofroi një kakofoni mesazhesh, duke sjellë dhe keqinterpretim të deklaratës së përfaqësuesve të misionit EURALIUS. Vetë këta të fundit në një raport mbi vlerësimin e proçeseve të hartimit të këtyre dy projektligjeve, nuk kanë shprehur asnjë shqetësim konkret mbi nenet përbërëse të këtyre projektligjeve, mbi “Prokurorinë” dhe atë mbi “Administratën Gjyqësore”.
...