Masa per sezonin dhe fushate antikanabis

Policia e Vlorës është angazhuar ndjeshëm në përmirësimin e situatës së rendit në rrethin e Vlorës, duke marrë shkas edhe nga sezoni turistik, ku fluksi i vizitorëve në Vlorë është rritur ndjeshëm. Në një konferencë për mediat kreu i policisë së qarkut, Artan Cuku ka bërë me dije se përpos masave të rrepta të sigurisë për sezonin turistik, do të mundësohet kontaktimi i çdo pushuesi, vënie në dispozicion të fletëpalosjes me numrat dhe asistencë policore. Për të evituar kështu incidentet e mundshme apo ngjarjet e rënda.
Nga ana tjetër, duke pasur prezent se është kohë e mbjelljes së kanabisit, Cuku ka bërë me dije se çdo rrënjë canabisi do të asgjësohet, duke vënë në pranga çdo person që do e kultivojë atë. Ndërsa sa i përket një analize të punës së kryer deri tani nga kjo drejtori, rezultatet e shfaqura janë absolutisht më të mirat në 20 vitet e fundit. Gjatë gjashtë mujorit të parë 2012, policia e Vlorës ka sekuestruar rreth 4200 kg kanabis, ose 30 herë më shumë se gjatë vitit 2011, ose sa kanë sekestruar 11 qarqe së bashku këtë vit. Janë ndjekur penalisht 800 persona, apo 400 më shumë se viti 2011. Janë kryer 18 operacione ndërkombëtare, ndërsa në vitin 2011 asnjë. Janë goditur 24 grupe kriminale, në 2011 vetëm 1 grup. Absolutisht këto mbeten rezultatet më të mira në 20 vitet e fundit. Gjithashtu bëhet me dije se nga shërbimet e Komisariateve të Policisë Vlorë dhe Sarandë gjatë 24 orëve të kaluara janë kapur dhe arrestuar 6 persona kryesisht për “Vjedhje” si dhe janë dokumentuar 9 raste të reja të ndërtimit të paligjshëm të moleve përgjatë bregdetit.