E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Ndëshkime ndaj zaptuesve të plazheve publike”



Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, kryeministri Sali Berisha njoftoi hartimin e një projektligji që garanton plazhet publike për të gjithë qytetarët, si dhe parashikon ndëshkime për zaptuesit e tyre. Berisha tha se 100 metra larg bregut të detit është tokë publike dhe se nuk i përket askujt tjetër. Duke folur për buxhetin e vitit 2011 dhe duke e cilësuar turizmin prioritet të këtij buxheti, kreu i qeverisë njoftoi se do të merren masa konkrete ndaj abuzuesve të mjedisit. Masa të tilla, si shkarkim nga detyra të prefektëve apo kryetarëve të bashkive apo komunave, si dhe prishjen e ndërtesave, lokaleve, moteleve apo hoteleve që derdhin ujërat e zeza në det. Kreu i qeverisë u shpreh se në këtë drejtim ligji nuk do të njohë asnjë kompromis. Më tej ai bëri të ditur se buxheti i shtetit për vitin 2011 do të miratohet në qeveri brenda muajit shtator dhe do të miratohet në Kuvend brenda muajit tetor. Ky buxhet do të ketë prioritet turizmin, infrastrukturën dhe rritjen e rrogave dhe të pensioneve.
Bregdeti
Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e djeshme të qeverisë, kërkoi nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, përmirësimin e kuadrit ligjor dhe krijimin e një ligji, i cili do të garantojë për qytetarët plazhet publike. “Asgjë nuk do të kemi më të mirëpritur se turizmin. Por, në qofte se qytetarët e Durrësit, për shkak të adaptimit në total të skemës së dhënies së plazhit privatëve, nuk mund të shijojnë bregun e tyre, kjo është babëzi”, - është shprehur Berisha. Ai kërkoi gjithashtu nga Ministria e Mjedisit që kuadri ligjor të parashikojë, ndër të tjera, edhe ndëshkime të rrepta për të gjithë ndotësit e mjedisit, duke nënvizuar se krimi ndaj mjedisit është krim i rëndë ndaj jetës. “Ai që nga moteli apo pallati i tij derdh ujërat në det meriton vetëm shkatërrimin përfundimtar të lokalit, hotelit, apo motelit që disponon, sepse ai ka një ndërgjegje të errësuar dhe këto akte janë çnjerëzore, të turpshme, prandaj ligji për krimet ndaj mjedisit duhet të funksionojë plotësisht. Krimet ndaj mjedisit janë krime të rënda sepse janë krime ndaj jetës. Në një mënyrë ose në tjetër ato kërcënojnë jetën. Nëse konstatohen shkelje të tilla, nuk duhen prishur kanalet, por lokalet që i derdhin ato në det. Këto lokale duhet të asgjësohen”, - tha kreu i qeverisë. Në këtë kontekst, kryeministri u shpreh se përgjegjësi direkt për garantimin dhe zbatimin me korrektësi të ligjit do të jetë vetë prefekti i qarkut, por edhe autoritetet e tjera vendore, të cilat përparësi kryesore do të kenë garantimin e një mjedisi sa më të pastër e të përshtatshëm për turistët.
Buxheti
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Berisha u ndal në veçanti në disa nga drejtimet themelore të buxhetit të vitit 2011. Berisha u shpreh se në shtator duhet të finalizohet buxheti dhe të miratohet në qeveri, në mënyrë që në muajin tetor të dorëzohet në Parlament, për të pasur të gjithë kohën e nevojshme për një shqyrtim të hollësishëm. Kryeministri theksoi se një nga përcaktimet kryesore të këtij buxheti do të jetë infrastruktura rrugore. “Buxheti do të mbështesë ndërtimin e rrugëve të reja, Rrugës së Arbrit, autostradës Tiranë-Elbasan, përfundimin e autostradës Levan-Vlorë, Levan-Tepelenë, Konispol-Sarandë, Kardhiq-Delvinë, Bogë-Theth, fillimin e punimeve të një rruge të re Lezhë–Velipojë, e cila kalon në majën e kodrave që ndajnë detin nga Torovica dhe zona të tjera. Janë qindra e qindra rrugë rurale e dytësore, të cilat do të ndërtohen gjatë vitit që vjen, ujësjellësit, kanalizimet, shkollat, qendrat shëndetësore”, - është shprehur Berisha. Ai shtoi se një ndër drejtimet themelore të buxhetit do të jetë gjithashtu problematika e turizmit, e cila do të ketë konceptimin më të gjerë se çdo vit tjetër. Duke kërkuar nga ministritë që të bashkërendojnë punën, që viti i ardhshëm të jetë një vit ku turistët të kenë lehtësirat më të mëdha, kryeministri u shpreh se është e nevojshme që në zëra të veçantë, grantet nuk mund të jepen më siç janë dhënë, por do të kenë destinacionin e tyre të qartë, në funksion të turizmit. Një tjetër drejtim themelor të buxhetit të vitit 2011, kryeministri përcaktoi rritjen e rrogave dhe të pensioneve. “Rritja e pensioneve është një detyrim ndaj të moshuarve të këtij vendi dhe sado që t’i rritim, ata nuk marrin dot atë që meritojnë”, - u shpreh kryeministri.

2 Shtator 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›